E Diel, 1 Nëntor 2026

Drafti, SHKB si Policia e Shtetit numër 2

Opozita kundërshton ashpër përmbajtjen e draftit për SHKB-në. “SHKB, vegël e ministrit”

TIRANË- Opozita dhe mazhoranca mbajnë qëndrime krejt të kundërta mbi projektligjin e paraqitur nga qeveria “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Shtetit”. Të majtët në Komisionin parlamentar të Sigurisë dhe atë të Ligjeve, ashtu si më parë, janë shprehur kategorikisht kundra një drafti të tillë me argumentin se ky institucion nëpërmjet ndryshimeve që kërkohet t’i bëhet ligjit ekzistues merr kompetenca të mëdha, duke vënë nën kontroll të plotë Policinë e Shtetit. Ndërsa përfaqësuesit e djathtë dhe ekspertët e Ministrisë së Brendshme që janë marrë me hartimin e këtij drafti kanë kërkuar mirëkuptimin e opozitës për të miratuar atë të paktën parimisht dhe për të krijuar mundësinë më pas për të bërë ndryshimet e duhura gjatë diskutimit nen për nen. Por këta të fundit janë treguar kategorik në qëndrimin e tyre, duke e konsideruar atë në disa nene edhe si antikushtetuese. “Në parim në abstenojmë për këtë projektligj sepse kemi shumë vërejtje nen për nen. Në varësi të diskutimit nen për nen mund të ndryshojmë dhe konceptin për këtë ligj”, - u shpreh ish-kryeministri socialist Bashkim Fino gjatë diskutimit të projektligjit në Komisionin e Ligjeve. Ndërkohë, akoma më të ashpër kanë qenë përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, i cili është edhe komisioni përgjegjës për diskutimin e këtij drafti. Sipas deputetit socialist, Pirro Lutaj, ky projektligj do ta vendoste Policinë e Shtetit nën kontrollin e një shërbimi të fshehtë. “Projekti që na paraqitet e vendos Policinë e Shtetit nën kontrollin e një shërbimi të fshehtë, vegël në dorë të Ministrit i cili do ta inspektojë dhe do ta kontrollojë policinë në çdo qelizë të saj. Projekti i jep SHKB-së atributet të cilat e shndërrojnë këtë shërbim në një polici shteti numër 2, me objekt të përcaktuar qartë për të kontrolluar e inspektuar Policinë e Shtetit numër 1”, - u shpreh Lutaj. Një çështje tjetër për të cilën opozita ka shprehur rezervat e saj është edhe ajo që ka të bëjë me emërimin e drejtorit të këtij shërbimi nga Ministri i Brendshëm, pa një propozim konkret. Kjo, sipas tyre, e bën SHKB-në një institucion të frikshëm në duart e Ministrit të Brendshëm. Nisur pikërisht nga këto pretendime, deputetët opozitarë në të dy komisionet parlamentare ku u zhvillua debati për këtë çështje, nuk kanë pranuar që ta votojnë projektligjin në parim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›