E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët: Ja si po abuzohet me ndihmat

Ndihmat e mbërritura në Shkodër janë të shumta, por shpërndarja e tyre mësohet se bëhet në bazë njohjesh

Sipas atyre që kanë dëme nëpër shtëpi e prona, askush nuk ka mbërritur për të bërë verifikimet përkatëse

SHKODËR - Ulja e sipërfaqeve të tokave të përmbytura po shoqërohet me vështirësi të tjera për banorët e këtyre zonave, të cilët shprehen se nuk dinë çfarë të bëjnë dhe nga t'ia fillojnë më parë. Shtëpi me lagështirë, rroba e orendi të lagura, mungesë ushqimi për bagëtinë, tokë që ose është nën ujë, ose e kthyer në baltovinë prej ujit të tepërt që ka qëndruar për ditë të tëra, ndërsa temperaturat kanë pësuar ulje.

Në komunën e Dajçit uji është larguar nga rrugët kryesore dhe lëvizet lirisht, ndërsa në disa toka ai vazhdon të jetë i pranishëm. Banorët e këtyre fshatrave tashmë kërkojnë ndihmë sa më të shpejtë për të dalë nga kjo situatë, pasi siç shprehen ata: "Ajo që ndodhi, ka ndodhur dhe ishalla nuk përsëritet më, por tani e tutje si të bëjmë me gjithë këto dëme?!" Ata kërkojnë ndihmë nga shteti, por kjo ndihmë sipas tyre, nuk ka shkuar çdo herë aty ku duhet.

Maçi: M'u prish biznesi im

Gjovalin Maçi, nga fshati Shirq, shprehet se ka pasur të mbjellë 20 dynym me lule dekorative ndërsa shtetit i ka paguar të gjitha detyrimet si biznes i madh. "Uji është akoma aty, gjithçka është dëmtuar, edhe pse shtetit i paguaj çdo detyrim fiskal.

Kam shkuar dy herë tek komuna për të kërkuar të vijnë e ta verifikojnë tani dëmin që më është shkaktuar dhe që është mundi e djersa e gjithë jetës sime. Nuk vijnë për të bërë verifikimin dhe për ta parë dëmin me sy.

Kryetarin e komunës nuk e kam parë. Kam marrë dy pako me ushqime dhe një gjysmë thesi koncentrat për 4 krerë lopë. Ndihmat i kanë çuar në Pentar, Sukaj etj, që janë në kodër dhe uji nuk u ka bërë dëme në banesa. Askush nuk vjen për të parë dëmin.

Rrinë gjithë ditën në komunë dhe pastaj ai që ka qenë në tokë dhe nuk i ka bërë dëm uji, pra, nuk është përmbytur, shkruan se i kanë ngordhur 100 a 200 pula, lopë apo derr. Kjo nuk duhet të ndodhë. Të ndihmohet dhe dëmshpërblehet ai që është dëmtuar vërtet".

"Nuk u përmbytëm nga natyra"

Ndërsa Ndue Maçi, banor në Shirq afër nënstacionit, shprehet se disa prej shtëpive të Shirqit nuk duhen trajtuar si të përmbytura për shkaqe natyrore, pasi ato i kanë përmbytë njerëzit që e kanë thyer argjinaturën tek Aurelat e Shirqit për të kaluar uji.

"Ne nuk mund të quhemi të përmbytur nga natyra, pasi ne na është çarë argjinatura me fadromë të porositur dhe paguar nga komuna. Pra, ne na kanë mbytur njerëzit, pasi është sjellë fadroma me e thy argjinaturën.

Të tjerëve u ka shku uji se nuk ka mbajt bendi, kurse ne na e kanë çarë me urdhër. Uji akoma është tek toka dhe tek oborri i shtëpisë. Më kanë dhënë dy pako ushqime, por ne kemi më problem ushqimin për bagëtitë. Për 11 krerë lopë që kam, më kanë dhënë vetëm 13-14 kg për copë, ndërsa jonxhë nuk na kanë dhënë.

Më janë kalbur 450 denga me jonxhë dhe 15 dynym silazh që i kam të mbuluar me plastmas, mund të verifikohet se ka mbaruar".

Ndërsa Palokë Shtjefni nga Mushani shprehet se me ujin janë mësuar dhe fshati i tij nuk është dëmtuar shumë, më tepër ka qenë i izoluar. "Na kanë sjellë 1 thes me krunde në fillim, pastaj jo se ka pasur fshatra të tjerë të kësaj zone që kanë pasë më shumë nevojë. Dikush është dëmtuar më rëndë".

Zonat e përmbytura vazhdojnë të inspektohen nga drejtues të shtetit dhe të shtabit të emergjencave.

Jepen ndihma nga donatorë të ndryshëm

Donatorë të ndryshëm sjellin ndihma monetare, ushqime e veshmbathje. Kështu pranë shtabit të emergjencës së PS-së në Shkodër kanë sjellë 1 milion lekë të reja dhe një furgon me veshje, bashkitë e Cërrikut dhe Belshit që drejtohen nga PS-ja.

Ndërsa drejtoria arsimore e Sarandës ka sjellë për nxënësit e shkollave të komunës Dajç, 300 000 lekë, veshje, dhe paketa me libra artistikë për parashkollorët dhe fëmijët e arsimit nëntëvjeçar. Këta janë ndarë gjatë së mërkurës në shkollat e Samërishtit dhe të Shirqit në komunën Dajç.

Studentë të Universitetit Bujqësor të Kamzës kanë sjellë 85 pako me ushqime që i kanë ndarë për banorët tek livadhet, ndërsa biznesi i Gjakovës ka dhënë 25 mijë euro ndihmë për banorët e përmbytur.

Banorët e zonave të përmbytura shprehen se shoqatat e ndryshme që vijnë e ndajnë ndihma e bëjnë këtë duke u lidhur me individë të veçantë që i ndajnë pastaj kujt të duan dhe në shumicën e rasteve nuk ndihmohet ai që ka nevojë dhe që është përmbytur vërtet.

Kjo pasi nuk e koordinojnë punën me shtabin e emergjencave pranë prefekturës së Shkodrës që në bashkëpunim me pushtetin vendor të bëhet shpërndarja e asaj që dhurohet tek të përmbyturit e vërtetë.

Kështu, të martën një fondacion ndau batanije në lagjen Ajasëm, por sipas banorëve të kësaj lagjeje të përmbytur shumë pak prej tyre kanë marrë, pasi ato i morën persona të tjerë që nuk kishin lidhje me përmbytjet.

Po kështu, në pjesën e lagjes "Kiras" tek livadhet, banorët shprehen se ndihmat ndahen me të njohur dhe me lista që i bën kushdo sipas dëshirës dhe i jep atyre që do.

Mali i Zi: Projektin për Bunën do ta paraqesim në BE

Njoftimet nga Mali i Zi thonë se përmbytjet e këtij fillim muaji edhe në këtë vend kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Por anëtari i qeverisë malazeze dhe kryetar i komisionit qeveritar për fatkeqësi elementare, Rafet Husoviq, në një prononcim për shtyp thotë se pret që pas qetësimit të plotë të situatës Shqipëria dhe Mali i Zi të konkretizojnë projektin e përbashkët për rregullimin e shtratit të lumit të Bunës. Ky projekt, sipas zyrtarit të lartë malazez, mund të marrë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Sipas shtetit fqinj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe kryetari i komunës së Ulqinit kanë biseduar për këtë çështje me njerëzit përgjegjës në Shqipëri dhe sipas tyre një projekt i përbashkët që do të paraqitej edhe para Bashkimit Europian do të kishte jehonë të mirë.

Nga të dyja shtetet fqinje janë planifikuar aktivitete për periudhën menjëherë pas qetësimit dhe tërheqjes përfundimtare të ujit. Atëherë ministritë e ngarkuara për këtë pjesë të punës do të vazhdojnë veprimet e përcaktuara dhe mendoj se do të kemi një zgjidhje pozitive.

Kryeministri Berisha u shpreh se do të hartohet projekti përfundimtar i shndërrimit të Bunës në një lumë siç ka qenë shekuj më parë, i lundrueshëm.

Kryeministri tha se realizimi i kësaj vepre do të mundësojë në radhë të parë mbrojtjen e qytetit të Shkodrës, duke bërë një evakuim më të fuqishëm të ujërave të Bunës, por nga ana tjetër, do të krijojë edhe mundësinë e një prej udhëtimeve turistike më të bukura, nga brigjet e Malit të Zi drejt Shkodrës.

Situata me rrugët në Shkodër

Aktualisht në të gjitha akset rrugore drejt komunave dhe fshatrave qarkullimi kryhet normalisht nga të gjitha llojet e automjeteve, duke përjashtuar aksin rrugor për në Velipojë tek Ura e Gjo Lulit ku mund të kalohet vetëm me mjete të rënda.

Forca të Armatosura, punonjës të Bordit të Kullimit po punojnë në komunën e Velipojës për riparimin dhe mbushjen me çakull e gurë të rrugës për në argjinaturën e Çasit, si dhe komunën Dajç, për riparimin dhe mbushjen e argjinaturës në Samërisht, Daragjat, Shirq dhe Marinaj të kësaj komune.

Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Persona të mbetur në evakuim Shtëpi të përmbytura Shtëpi të rrethuara nga uji
1 B. Shkodër 30 ha 473 30
2 K. Dajç 900 ha 800 35 200
3 K. Ana Malit 750 ha 100 30 106
4 K. Velipojë 2000 ha 100 20 50
5 K. Bërdicë 250 ha
6 K. Guri Zi - - -
7 K. Bushat 1000 ha 170 50 100
8 K. Qendër, M.Madhe 15 ha
9 K. Kastrat,M.Madhe 15 ha
10 K.Gruemire, M.Madh 4 ha
K.Rrethina
Gjithsej 4964 ha 1643 135 shtëpi 486 shtëpi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›