E Diel, 1 Nëntor 2026

Anesti Kondili: Të jetosh pas një infarkti, mundësitë që sjell informimi

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Prof. Anesti Kondili është themelues dhe drejtues i Shërbimit të Reanimacionit të Kardiologjisë të QSUT ”Nënë Tereza”, pedagog prej mbi katër dekada në Fakultetin e Mjekësisë, autor i mjaft teksteve për studentët e këtij Fakulteti, autor i disa monografive dhe disa dhjetëra artikujsh të botuar në revistat e vendit dhe të huaja, pjesëmarrës në dhjetëra kongrese e simpoziume të vendit dhe ndërkombëtare. Ai sjell në këtë intervistë për lexuesit e gazetës, aspektin njohës për infarktin, diagnoza më e rëndë ndër sëmundjet e zemrës. E megjithatë, edhe për këta të sëmurë ka shpresa të mira për të mbijetuar, nëse ndërmarrin veprimet e duhura në kohën e duhur dhe u vënë rëndësi shenjave të infarktit. Po ashtu, një grup tjetër këshillash do të shërbejnë për atë pjesë të njerëzve që nuk kanë pësuar infarkt, por kanë faktorët e riskut.

-Infarkti jo vetëm si fakt, por edhe si mendim i shkuar ndër mend shkakton panik. Le të marrim me mend panikun që kap një person që gjendet në atë situatë… Në fakt, a mund të shmanget ky lloj paniku, për të bërë më të mirën për daljen nga gjendja?
Eshtë një pyetje e nisur nga fundi
Pyetja është mjaft interesante në ndërtimin e saj sepse ka dy elemente si panikun e shkaktuar nga nocioni i sëmundjes së infarktit ashtu edhe mundësinë e shmangies së këtij paniku. Në të vërtetë çdo person, familjar apo i afërm i personit që mendohet se ka pësuar një infarkt përfshihet nga paniku që përligjet jo vetëm nga situata e rëndë që ndeshet, me shenjat e infarktit e në radhë të parë, me dhimbjen e fortë të gjoksit, por edhe nga fakti sepse janë të njohura ndërlikimet e rënda të kësaj sëmundjeje sidomos në fazën akute, që arrijnë deri në vdekjen e papritur, pra në përfundimin fatal të të sëmurit .Nga ana tjeter, duke pasur parasysh arritjet që janë bërë në fushën e shkencës mjekësore, të propogandës së gjerë me anën e medias televizive apo të shkruar sikurse po bëni ju me këtë intervistë, është e mundur që të krijohet një situatë jo pesimiste në vlerësimin e kësaj sëmundjeje. Sepse, nëse kapet në kohë, mjekohet shpejt dhe korrekt duke aplikuar arritjet e mëdha të shkencës, mund të shmangen ndërlikimet vdekjeprurëse dhe të shpëtohet jeta e të sëmurit. Por, që të arrihet kjo, duhet njohur sëmundja, duhet familjarizuar opinioni publik me këtë situatë dhe duhen mësuar dhe zbatuar masat e domosdoshme kur ndodhemi para një gjendjeje të tillë.
-Profesor Anesti, sëmundjet e zemrës sa të përhapura janë në popullatën shqiptare dhe a është e lartë incidenca e infarktit?
Sëmundjet e zemrës zënë vendin e parë në numrin e përgjithshëm të sëmundjeve si dhe në nivelin e përgjithshëm të vdekshmërisë. Mund të përmendet se vendin e parë në vdekshmëri e zë sëmundja e arterieve koronare (41%), duke lënë pas kancerin (23%) sëmundjet e aparatit të frymëmarjes(10%), etj. Në dekadat e fundit është konstatuar një rritje e numrit të këtyre sëmundjeve. Edhe në vendin tonë, këto sëmundje dhe në veçanti, infarkti i miokardit zënë vendin e parë, si përsa i përket sëmundshmërisë, ashtu edhe vdekshmërisë, duke qenë pothuaj i njëjtë si në vendet e zhvilluara.
-Doktor, a mund të ndodhë nje infarkt tek një person i shëndoshë, që nuk ka vuajtur nga zemra? Pra, a mund të ketë infarkt të papritur, të lidhur me një gjendje ankthi, nga një situatë e papritur nervore, një dëshpërim, një sforcim fizik shumë i madh, etj?
Infarkti i miokardit nuk mund të ndodhë në një zemër të shëndoshë. Ai zhvillohet në një terren ku ka zhvillim të arterosklerozës së enëve koronare, që furnizojnë zemrën me gjak Nëse vlerësojmë faktin, nëse i sëmuri ka ndjerë shqetësime përpara se të ndodhi infarkti apo jo, mund të thuhet se infarkti në pothuaj gjysmën e rasteve mund të zhvillohet në persona qe nuk kane ndjerë asnje shqetesim përpara, ndonëse në të vërtetë ata kanë arterosklerozë në enët koronare. Në shfaqjen e sëmundjes njihen faktorët shpërthyes si p.sh.një ushtrim i rëndë, i pazakontë fizik apo një stres emocional i theksuar si ai që shkaktohet nga zemërimi, mund të iniciojë çarjen e pllakës arterosklerotike duke çuar drejt infarktit. Shkak shpërthyes mund të shërbejë gjithashtu, ushqyerja ose pija alkoolike e tepruar.
-A keni hasur ju profesor gjatë punës suaj shumëvjeçare raste infarktesh tek persona që nuk e kanë ditur se kanë një zemër me probleme?
Sikurse përmendëm më sipër, shumë raste me infarkt ndodhin tek persona që nuk kanë pasur më përpara shqetësime, pra që e kanë konsideruar veten të shëndoshë. Raste të tilla kemi ndeshur shpeshherë në praktikën tonë të përditshme, prandaj duhet bërë një punë e madhe depistuese që fillon me evidencimin dhe luftimin e faktorëve të rrezikut. Fakti që infarkti i miokardit është bërë problematik në të gjithë botën, prej disa dhjetëvjeçarësh në luftën kundër tij u mobilizua jo vetëm shkenca mjekësore, por edhe shkencat e tjera si elektronika, kimia, biokimia etj. duke shënuar në mënyrë të pandalshme arritje të mëdha si në diagnostikimin apo depistimin, ashtu edhe në mjekimin e saj. Këto arritje janë shënuar edhe në kardiologjinë tonë.
-A ka një rritje të rasteve me këtë sëmundje ? -Kemi dëgjuar per shtimin e rasteve te infarkteve tek moshat e reja. Si shpjegohet kjo paraqitje ne mosha te reja?
Infarkti i miokardit dhe sëmundja aterosklerotike koronare në përgjithësi ka pasur një rritje në dekadat e fundit. Kështu konstatohet se arteroskleroza e koronareve prek jo vetëm moshat mbi 50 vjeç, por edhe ato më të reja, 30-40 vjeçare, duke u bërë kështu mjaft shqetësuese për familjen dhe shoqërinë, pasi kuptohet që kjo moshë është mosha e përgjegjësive më të mëdha sociale, familjare dhe shoqërore .Gjithashtu, vihet re një rritje e rasteve të infarktit në seksin femër, madje edhe në moshën para menopauzës.
Ritja e numurit të rasteve të infarktit në popullatë, në përgjithësi mund të lidhet edhe me faktin se tani njerëzit po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për rëndësinë dhe rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje dhe i drejtohen më shpesh mjekut për ndihmë. Aktualisht ka një prani më të madhe të faktorëve të rrezikut në popullatë, të cilët ndikojnë në zhvillimin e arterosklerozës koronare.
Fjala është këtu për brezin e dekadës së katërt dhe akoma më të vogël dhe kjo është shqetësuese si në të gjithë botën ashtu edhe në vendin tonë. Në praktikën tonë klinike shohim gjithnjë e më shpesh raste te tilla dhe kjo duhet të përbëjë një motiv për të ngritur alarmin në ambjentet tona nëpërmjet medias, përfshirë edhe asaj të shkruar dhe gjej rastin të përshëndes nismën e gazetës suaj që i ka kushtuar një rubrikë të veçantë kujdesit shëndetësor duke tërhequr vëmendjen e lexuesve për të njohur aspekte të mjekësisë së vulgarizuar, për ta bërë atë të vetëdijshëm për përpjekjet që duhet të bëjë secili për mbrojtjen e shëndetit të tij, të familjes dhe më gjerë.
-Shpesh thuhet se tensioni arterial i lartë është një rrezik i madh për zemrën. Përse?
Mbase është më e udhës të flasim jo vetëm për hipertensionin si faktor rreziku, por për disa faktorë që predispozojnë zhvillimin e arterosklerozes dhe rrjedhimisht të infarktit të miokardit Ndër to mund të përmenden faktorë të pandikueshëm si mosha dhe seksi. Arteroskleroza koronare rritet mjaft me moshën. Megjithatë, shpeshherë në mosha të thyera nuk janë gjetur dëmtime arterosklerotike, ndërkohë që ato janë zbuluar tek persona të tjerë në mosha mjaft të reja. Meshkujt janë më të predispozuar sesa femrat deri në periudhën e menopauzës pas së cilës tek seksi femër rritet rrezikshmëria. Nga faktorët e rrezikut që janë të modifikueshëm mund të përmenden çrregullimet e metabolizmit të yndyrnave të cilat lidhen si me faktorin gjenetik, ashtu edhe me marrjen e tepruar të yndyrnave me ushqim, sidomos yndyrnave të saturuara (në përgjithësi me origjinë shtazore) si dhe përdorimi i duhanit. Një vend të veçantë zë hipertensioni arterial, i cili shton rrezikun për shfaqjen e arterosklerozës koronare ndaj ai duhet mjekuar me kujdes. Po ashtu, duhet përmëndur diabeti i sheqerit që kohët e fundit haset më shpesh dhe duhet luftuar gjithashtu me kujdes, si me dietë ashtu dhe me medikamente. Ndikojne edhe jeta stresante, dhjamosja, etj.

Shkaqet e infarkteve në moshat e reja

“Sot, si kudo në botën perëndimore, edhe tek ne nuk janë të rralla rastet e infarktit akut të miokardit në mosha të reja. Kjo lidhet me shkaqe të ndryshme, por shkurtimisht mund të përmblidhen në praninë tek këto subjekte njëkohësisht të disa faktorëve të rrezikut, të cilat bëjnë të zhvillohet shpejt sëmundja arterosklerotike e koronareve. Interesante është dukuria, që përmendët ju për infarktin tek gratë me moshë të re. Në praktikën tonë ne kemi hasur infarkte tek gratë në moshë të re, por që kanë pasur një menopauzë të hershme ( natyrale apo artificiale- pas operacioneve të heqjes së organeve të riprodhimit, përfshirë ovaret). Por ka dhe raste, ndonëse të rralla, të zhvillimit të infarktit tek një grua e re, që ka një cikël normal të periodave, pra infarkti ndodh në një situatë jo të zakontë. Në këtë rast duhen kërkuar shkaqet e tjera të sëmundjes si: spazma koronare apo çrregullimet metabolike më të thella. E rëndësishme për këtë dukuri, mendoj se është mesazhi që duhet përcjellë, jo për alarm por për të rritur vëmendjen e njerëzve për rrezikun e shfaqjes së kësaj sëmundjeje, duke mos përjashtuar siç bëhej zakonisht më parë, seksin femër në këtë moshë , për më tepër kur nuk ka çrregullime hormonale.”Kështu thotë prof. Kondili.

Profesori shpjegon shenjat paralajmëruese të infarktit dhe sëmundjet me të cilat ngatërrohet

Stop arterosklerozës koronare, për të ndalur infarktin

Prof. Anesti Kondili: “Ju tregoj rastet e punës sime në Reanimacionin e Kirurgjisë”

-Vazhdon
-Ndoshta do të ishte mirë, që të kishim pyetur që prej fillimit, se çfarë është një infarkt dhe si shkaktohet ai?
Infarkti i Miokardit përcaktohet si një nekrozë e muskulit të zemrës, si pasojë e një ishemie të zgjatur regionale nga mbyllja e menjëhershme e arteries koronare. Në rreth 90% të rasteve, infarkti i miokardit ndodh në njerëz me arterosklerozë të arterieve koronare. Një pllakë arterosklerotike mund të pësojë një çarje mbi të cilën ndodh ngjitja e trombociteve (që janë elemente në gjak) dhe në kombinim me fibrinën, hapësira e arteries koronare fillon të mbyllet (krijohet tromb). Mbyllja e saj ndalon kalimin në të të gjakut duke shkaktuar kështu nekrozen ose vdekjen e muskulit të zemrës në atë zonë që furnizohet nga kjo arterie e mbyllur. Pra, ndodh infarkti i miokardit me të gjitha pasojat e rënda që vijnë më pas.
- Nëse shfaqet infarkti, çduhet të bëjë i sëmuri dhe a mund të arrijë të jetojë gjatë një person që ka pësuar infarkt apo parainfarkt?
Çdo i semurë me dyshim per infarkt apo me infarkt të sigurtë duhet të shtrohet sa më shpejt në spital, në qendrat e reanimacionit, sepse në këto raste nevojitet një vëzhgim më i afërt nëpërmjet të cilit mundësohet zbulimi në kohë i ndërlikimeve të sëmundjes të cilat janë të shpeshta në orët dhe ditët e para dhe që mund të jenë fatale nëse nuk jepet ndihma. Nga përvoja e punës në shërbimin e reanimacionit të kardiologjisë mund të tregojmë për mjaft raste, që janë shtruar aty dhe që në ditën e parë, madje që kur janë paraqitur në ambulancën e urgjencës së spitalit me diagnozën e infarktit akut të miokardit, kanë shpëtuar nga vdekja klinike që u është zhvilluar si ndërlikim i infarktit. Pasi kanë marrë ndihmën e menjëhershme nga mjekët apo personeli i mesëm i kualifikuar i shërbimit, nëpërmjet goditjes së jashtme elektrike të zemrës dhe zbatimit të masave të tjera të mjekimit të urgjencës, janë shpëtuar disa dhjetëra çdo vit Kuptohet që ka pasur edhe raste vdekjeje, të cilat lidhen me përmasat e mëdha të infarktit dhe pamundësinë e zemrës për të realizuar funksionin pompë të gjakut. Megjithatë, mund të themi se nëse vdekshmëria në vitet 80 nga infarkti akut i miokardit ka qenë rreth 25%, aktualisht ajo është rreth 10% duke u afruar me shifrat që jepen në vendet e tjera të përparuara.
Duhen dalluar rekomandimet që jepen për njerëzit në përgjithësi, pa ditur nëse vuajnë nga kjo sëmundje, ku sikurse i përmendëm edhe më lart, të rëndësishme janë lufta kundër faktorëve të rrezikut të arterosklerozës koronare, pra lufta kundër përdorimit të yndyrnave shtazore, kundër duhanit, hipertensionit arterial, diabetit të sheqerit, dhjamosjes, jetës sedentare etj. Ndërsa të sëmurët që kanë kaluar një infarkt miokardi apo që kanë kryer procedura invazive ( dilatacione të koronareve me vendosje stenti në to, apo ata që i janë nënshtruar operacionit të urëzimit aortokoronar) duhet të zbatojnë rekomandimet e përgjithshme , mjekimin e caktuar që lufton anomalitë e metabolizmit të yndyrnave apo diabetit, mjekimet me betabllokues apo antiagregues për të mbajtur të “holluar” gjakun etj. Përveç këtyre, dëshiroj të veçoj një këshillë që gabimisht nuk vlerësohet sa duhet. Kjo i takon rekomandimit për një konsultim periodik tek specialisti apo mjeku i familjes, për të vlerësuar situatën pas operacionit, sepse duhet kuptuar që zemra e këtyre të sëmurëve është mjekuar, por nuk është kthyer në një zemër të re .

-A mundet që pas kalimit të infarktit, zemra e atij personi të jetë njësoj si para infarktit, pra, të mos ketë vdekje të ndonjë pjese të muskulit të zemrës?
Eshtë e kuptueshme që nga ana strukturale, zemra që ka kaluar infarkt miokardi nuk mund të jetë si më parë. Po ashtu edhe nga ana funksionale, në varësi të përmasave të infarktit që ka kaluar. Megjithatë, një person që ka kaluar infarkt është i aftë të rifillojë aktivitetin e punës, volumi i të cilës do të përcaktohet pasi ai të ketë bërë një bilanc të funksionit të zemrës , pranisë apo jo të ndërlikimeve të vonshme të infarktit, kushteve të rehabilitimit që ka bërë. Rifillimi i aktivitetit të punës, përfshirë dhe atë me ngarkesë fizike duhet të bëhet duke respektuar me rigorozitet mjekimet, dietën, programin e reabilitimit dhe konsultimin periodik mjekësor. Në fund të fundit mund të thuhet se një i sëmurë që ka kaluar infarkt mund të ushtrojë aktivitetin e punës në përputhje me mundësitë që ka zemra pas kalimit të infarktit. Kjo përcaktohet në konsultim me mjekun specialist, i cili mund të rekomandojë një sërë ekzaminimesh informative si prova ushtrimore, ekokardiografia , etj .

-Cilat janë shenjat që na drejtojnë të dallojmë se një person po kalon një gjendje infarkti? A mund të ngatërrohen këto shenja me shenja sëmundjesh të tjera si krizat e panikut, krizat e stomakut, reumatizma, problemet e frymëmarrjes etj?
Shenja kryesore e infarktit akut të miokardit është dhimbja në gjoks , sidomos ajo mbrapa dërrasës së kraharorit. Dhimbja është e karakterit shtrëngues apo si peshë në gjoks. Ajo është me intensitet të ndryshëm, e fortë, madje hera- herës e patolerueshme. Zakonisht zgjat më shumë se 30 minuta, shpesh disa orë. Ajo është me lokalizim prapa dërrasës së kraharorit , përhapet shpesh në të dy anët e pjesës së përparme të gjoksit, me mbizotërim në anën e majtë. Shpesh përhapet në nofullën e poshtme, krahun e majtë, në dorë dhe gishta. Nuk lehtësohet nga marrja e trinitrinës dhe shoqërohet me djersë dhe me një ndjenjë frike. Dhimbja zakonisht qetësohet me përdorimin e morfinës. Ndodh që dhimbja të lokalizohet edhe në vende të tjera si në rajonin e stomakut dhe shoqërohet me të përziera apo të vjella duke u bërë shkak për të gabuar në vlerësimin e saj. Kështu mund të ndodhë që ajo të interpretohet si e shkaktuar nga helmimi ushqimor dhe i sëmuri shkon gabimisht në spitalin infektiv apo të ngatërrohet me atë të kolecistitit akut, gastritit, sëmundjes ulceroze ose sëmundjes akute kirurgjikale dhe të drejtohet po gabimisht për ndihmë tek specialisti kirurg. Shenja të tjera mund të jenë edhe vështirësia në frymëmarrje apo edhe ekstremi i të keqes, vdekja e papritur, që duhet të njihet jo vetëm nga mjekët, por edhe nga çdo njeri për të dhënë ndihmën e parë të ringjalljes zemër- mushkëri kudo që të ndodhë kjo situatë vdekjeprurëse. Ka gjithashtu raste, që infarkti vjen pa paralajmërim dhe ndonjëherë pa ankesa evidente, sidomos tek diabetikët. Ai mund të jetë plotësisht i fshehtë dhe zbulohet nga një ekzaminim i rastësishëm ose shfaqja e një ndërlikimi si dobësia e punës së zemrës, aritmitë e rënda, etj.

-Profesor Anesti, shumë njerëz janë pirës të duhanit dhe nuk mendojnë se duhani mund të vrasë zemrën. Pse duhani bëhet vrasës vetëm tek disa njerëz?
Eshtë vërtetuar shkencërisht me anën e studimeve të shumta, se duhani dëmton rëndë shëndetin. Pirja e duhanit ndikon negativisht si nëpërmjet nikotinës, ashtu edhe monoksidit të karbonit dhe kundër tij duhet bërë një luftë sistematike për ta larguar, jo vetëm nga ambjentet familjare, por edhe ato publike si zyrat, autobuzët, klubet e restorantet, sepse ai dëmton jo vetëm njerezit që e pinë, por edhe ata që e marrin atë në mënyrë pasive nga tymi që lëshojnë të tjerët në ambjent. Për këtë arsye duhet intensifikuar puna sqaruese për popullatën nëpërmjet shtypit e medias vizive, që të gjejë zbatim ligji kundër duhanit, i cili doli nga parlamenti, por duket se dështoi në zbatim, sepse mbase duhej bërë në fillim i shkallëzuar, me kufizim të hapësirave të lejuara për duhan, deri sa të ndalohej fare në ambientet publike. Kështu kanë vepruar vendet e tjera të Europës dhe Amerikës, ku ligji për ndalimin e duhanit zbatohet me rigozitet sepse ka penalitete të rëndësishme që ekzekutohen nga organet kompetente. Sidoqoftë, duhet bërë punë sqaruese e vazhdueshme për të njohur njerëzit me pasojat e dëmshme të duhanit .

Pijet dietike shtojnë riskun për zemrën dhe diabetin

Të paktën ky është përfundimi i një studimi amerikan, sipas të cilit këto pije "minojnë" shëndetin e zemrës dhe shfaqin një risk të lartë për diabetin. Mesa duket këto pije shtojnë gati me 50 % rrezikun për të vuajtur nga sindroma metabolike, që do të thotë: kolesterol, hipertension dhe diabet mbi normat. "Për personat që vuajnë nga kjo sindromë, rreziku për të pasur probleme me zemrën apo një iktus është i dyfishtë", kujton Ramachandran Vasan, i "Boston University", shef i studimit të publikuar në "Circulation". Studimi është kryer te mbi 6 mijë persona, burra dhe gra dhe ka zgjatur për gati 4 vjet. Të dhënat që kanë dalë nga studimi ndërtojnë një "akuzë" të vërtetë kundër këtyre pijeve. Nga analizimi i të dhënave rezulton se rreziku për tu bërë obezë shtohet me 31 %, për ata që pijnë një pije në mëngjes, ndërkohë që 30% është rreziku për të shfaqur probleme me mbipeshën. Rreziku për të rritur nivelin e triglicerideve dhe sheqernave në gjak rritet me 25 %. Ndërkohë që risku për rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak është 32 %. Por jo vetëm kaq. Duke analizuar një kampion konsumatorësh "të fortë" pijesh dietike me bazë sode, studiuesit kanë zbuluar se rreziku për të shfaqur sindromë metabolike rreziku shtohej me 50-60%.

Ky lajm është publikuar: 25/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›