E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosti: Gjykimi në Lezhë ishte hapur kundër nesh

Nga Elton Karaj

Ndihmëstrajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, thekson se çdo vendim i treshes së gjyqtarëve ishte në dëm të verdhebluve

Elbasani pësoi humbjen e parë në Lezhë, ku Besëlidhja rivale e mposhti me rezultatin thellë, 4-0.  Ekipi i drejtuar nga dyshja File-Dosti është paraqitur dobët në këtë ndeshje, ku ka qenë nën presion psikologjik gjatë gjithë lojës, duke ua bërë më të lehtë punën lezhjanëve.

Gjykimi Sipas verdhebluve, Besëlidhja është favorizuar dukshëm edhe nga 3-shja e gjyqtarëve. Siç pohojnë vetë pjesëtarët e stafit teknik, Elbasani është sulmuar” nga gjyqtarët, që me vendimet e tyre e kanë ndihmuar ekipin lezhjan për të fituar, duke dhënë dy kartonë të kuq për lojtarët elbasanas. “Jam shumë i indinjuar nga gjykimi, që na ka dëmtuar shumë në Lezhë, sepse nuk na la të luanim si të barabartë me kundërshtarin dhe të zhvillonim një ndeshje normale.

Gjatë gjithë kohës gjyqtarët kanë favorizuar dukshëm ekipin vendës,” thotë zëvendëstrajneri Muharrem Dosti., i cili pranon gjithashtu se Elbasani nuk dha maksimumin në ndeshjen e fundit. Gjithsesi, ai nuk fajëson lojtarët e tij, por vetëm gjyqtarët, sidomos për kartonët e kuq. Ekipi nuk dha atë që pritej dhe kjo jo për fajin tonë, por të gjyqtarëve, të cilët na ndëshkuan në çdo çast.

Në çdo kontakt fizik midis lojtarëve akordohej faull në favor të lezhjanëve. Gjykimi e vulosi ndeshjen, kur ndëshkoi dy nga lojtarët tanë më karton të kuq. Ne kemi dhe fajet tona për atë ndeshje, por e ritheksoj se me atë gjykim ishte e pamundur të merrnim pikë, ka shtuar Dosti.

Akuzat Numri 2 i stolit elbasanas, Muharrem Dosti, pohon se tek Elbasani nuk ka asnjë çështje, duke bërë të ditur se ato që janë shkruar në shtyp në emër të trajnerit Ilirjan File janë spekulime. Nuk ka akuza të trajnerit File për lojtarët. Ajo që është thënë është një sajesë e njerëzve që duan të na përçajnë.

Në ekipin tonë nuk ka ndodhur kurrë ajo që është shkruar sot në media. Dua vetëm të them që dikush po përpiqet të fusë një frymë të keqe në ekipin tonë dhe të na pengojnë drejt rrugës që kemi nisur. E përsëris që nuk ka asgjë të vërtetë në këtë mes, u shpreh Dosti.

Edhe lojtarët verdheblu janë shokuar nga ajo që kanë lexuar në shtyp. Dje ata janë çliruar, kur janë ballafaquar me stafin teknik.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›