Drafti i Raport Progresit 2006-2007 të SKZHI-së konsultohet me shoqërinë civile dhe donatorët.
Departamenti i Bashkërendimit të Strategjive dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj (DEBASKON), pranë Këshillit të Ministrave organizoi në datat 4 dhe 6 Nëntor 2008 dy tryeza të rrumbullakëta me qëllim konsultimin e draftit të Raportit të Progresit 2006-2007, të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI).
Ky dokument është hartuar në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore mbi bazën e indikatorëve të nivelit të lartë që janë parashikuar në kapitullin e monitorimit të SKZHI-së, duke u fokusuar në ecurinë dhe arritjet e viteve 2006-2007, në veçanti për përparësitë që i jepen integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Gjithashtu, ky dokument përmban edhe një vlerësim të ecurisë kundrejt përmbushjes së Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren.
Në këtë kontekst, përfshirja dhe kontributi i shoqërisë civile dhe komunitetit donator për konsultimin dhe bërjen e oponencës, në funksion të monitorimit dhe vlerësimit sa më të plotë të ecurisë së zbatimit të politikave dhe reformave të ndërmarra konsiderohet e rëndësishme.
Në takimin e datës 4 nëntor 2008 morën pjesë përfaqësues nga shoqëria civile, akademikë, institucione të pavarura, sekretarë të Përgjithshëm dhe specialistë të Ministrive të Linjës. Krahas vlerësimit për punën voluminoze në hartimin e këtij drafti u bënë edhe rekomandimet përkatëse për sektorë të rëndësishëm si ai i të drejtës së pronës, arsimit të lartë, energjisë etj.
Tryeza e rrumbullakët e datës 6 nëntor 2008 u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të gjerë të donatorëve, ambasadave dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri. Donatorët dhanë sugjerime dhe sollën eksperiencat e tyre të vlefshme në fusha të ndryshme. Disa nga çështjet e diskutuara në veçanti kishin të bënin me trajtimin e problemit të pronësisë si një i vetëm që përfshin regjistrimim, rikthimin dhe kompensimin dhe legalizimin. U vlerësuan hapat e marra nga qeveria për privatizimin e sektorit energjitik dhe u sugjerua që të punohet drejt sistemeve të transmetimit dhe shpërndarjes. Për sektorin e ujit, u theksua konsolidimi i sistemit rregullator dhe udhëzimeve për manaxhimin e investimeve në këtë sektor.
Të dyja tryezat e organizuara ishin mjaft të rëndësishme, jo vetëm pse ofruan sugjerime tepër të vlefshme të cilat do të reflektohen e pasqyrohen në Progres Raportin 2006-2007 që do të publikohet në muajin dhjetor 2008, por edhe pse orientuan dhe dhanë ide konkrete në trajtimin e problemeve të zbatimit të SKZHI-së 2007-2013 edhe në të ardhmen.
Drafti i Raportit të Progresit 2006-2007, të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim është dërguar për komente dhe diskutime edhe pranë Komisioneve Parlamentare.
12/11/2008