Lika e Bala firmosin sërish, Tirana marshon drejt kreut
Bardheblutë marrin tri pikë, ndërsa shkodrani shënon dopietën e parë në kampionat, Rubio kënaqet, Çekiçi e ka me gjykimin
TIRANA POGRADECI 3-1
Tirana dje ka fituar 3-1 me Pogradecin dhe tashmë ka filluar të synojë vendin e parë. Bardheblutë, edhe pse me një lojë jo fort bindëse, kanë marrë tripikëshin e dytë radhazi, pas atij me Kastriotin javën e shkuar. Goli i Likës dhe më pas dopieta e Bekim Balës, që po kthehet në një lider te Tirana, u kanë dhën tri pikët bardhebluve.
Kurse miqtë, me shumë mungesa i kanë rezistuar Tiranës deri në mesin e pjesës së parë. Pas pësimit të golit, skuadra e drejtuar nga Ylli Çekiçi e ka pasur shumë të vështirë që ti bëjë ballë furisë së sulmeve të skuadrës kryeqytetase, që në pjesën e dytë ka funksionuar mirë, sidomos me futjen në fushë të Tushes, i cili i ka dhënë freski mesfushës kryeqytetase.
Pjesa e parë Tirana e ka nisur edhe këtë ndeshje me ndryshime, ku dje Rubio i ka dhënë hapësira Peposhit. Kurse miqtë, organizmin e lojës e bazonin tek Elmazi, i cili disa herë ka fituar dyluftimet me Situmën. Gjithsesi, miqtë kanë kërkuar që të rrezikojnë me Tanushin dhe Eminhazerin, duke dhënë shkëndijat e para se nuk kishin ardhur për piknik në kryeqytet.
Tirana zgjohet dhe e kupton se Pogradeci është më i fortë nga sa e mendonin. Sinjalet e para i japin G.Lika, Peposhi dhe Bala. Madje ky i fundit bëhet protagonist i rasteve të humbura në pjesën e parë. Shkodrani ka pasur dy mundësi të arta shënimi.
Mirëpo do të duhej të vinte minuta e 41-të, kur Dushku ka pasur një prishje të ekuilibrit nga njëri prej mbrojtësve pogradecarë dhe Sino ka dhënë 11-m. Protestat e miqve bënë që goditja e penalltisë të shtyhej për 3 minuta. Në të 44 minutë ka gjuajtur Gilman Lika nga pika e bardhë dhe ka shënuar golin e parë, duke çliruar psikologjikisht skuadrën e tij.
Pjesa e dytë Rubio bën zëvendësimin e parë, Heple i lë vendin Tushes, që i jep gjallëri mesfushës. Pjesa e dytë gjen një Tiranë më agresive dhe sapo kalojnë nëntë minuta bardheblutë dyfishojnë shifrat. Këtë herë Bala nuk ka falur. Trajneri mik Çekiçi e sheh se mbrojtja dhe mesfusha nuk po funksionojnë dhe bën zëvendësime. Del Çajku dhe futet Binishi, kurse Balla i lë vendin Çelës.
Mirëpo pogradecarët gjejnë golin e parë me anë të Eminhazerit dhe minutat e mbetura u japin shpresë për të kërkuar edhe pikën. Ndërkohë që në mesfushë, në vend të Lartit, aktivizohet lushnjari Okeljan Baze. Sapo futet në fushë 20-vjeçari Baze i jep të tjera ritme lojës së pogradecarëve. Madje kërkon që të ndërtojë aksione sulmuese, por është edhe një pikë e fortë në mesfushën e miqve.
Pogradeci tashmë është më i qartë në lojën e vet. Nga krahu tjetër, Rubio e sheh që krahu i majtë nuk funksionon siç duhet dhe në vend të Peposhit aktivizon Ferrajn. Mirëpo pogradecarëve u ngrin gëzimi në buzë, sepse pa kaluar as 13 minuta, Bala ka shënuar golin e dytë personal dhe të tretin për Tiranën. Rubio bën edhe një ndërrim taktik, Dabulla i zë vendin Dushkut. Kështu bardheblutë marrin një fitore të merituar dhe nisin të konsolidohen javë pas jave.
Rubio: Tirana dhe Bala më bindën plotësisht
Morëm tri pikë më shumë, që na konsolidojnë edhe më shumë në tabelën e klasifikimit. Në përgjithësi, jam i kënaqur me lojën dhe fitoren e skuadrës sime. Dua të përgëzoj edhe Balën. Shënoi dy gola, por edhe shpërdoroi. Megjithatë, ai ka meritë të padiskutueshme. Në qoftë se do të kishte qenë me i saktë, në tri javë do të kishte shënuar tetë gola, megjithatë edhe kaq nuk janë pak. Tashmë duhet që të mendojmë për ndeshjet e radhës. Çdo përballje ka specifikën e vet. Në kupë gjysmën e punës e kemi bërë, kurse për Flamurtarin do të mendojmë fill pasi të kemi mbaruar punë me Himarën dhe të jemi kualifikuar.
Çekiçi: Penalltia e dyshimtë, mungesat na dënuan
Pas golit të parë të Tiranës, ishte shumë e vështirë që të çanim kundërshtarin. Akoma nuk jemi aty ku duhet. Edhe ndaj Tiranës ne luajtëm me disa mungesa lojtarësh të rëndësishëm, disa të dëmtuar të tjerë që nuk u ka ardhur kartoni. Pas golit ne reaguam mirë, madje kërkuam që të shënonim sërish, megjithatë kaq e kemi hapin. Përballë kishim një nga ekipet më të mira në Shqipëri.
Penalltia mu duk e dyshimtë. Shumë penallti të tilla nuk jepen në Shqipëri Do ta shoh në televizon dhe do të jap një mendim më konkret. Megjithatë, tashmë që po i shohim kundërshtarët, unë e them me bindje se kur të plotësohet grupi, ne do të zëmë një vend në mesin e artë.
Tersi si ndahet Balës, këtë herë thyen hundën
Në ndeshjen me Himarën shënoi tripletë dhe u dëmtua rëndë në kavilje. Ndërkohë që dje kur ka shënuar dopietë dhe ka qenë një nga lojtarët më të lëvizshëm në fushë, Bekim Bala ka marrë një bërryl nga Drazhanin dhe menjëherë i ka plasur gjaku nga hundët, që nuk i ka pushuar as pas përfundimit të ndeshjes. Por më e rënda është se sulmuesi shkodran ka thyer hundën. Kështu që Bekimin duket se vazhdon ta ndjekë tersi i dëmtimeve.
Trajneri i portierëve kërkon tërheqjen e ekipit
Në momentin e dhënies së penalltisë nga gjyqtari Sino janë revoltuar drejtuesit e pankinës pogradecare, por edhe lojtarët në fushën e lojës. Por trajneri i portierëve, Thanas Papa, e ka ekzagjeruar dje. Ai ka hyrë në fushë pa lejen e gjyqtarit të katërt, duke protestuar. Madje ka kërkuar edhe tërheqjen e ekipit, duke i bërë me shenjë disa herë lojtarëve që të lënë fushën e lojës në momentin e gjuajtjes së 11-m. Pas tri minutave, Papa është nxjerrë nga pankina me të kuqe.
