Sinani: Luftëtari ka shanse ta kalojë edhe Adën
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinani, thotë se ekipi i tij do të luftojë me mish e me shpirt për të marrë 3 pikë në Velipojë
Gjirokastritët do të jenë sot fizikisht në stadiumin e tyre për tu ndeshur në kuadër të Kupës së Shqipërisë me Kastriotin, ndërkohë që mundja u fluturon aty në veri, ku të shtunën do të ndeshet me Adën për javën e 13-të të kampionatit. Luftëtari lufton në të dy frontet, me dy formacione të ndryshme, diçka luksoze për të këtë sezon.
Me një fitore të mundshme me Kastriotin, ai ka shanse të vazhdojë edhe në turin tjetër të kupës. Kjo mund të ndodhë për faktin se ata që luajnë për kupën duan të vazhdojnë të luajnë si titullarë, qoftë dhe në ndeshjet për të sesa si zëvendësues në ndeshjet e kampionatit, ose të rrinë edhe si tifozë për formacionin tjetër.
Sinani Mbrojtësi Besmir Sinani, i cili do të luajë ndaj Adës, shprehet: Rezultatin e ndeshjes Ada-Luftëtari e presin me interes jo vetëm në Gjirokastër e Velipojë, por edhe në Lezhë, Kukës, Elbasan, Kavajë dhe Lushnjë. Është e qartë se, përveç të parës, që do të dëgjojë fitoren e Luftëtarit në radhë të parë ose edhe barazimin, të tjerët duan së pari të dëgjojnë humbjen e tij. Duke qenë kështu, e ndiejmë përgjegjësinë që kemi, ndaj do të luajmë me mish e me shpirt për të arritur më të mirën.
Është e qartë se nuk është kjo ndeshje, që do të zgjidhë enigmat e kampionatit, por rezultati i saj mund të ndikojë për renditjen e fazës së parë dhe më shumë për anën psikologjike të ekipit tonë. Ekipi ynë i ka të gjitha forcat për tiu përgjigjur si duhet forcave të Adës.
Vërtet që Ada në fushën e saj nuk është thyer plotësisht, por barazimet e saj aty janë tregues inkurajues për Luftëtarin dhe jo për të. Pra, ne shpresojmë se do të marrim atë që kërkojmë, për të cilën kemi 2 javë që përgatitemi, pavarësisht ndonjë mungese që do të kemi.
