E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, të pranishëm në diskutim edhe ish të përndjekur

Tiranë- Ka nisur në Komisionin kuvendor të Ligjeve rishqyrtimi i projektligjit për hapjen e dosjeve. Të pranishëm në këtë seancë janë ftuar edhe ish të përndjekur, të cilët pritet të japin mendimet dhe opinionet e tyre lidhur me projektligjin.

Drejtuesi i mbledhjes është Ilir Rusmali, i cili ka ftuar ish-të përndjekurit të japin opinione rreth draftit për dosjet.

Dy partitë, PD dhe PS janë të ndara në qëndrimet e tyre lidhur me draftin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë. Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Aldo Bumçi, deklaroi dje se puna është lënë aty ku mbaroi sezoni i kaluar.

“Në sezonin e kaluar nga takimet që kam pasur me Isarajn ka pasur mosmarrëveshje në dy pika që lidhen me ndërprerjen ose jo të mandatit për persona që janë të zgjedhur ose zyrtarë të lartë, kur rezultojnë të papajtueshëm me ligjin. PS është kundër ndërprerjes së këtij mandati, ndërsa PD për të kundërtën. E dyta ka të bëjë me personat që janë verifikuar më parë”,- tha Bumçi.

Pikërisht, për të diskutuar mbi përmbajtjen e këtij drafti sot në Komisionin e Ligjeve janë ftuar edhe përfaqësues të grupeve të interesit. Bumçi u shpreh se shpresonte në arritjen e një qëndrimi të përbashkët pas diskutimeve. Në anën tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar që drafti për spiunët të marrë, së pari, konsensusin e partive të djathta që janë në koalicionin qeverisës, e veçanërisht PDK-së, e cila është një ndër tre forcat politike që propozoi një draft të veçantë për këtë çështje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›