E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosti: Kavaja, sprova e vërtetë e Elbasanit

Nga Elton Karaj

Zëvendëstrajneri Muharrem Dosti ka besim për rezultat pozitiv në ndeshjen me Besën, që vendos shumë për fatet e sezonit

Elbasani do të luajë dy ndeshje brenda 4 ditësh dhe të dyja në transfertë, sot ndaj Vllaznisë në Shkodër për Kupën e Shqipërisë dhe të shtunë me Besën në Kavajë për kampionat. Patjetër që e dyta ka marrë gjithë vëmendjen e verdhebluve, sepse nga rezultati i saj varen pretendimet për superligën. Stafi teknik po punon me intensitet për ta përballuar sfidën e Kavajës, ndërsa ndeshja me Vllazninë nuk ka rëndësi.

Mungesat Titullarët e Elbasanit nuk do të aktivizohen në kupë dhe të gjitha bateritë do ti shkarkojnë në kampionat me Besën, por në këtë ndeshje verdheblutë do të kenë dy mungesa. Stafi teknik nuk do të ketë të gatshëm Mateos Toçin dhe Shkëlzen Ruçin, të cilët janë të skualifikuar për shkak kartonësh. Megjithatë, elbasanasit po e përgatisin me shumë kujdes ndeshjen e së shtunës, ku pretendojnë të marrin pikë.

Dosti Zëvendëstrajneri i Elbasanit, Muharrem Dosti, shprehet për Sportin  shqiptar se ekipi mbetet pretendent, vetëm nëse nuk gabon në vazhdim të kampionatit. Sipas tij, janë të gjitha mundësitë për tu afruar me kreun e renditjes dhe të gjithë duhet të punojnë për këtë qëllim: Mendoj se Elbasani nuk ka dalë nga objektivi për kthimin në superligë. Ekipi ynë i ka të gjitha mundësitë për tu ngjitur një kategori më lart, por për këtë natyrisht që duhet punuar shumë.

Kemi mundësi tu afrohemi vendeve të para, pasi këtë javë do të ketë disa përballje midis rivalëve. Për ndeshjen me Vllazninë mund të them se Elbasani do të paraqitet me formacionin e dytë, pasi na intereson ndeshja e së shtunës me Besën. Në këtë ndeshje nuk e mendojmë humbjen. Besa është një ndeshje ndryshe nga të tjerat, pasi në të luhet fati i ekipit tonë për këtë sezon.

Jam i bindur për një rezultat pozitiv në Kavajë, pasi Elbasani tashmë nuk është ai i javëve të para të kampionatit. Ne si staf teknik kemi shumë besim te grupi i lojtarëve dhe të gjithë bashkë mund t’ia arrijmë qëllimit për të fituar, ka theksuar mes të tjerash numri 2 i stolit verdheblu, Muharrem Dosti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›