E Diel, 1 Nëntor 2026

Femrat, 42 kandidate në listat e çdo partie politike

Çdo parti politike duhet të ketë në listat e saj zgjedhore të paktën 42 kandidate të gjinisë femër, në të kundërt ka penalizime 

TIRANË- Çdo parti politike që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 duhet të ketë në listat e saj zgjedhore të paktën 42 kandidate të gjinisë femër. Ky është thelbi i amendamenteve ligjore për Kodin Zgjedhor që ka hartuar Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me UNIFEM (organizata për shanset e barabarta në OSBE), si reflektim i detyrimit që përcakton ligji “Për barazinë gjinore” për të pasur një minimum prej 30 për qind të kandidatëve femra. Drafti është porositur nga qeveria dhe është dorëzuar dje në mënyrë zyrtare në Nënkomisionin parlamentar të Shanseve të Barabarta, që kryesohet nga demokratja Lajla Pernaska, dhe shumë shpejt, pasi të konsultohet me grupet e ekspertëve, pritet t’i kalojë në formën e draft-amendamentesh Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, i cili është duke diskutuar për ribërjen nga e para të Kodit.

Drafti

Drafti i paraqitur dje në Nënkomisionin për Shanset e Barabarta në Kuvendin e Shqipërisë vjen si një material i plotë për reflektimin e të gjitha detyrimeve që dalin nga zbatimi i ligjit “Për barazinë gjinore”, i miratuar me shumë debate vetëm pak muaj më parë. Projekti i paraqitur është konsideruar nga hartuesit si një material pune për komisionet parlamentare dhe përmban në vetvete katër kapituj, ku paraqiten në mënyrë të përmbledhur standardet dhe përvoja ndërkombëtare në përfaqësimin e detyrueshëm ligjor të femrës në politikë, si dhe jepen në mënyrë të detajuar të gjitha propozimet për mendimin e Kodit Zgjedhor. Drafti përmban propozimet për ndryshimin dhe krijimin nga e para të afro 16 neneve të Kodit Zgjedhor, duke filluar që nga përcaktimi i dispozitave të veçanta në Kod që përmbajnë rregullat për renditjen e kandidatëve, pjesëmarrjen sipas parashikimit që bën ligji, i grave dhe burrave në komisionet zgjedhore, respektimi i këtyre raporteve edhe gjatë transmetimit në media dhe deri tek vendosja e sanksioneve ligjore për të gjitha ato forca që nuk pranojnë të zbatojnë këto detyrime. Përsa i përket përfaqësimit të grave në listat e kandidatëve për deputetë, projekti i paraqitur parashikon jo vetëm pjesëmarrjen e grave në masën e 30%-it, por edhe përcaktimin e një renditje të tillë të emrave në listë në mënyrë që numri i kandidateve fituese të jetë përafërsisht i barabartë me raportin edhe të kandidimit midis meshkujve dhe femrave. Për këtë arsye ky projekt ka parashikuar formula të posaçme renditjeje, ku më e pranueshmja është cilësuar renditja e kandidatëve sipas formulës “Rank-Order”, e cila bënë një alternim të kandidatëve femra dhe meshkuj në mënyrë të atillë, që në totalin e 140 kandidatëve të rezultojnë që të jenë të paktën 42 kandidate femra. E zbërthyer më në detaje kjo formulë parashikon që në 5 kandidatët e parë në listë të jenë të paktën dy gra, në dhjetë 3, dhe për të vazhduar sipas një progresioni të tillë ku në 50 kandidatët e parë në listë, të cilët të paktën për dy partitë e mëdha kanë dhe shanset më të mëdha për të fituar, llogaritet që të jenë 15 kandidate femra. Materiali i paraqitur parashikon gjithashtu që edhe në institucionet zgjedhore, si KQZ, KZQV etj., të ketë një përfaqësim sipas të njëjtës masë përfaqësimi, ku 30 për qind e komisionerëve apo anëtarëve të këtyre komisioneve duhet të jenë femra.

Sanksionet

Detyrimi për të pasur në listat e kandidatëve 30 për qind femra parashikohet që të mos jetë më një çështje morale e vetë partive. Kështu, projekti i paraqitur për shqyrtim parashikon masa konkrete ligjore, duke filluar që nga gjobat në masën e një të dhjetës së shumës që një parti përfiton nga fondi shtetëror për përballimin e fushatës zgjedhore dhe deri tek sanksione më të rëndë për mospranim të listës së kandidatëve. Nismëtarët e këtyre amendamenteve kanë parashikuar në materialin e tyre nene të posaçme për penalizmin e të gjitha atyre subjekteve politike që nuk pranojnë të zbatojnë detyrimin për të pasur në lista 30 për qind kandidatë të gjinisë femërore. Në rast se një parti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore si për listat e kandidatëve ashtu edhe ato për komisionerët zgjedhorë, atëherë KQZ sipas nenit 84 nuk pranon listën shumemërore, duke i lënë një afat 5 ditor subjektit elektoral që të bëjë korrigjimin. Në rast se edhe pas tejkalimit të këtij afati subjekti apo forca politike nuk do të ketë pasqyruar vërejtjen e KQZ-së, kjo e fundit mund të marrë një prej masave të mësipërme, ose gjobitjen me 1/10 e fondit për fushatën ose me mos pranim të listës së kandidatëve për atë zonë që nuk është respektuar ligji.

Formula

Në 5 kandidatët e parë, në listë duhet të jenë të paktën 2 gra

Në 10 kandidatët e parë, në listë duhet të jenë të paktën 3 gra

Sipas një progresioni të tillë, ku në 50 kandidatët e parë në listë, të cilët të paktën për dy partitë e mëdha kanë dhe shanset më të mëdha për të fituar, llogaritet që të jenë 15 kandidate femra.

“Detyrimi për të pasur në listat e kandidatëve 30 për qind femra parashikohet që të mos jetë më një çështje morale e vetë partive. Kështu, projekti i paraqitur për shqyrtim parashikon masa konkrete ligjore, duke filluar që nga gjobat në masën e një të dhjetës së shumës që një parti përfiton nga fondi shtetëror për përballimin e fushatës zgjedhore dhe deri tek sanksione më të rëndë për mos pranim të listës së kandidatëve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›