E Diel, 1 Nëntor 2026

Dr. Thanas Fureraj: Mjekimi i strumës shmang krijimin e kokrrave të këqija të tiroides

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Tiroidja është një gjendër endokrine, që i takon të trajtohet nga endokrinologu. Është sëmundje e mirëfilltë endokrine. Trupi i njeriut ka disa gjëndra endokrine, që kanë një rol të pazëvendësueshëm në metabolizmin e njeriut. Ato sekretojnë hormone që derdhen në gjak dhe efektin e kanë në distancë. Është efekt me rëndësi jetike. Në një intervistë dhënë për lexuesit e “Ballkan”, endokrinologu i Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, Dr. Thanas Fureraj, duke shprehur së pari kënaqësinë për kulturën shëndetësore në rritje të popullatës, falë punës sqaruese të mjekëve por edhe informimit të medias, shpjegon rëndësinë që ka njohja e procesit të sistemit endokrin në shëndetin e njeriut, duke specifikuar rëndësinë e gjendrës tiroide dhe trajtimin efikas të njërës prej sëmundjeve më të përhapura, strumës (gushës siç quhet në popull).

-Doktor Thanasi, çfarë ju vjen ndër mend si shqetësim i parë, ndërsa mendoni për sëmundjen e gushës, tradicionalisht të njohur në popull?
Populli e ka quajtur gushë, ndryshe quhet dhe strumë. Gusha (struma) historikisht nuk ka patur emër fort të mirë, aq sa kohë më parë, edhe kur bëheshin fejesat, edhe kur bëheshin martesat, shihej se mos të rinjtë, djali apo vajza kishte gushë. Por sot ky mentalitet nuk është më në këto përmasa. Frika lidhej me aftësitë e riprodhimit, gjë që do të thotë se hershëm ka pasur një kulturë të tillë në popull që çmonte rolin e hormoneve të gjendrës tiroide në shumë funksione, përfshirë edhe aftësinë për të lindur.
Problemi ynë është se Shqipëria ka vuajtur dhe vuan nga sëmundja e gushës sepse është një vend që ka mungresë të jodit, është një terren i madh malor, ku varfëria e jodit është e shprehur. Për shkak se rreshjet prej mijëra vjetësh e shplajnë sipërfaqen e tokës nga jodi, sasia e tij është e pamjaftueshme në prodhimet e tokës. Por patjetër që këto rrëke ujërash derdhen në det dhe aty situata është pak më ndryshe.
-A ka ndonjë mënyrë, që të merret sasia e duhur e jodit, pa ardhr në gradën që quhet sëmundje?
Eksperienca botërore na mëson, që ka mjete për ta parandaluar zhvillimin e strumës. Bëhet fjalë për një problem që bota e ka kaluar jo sot por para 100 vjetësh dhe më shumë. Bota e ka shtuar në mënyrë suplementare jodin në produktet e përditshme si përshembull, në kripë. Kjo quhet kripë e jodizuar dhe ky është jod i shtuar në mënyrë industriale.
-Por përveç kripës së gjellës, ku e gjejmë tjetër jodin, nëse mundet dhe për sa jod janë nevojat tona ditore?
Ne nuk e gjejmë, ajo është e shtuar në kripën e gjellës. Rrugë tjetër që ka përdorur bota është duke e injektuar në rrugë vajore, kapsula jodi. Ne në mënyrë natyrale e marrim jodin nga uji i pijshëm, por kjo sasi jodi nuk na mjafton. Nga ana tjetër, ne nuk mund ta jodizojmë ujin se është praktikisht e pamundur, për shkak të sasisë shumë të madhe. Edhe buka mund të jodizohet, por është më e vështirë sepse prodhimi nuk është i centralizuar, ndryshe nga kripa. Njeriut i nevojitet rreth 150 mikrogram në ditë jod. Që të përmbushet kjo sasi, jemi të detyruar ta marrim në mënyrë të shtuar.
-Si paraqitet sëmundja e strumës tek popullsia bregdetare, ku ka një jodizim të tokës?
Popullsia e bregdetit nuk është pa struma, por ato janë më të pakta dhe më tëe vogla si madhësi. Arsyeja është se edhe në zonat bregdetare uji i pijshëm është po ai, sidomos me futjën në konsum të ujit të paketuar, të gjithë konsumojnë të njëjtin ujë. Ndërsa pjesa më e madhe e jodit merret nga uji, një pjesë e vogël e tij merret edhe nga drithërat, por nga drithëra që rriten në bregdet- vende të pasura me jod. Produktet e detit po ashtu përmbajnë jod dhe dihet që popullsia bregdetare konsumon më tepër peshk. Sidoqoftë, ne jemi vend strumogen, kemi struma të cilat duhet të zgjidhen me profilaksi si në vendet e tjera.
-Ka mosha të predispozuara për zhvillimin e strumës? Kur nis ajo?
Mosha e rritjes është mosha kur nis të shfaqet struma. Ajo fillon në përgjithësi që nga mosha fëminore, sidomos në pubertet. Bashkë me fillimin e menstruacioneve tek vajzat, nis të humbasë edhe një pjesë e jodit nga organizmi.dhe që këtu kërkohet kujdesi. Mjekët e shkollave zakonisht i sjellin fëmijët këtu në spital për ti kontrolluar për strumën. Por kjo praktikë duhet të bëhet rregull i përgjithshëm. Të mos shpëtojë asnjë fëmijë pa u vizituar për strumën. Zakonisht sëmundja e tiroides prej mungesë ssë jodit fillon që në fëmijëri.
-Ku kuptohet një fëmijë, nëse tek ai ka nisur të zhvillohet struma? Nga mund të nisë dyshimi për ta drejtuar tek mjeku? Është pamja e jashtme, ndonjë ndryshim në të folur apo shqetësim tjetër?
Duhet të sqarojmë një gjë: Strumat e thjeshta nuk kanë klinikë. Ato nuk quhen sëmundje. Në fillim kemi një rritje të lehtë të volumit të strumës, gradualisht me shtimin e nevojave për jod të organizmit. Por në përgjithësi, fëmijët shqiptarë kanë pak më shumë gushë se sa duhet. Duhet të keni parasysh se tiroidja e një njeriu duhet të jetë afërsisht sa thoi i dorës dhe këto as nuk duken kur goditesh, as nuk preken kur e viziton. Rritja dhe dukja e tiroides tregon se ajo është e gradës së dytë dhe në këto raste ajo duhet mjekuar herët.
-Sa përqind e njerëzve kanë strumë apo gushë të gradës së dytë dhe çfarë problemesh sjell ajo në këtë gradë?
Ne shohim një numër rastesh të konsiderueshme, por depistime tek ne nuk janë bërë. I fundit ka qenë 30 vjet më parë, një depistim në mbarë Shqipërinë, sidomos në zonë verilindore. Sëmundjet e gradës së parë dhe të dytë janë të shpeshta, por në atë kohë ne gjenim edhe struma të gradës së tretë, që është jo vetëm rritje voluminoze, por jep edhe shenja klinike të shtypjes, vështirësi në frymëmarrje, për shkak të volumit të strumës. Në përgjithësi, ajo jep shqetësime në frymëmarrje, kur është jo vetëm e madhe, por edhe në vendin e papërshtatshëm, kur është e zhytur poshtë. Aty ajo bën presion. Pra, kur nuk kemi sëmundshmëri, bëhet fjalë për strumën e thjeshtë. Problemi i strumës nuk qëndron vetëm tek rritja në vetvete, por sepse nga mungesa kronike e jodit, nis dhe ndryshon strukturën brenda tiroides. Ehe kur nisin ndryshimet strukturore në tiroide, nisin të shfaqen nodujt e tiroides (kokrrat). Duhet patur kujdes sepse këto duhen diferencuar- ka disa noduj që janë të ftohtë, e ka midis tyre një përqindje me natyrë jo të mirë, që paraqesin forma kanceroze. Fakti që ne shikojmë struktura modulare, tregon që tiroidja ka filluar të vuajë. Kur vuajtja e tiroides për jod është kronike, çon në këto lloje ndryshimesh strukturore: në noduj të nxehtë, të ftohtë, në kiste e me radhë.
-Dy fazat e para, a kanë nevojë për mjekim?
Në fazën e parë, është mirë që të bëhet profilaksi. Por kur fillon struma dhe zhvillohet, do mjekim. Mjekimi i tyre nis zakonisht në fazën e tretë, por edhe gradën e parë e të dytë e mjekojmë, duke i dhënë hormon të gatshëm tiroides. Ne e vëmë në qetësi tiroiden. T4 ose letroks quhet dhe levotiroksinë. Hormoni T4 që japim për mjekimin e strumave, ka për qëllim ta lërë tiroiden të qetë, të mos e ngacmojë nga pikëpamja hormonale dhe struma të ikë gradualisht vetvetiu. Kur japim hormon, japim edhe kompensim me sasi suplementare të jodit, që struma të mos ketë tendencë për të degjeneruar në noduj.
-Çfarë roli kanë hormonet e tiroides dhe cilat janë pasojat e çekuilibrimit të pasqyrës hormonale të kësaj gjendre?
Tiroidja prodhon hormonet T4 dhe T3. Të dyja janë shumë të rëndësishme në metabolizëm, sepse aktiviteti i qelizës indore është i paimagjinueshëm pa praninë e hormonit tiroiden. Hormonet kanë disa detyra për të kryer, sepse pa to prishet funksioni metabolik i qelizës dhe ju do të shihni që kur mungojnë hormonet, shfaqet një sëmundje që quhet miksedemë ose hypotirozë, e cila po nuk u mjekua, i sëmuri përfundon fatalisht. Tiroidja prodhon më pak hormone, pas operimit, kur është bombarduar me ndonjë reaktiv, kur ka defekte të sintezës hormonale të saj të lindura, kur ka anomali kongenitale të lindura, etj. Hormoni duhet të kompensohet, përndryshe i sëmuri mund të përfundojë me prapambetje mendore të shprehura.
-Më shpejt dhe më shumë shfaqen rastet e prodhimit të pakët të hormonit të tiroides apo të mbiprodhimit të tyre?
Shqetësuese janë të dyja sëmundjet dhe duan mjekim, varet nga faza si rëndesë. Prodhimi i tepruar haset më shpesh në popullatë. Gjithë problemi nis atje ku e nisëm, tek mungesa e jodit. Por ka edhe forma të rralla që nuk varen prej saj, si sëmundja autoimune që ka të bëjë me antikorpet, por edhe kjo është e shrehur në vendet ku ka struma të mëdha si Shqipëria.
-Çfarë shqetësimesh ndjen pacienti?
Kur ka strumë të thjeshtë, pacienti nuk ndjen ndonjë shqetësim. Kurse kur janë struma të mëdha dhe sidomos zhytëse, nisin pengesat në frymëmarrje. Ndërsa, nëse ka ndryshim të funksionit, shfaqen një seri sëmundjesh që kanë secila shenjat përkatëse.
-A mund të dëmtojë struma kordat vokale sidomos tek personat që këndojnë?
Kjo varet nga volume i strumës, nëse ështe e përmasave të mëdha, ndikon. Kur fillon kompresioni, ndikon patjetër.
-Pse në popull ka një frikë për këtë lloj sëmundshmërie, kur e kanë persona të cilët do të martohen?
Problemi i strumave patjetër që lidhet e aftësitë riprodhuese. Përshembull, hipotiroza ndikon tek shtatzania. Mbiprodhimi i tiroides rrezikon jo koncepsionin, por lindjet. Tek djemtë, hypotiroza (prodhimi më i pakët i hormoneve, ka ndikim tek aftësia fekonduese. Por, në përgjithësi, struma nuk ndikon në atë mënyrë dhe masë sa njerëzit të shqetësohen për riprodhimin. Një nga format e strumës, sëmundja e Bazodovit ka një bazë trashëgimie në mes.
-Hormonet që jepni ju, kanë efekte anësore?
Absolutisht jo, Hormoni jodizues nuk ka asnjë lloj efekti anësor, mjafton të merret si duhet, të mbahet aty ku duhet. Por do kontrolle të rregullta. 2-3 herë në vit pacienti duhet të bëjë analizën e hormoneve për të parë nivelin, a është normal. Nëse i sëmuri i mban nën kontroll, bën jetë normale pa asnjë lloj kufizimi.

Hipotiroza dhe hipertiroza, si manifestohen

Hipotiroza favorizon shtimin e peshës, për shkak se ul koeficientin e djegies së kalorive. Pra ulet metabolizmi dhe personi hipën mbi peshë pa shtuar ushqimin dhe pa ulur aktivitetin, në të njëjtat kushte. Përgjithësisht, personave obezë u kërkojmë të bëjnë një TSASH -analizë hormonale, se mos ka hipotirozë që mund të mos jetë e rëndë, por një formë e lehtë dhe pacienti klinikisht mund të mos ketë shqetësim. Një hipotirozë mund të ketë një grua që ka shqetësim të menseve. Atëherë duhet të na shkojë mendja për një hipotirozë. Ose një person që ankohet për konstipacion (kapsllëk), ndjenjë të ftohti, shtim ne peshë, një lloj mungese të lehtë apo më saktë, ngadalësim të të folurit, mund të kenë edhe ndonjë harresë të shpejtë, të paktën kështu i duket pacientit, pasi në fakt ka një ulje të aktivitetit mendor.
Ndërsa hiperfunksioni i tiroides është më i shprehur sepse ai rrëzon shpejt shumë kilogramë, plus që pacienti ka dridhje, djersitje, çrregullime të gjumit, ndërkohë që rënia e peshës dhe debulesa e madhe janë në një terren ku i sëmuri ushqehet, madje mund edhe të mbiushqehet duke pasur oreks të shtuar.

Medikamentet

Mjekimi që ndihmon punën e enzimave për lëvizjen e gazeve
Janë të nevojshme për të ndihmuar reduktimin e simptomave duke përfshirë antiacidet me simetikone dhe karbon aktiv. Po kështu, enzima digjestive si suplementet e laktozës ndihmojnë digjestionin e karbohidrateve dhe mund të lejojnë njerëzit të konsumojnë normalisht ushqime që shkaktojnë gaz. Antiacidet si Maalox II, Di-gel, Maalox plus përmbajnë simetikone i cili është një agjent shkumëzues që bashkon fluskat e gazit në stomak duke ndikuar që ky gaz të jetë më i lehtë për tu nxjerrë. Megjithatë, këto medikamente nuk kanë efekt në gazin intestinal (që ndodhet në zorrë). Doza e rekomanduar është 2-4 lugë e preparatit me simetikon ½ - 2 orë pas ushqimit. Tabletat e karbonit aktiv mund të japin përmirësim të gazrave në kolon. Studimet kanë treguar se kur merret para dhe pas ushqimit, karboni aktiv çon në reduktim të gazrave. Dozat e rekomanduara janë 2-4 tableta para ngrënies dhe 1 orë para ushqimit. Enzima laktaze që ndihmon digjestionin e laktozës është e vlefshme dhe gjendet në formë lëngjesh ose tabletash si Lactacid, Lactrazë. Mjeku mund të përshkruajë medikamente që ndihmojnë reduktimin e simptomave, veçanërisht për persona me çrregullime të motilitetit intestinal siç është IBS ( sindromi i zorrës së irrituar). Medikamentet prokinetike si metoclopramidi (reglan), cisapride (prepulsid) mund të lëvizin gazin nga trakti gastro-intestinal me shpejtësi. Gjithashtu, mjeku mund të sugjerojë rrugët për reduktimin e ajrit të gëlltitur dhe këto përfshijnë eleminimin e çamçakizave, eleminimin e cigareve, ngrënien e ngadaltë dhe eleminimin e ushqimeve të sheqerosura.

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›