E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, takimi Hrushov-Teh Huai acaroi marrëdhëniet BS-Kinë

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Londër, 8 janar 1962 – Shkalla dhe zemërimi i konfliktit kino-sovjetik nuk kuptohet ende plotësisht në Perëndim, edhe pse tashmë bëhen pothuajse dy vjet që kur ai arriti pikën kulmore të tij. Që prej atëherë, ndarja ka paralizuar virtualisht marrëdhëniet vëllazërore mes dy fuqive të mëdha komuniste, ndërsa ka ngatërruar politikat e tyre të jashtme dhe ka pështjelluar bashkëpunimin e ngushtë të partive komuniste vëllazërore kudo në botë. Fushata e polemikës së përbashkët dhe intrigës i është referuar tërthorazi komunistëve të tjerë, në rastin më të mirë ka irrituar dhe në rastin më të keq është konsideruar si e pakuptimtë për skeptikët. Një nga rezultatet e kësaj polemike është se ne po humbasim shpalosjen e asaj që mund të quhet fare mirë një dramë e madhe epokale, ndarja e Internacionales Komuniste. Një tjetër rezultat i këtij konflikti është se vëzhguesit e afërt të kësaj drame kanë qenë shumë të vendosur për të demonstruar se ajo ekziston dhe se ata nuk kanë pasur kohë për të spekuluar se si ajo erdhi, përse po vazhdon, ku po zhvillohet dhe akoma më thjesht, kush saktësisht po konfliktohet në të. Problemet kryesore mes dy antagonistëve janë të mirënjohura, por ajo çka nuk ka qenë asnjëherë e qartë është nëse sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, e ka të gjithë Partinë Komuniste Sovjetike me vete apo jo. Në Kongresin e 22-të të Partisë në tetorin e vitit të shkuar, kishte shumë shenja që tregonin se sulmi i vrullshëm i tij kundër qëndrimit të Mao Ce Dunit i habiti të gjithë, jo vetëm kinezët, të cilët braktisën sallën, por dhe shokët sovjetikë. Ai i habiti këta të fundit jo vetëm me sulmet ndaj kinezëve, por dhe me kritikat ndaj grupit antiparti që Hrushovi bëri ndaj shokëve të pabindur në shtëpi. Një dritë retrospektive mbi këtë situatë të errët është hedhur në një artikull të Dejvid Çarls për çështjen aktuale të tremujorit të fundit ekonomik të Kinës. Ky artikull, përveçse konfirmon një marrëveshje të asaj që tashmë është konfirmuar e zezë mbi të bardhë, thotë dhe disa gjëra që të kujtojnë rolin e udhëheqësit sovjetik në zhvillimet e fundit të këtij konflikti. Ai përmend me emër Hrushovin dhe ministrin e fundit kinez të Mbrojtjes, marshallin Pen Teh Huai. Marshalli kinez, një anëtar i lartë Byrosë Politike Kineze, i dorëzoi partisë së tij më 1959 një memorandum të hollësishëm, i cili nuk ishte asgjë më pak se një sulm gjithëpërfshirës për të gjithë politikën e Mao Ce Dunit. Memorandumi ishte mbi të gjitha një sulm ndaj Hapit të Madh Përpara, komunave, dhe organizimit të ushtrisë, duke përmendur në mënyrë të veçantë strategjinë bërthamore. Pen Teh Huai u arrestua gjatë fushatës së spastrimit të madh të “oportunistëve të krahut të djathtë”, të cilët u ulën në gradë dhe u dënuan me një periudhë intensive “riindoktrinimi” në rrethanat më poshtëruese të mundshme. Ajo çka është interesante është fakti që fjalët e përdorura në kritikën e tij ishin shumë afër linjës së atyre të Hrushovit. Ministri kinez i Mbrojtjes në atë kohë, Pen Teh Huai, i cili ishte duke e vizituar Shqipërinë në të njëjtën kohë, paralelisht me Hrushovin, shprehu mbështetjen e Pekinit për propozimin e udhëheqësit sovjetik... “Ne jemi plotësisht dakord me shokun Hrushov, i cili kohët e fundit është shprehur se Gadishulli i Ballkanit duhet të jetë një gadishull paqeje”, - tha anëtari i Byrosë Politike Kineze. Perëndimi në këtë kohë nuk e ka pasur krejtësisht të qartë axhendën e udhëheqësit sovjetik dhe aq më të mjegullt dhe programin e dy udhëheqësve të tjerë komunistë në vendin më të vogël dhe të izoluar komunist, në momentin kur dhe afati i 27 majit për zgjidhjen e çështjes së Berlinit skadoi. Çarlsi në artikullin e tij shton se marshalli Teh Huai, në fakt ia kishte treguar memorandumin e tij Hrushovit në Tiranë, maj 1959, gjatë vizitës së tyre në Shqipëri. Detajet e kësaj lidhjeje janë ende të paqarta. Nuk është ende e sigurt për shembull nëse Mao Ce Duni e zbuloi këtë veprim tradhtie përpara apo pas arrestimit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Por ai kishte informacion të mjaftueshëm për të pasur këtë qëndrim të ashpër të kinezëve ndaj Hrushovit, pasi ky i fundit ishte kapur duke futur hundët në çështjet e një vendi tjetër. Nga ajo çka del në shesh është një problem shumë i madh. A jemi ne dëshmitarë të një lufte të drejtpërdrejtë mes Bashkimit Sovjetik dhe Kinës? Apo ne po shohim një luftë të përbashkët mes Hrushovit dhe Mao Ce Dunit, thjesht si individë, me qëllim që të rrëzojnë njëri-tjetrin? A i shpjegon kjo sadopak taktikat e forcës së udhëheqësit sovjetik gjatë Kongresit të 22-të të Partisë? Çarlsi hedh pakëz dritë kur na thotë se pak ditë pas pritjes së përzemërt të marshallit Pen nga Hrushovi në Tiranë, ai kishte pasur dhe një takim disi të ftohtë në Moskë me komandantin më të vjetër të Ushtrisë Sovjetike, marshallin Kirilis Moskalenko. Por sido që kjo të ketë qenë, ekziston perspektiva e një hapjeje të re përpara syve tanë. Ne kemi qenë të gjithë për një kohë të gjatë shumë të ndërgjegjësuar se komunistët në një shoqëri borgjezie shfaqin besnikërinë e tyre më të lartë në shërbim të Moskës dhe nuk e konsiderojnë veten si tradhtarë kur për shembull ata punojnë për Kremlinin kundër Perëndimit. Incidenti me marshallin kinez Pen Teh Huai brenda strukturës së madhe të konfliktit kino-sovjetik, sugjeron se komunistët në një shoqëri komuniste nuk mund të jenë imunë ndaj së njëjtës sëmundje.
Ky lajm është publikuar: 23/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›