E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, propagandë me taksat e shqiptarëve

Tiranë- “Sali Berisha ka abuzuar me ligjin duke përdorur taksat e shqiptarëve për propagandë elektorale”. Kështu është shprehur sot Gramoz Ruçi, gjatë një deklarate për shtyp nga selia rozë, pas vendimit të fundit të KKRT-së për gjobë ndaj televizionit “News 24”.

Sipas Ruçit, Berisha ka abuzuar me barazinë e të gjitha subjekteve politike para ligjit duke thyer kornizën ligjore që i ndalon këto subjekte të prodhojnë spote televizive. E jo vetëm kaq. Ai ka abuzuar me vetë vendimin e qeverisë së tij që i ndalon institucionet shtetërore të shpenzojnë për spote televizive për të reklamuar punën e tyre.

Ruçi ka theksuar se kreu i qeverisë ka abuzuar me institucionin e Këshillit Kombëtar të Radiove e Televizioneve, duke përdorur ushtarët e tij politikë në atë këshill për të gjobitur, në mënyrë të paligjshme, televizionet që me të drejtën e tyre ligjore transmetuan një spot denoncues për këtë abuzim të kryeministrit të vendit.

:Sali Berisha ka abuzuar me të drejtat e liritë themelore kushtetuese të disa qytetarëve të këtij vendi duke i ndaluar ata brutalisht për të protestuar në mënyrë qytetare e paqësore në mbrojtje të ligjit e të taksapaguesve shqiptarë”- tha ai.

Partia Socialiste, sipas Ruçit, i bën apel kryeministrit të Shqipërisë të mos shpërdorojë detyrën dhe lekët e shqiptarëve për të bërë propagandë të paligjshme elektorale; të mos ushtrojë dhunë mbi mediat që transmetojnë lirisht dhe ligjërisht opinionet e qytetarëve në larminë e paraqitjes së tyre, përfshirë edhe spotet televizive; të mos luftojë me mjetet e pushtetit shprehjen e lirë e të ligjshme të opinioneve qytetare në media, përfshirë edhe përmes spoteve që nuk bëjnë reklamë politike po që janë pjesë e jetës demokratike pluraliste.

Nëqoftëse Sali Berisha nuk e dëgjon këtë apel, Partia Socialiste do ta konsiderojë këtë abuzim si shkelje të lirisë e të ndershmërisë së procesit elektoral, të cilin Kryeministri s'mund ta fillojë as me lekët e qytetarëve dhe as duke shkelur të drejtat e tyre dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›