E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Parlamentit maqedonas, zotin Trajko Veljanovski

 - Kryeministri Berisha dhe zoti Veljanovski theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale, duke u ndalur në projektin e Korridorit 8, në kompletimin e linjës hekurudhore me Maqedoninë

Kryeministri Berisha priti sot në takim Kryetarin e Parlamentit maqedonas, zotin Trajko Veljanovski, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Kryetari i Parlamentit maqedonas, zoti Trajko Veljanovski, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen si dhe shprehu vlerësime mjaft pozitive mbi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, duke theksuar domosdoshmërinë e intensifikimit dhe ngritjes cilësore të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. 

Kryeministri Berisha vlerësoi përparimin e ndjeshëm të bërë nga Maqedonia si dhe ecurinë e reformave në vend, duke vlerësuar gjithashtu edhe progresin e ndjeshëm në zbatim të marrëveshjes së Ohrit.


Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia, kontribut ky shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. 

Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentari maqedonas u shprehën për një nivel të shkëlqyer të bashkëpunimit politik, si dhe për domosdoshmërinë e ngritjes së bashkëpunimit ekonomik në këtë stad.

Kryeministri Berisha dhe zoti Veljanovski theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta rajonale, duke u ndalur në projektin e Korridorit 8, në kompletimin e linjës hekurudhore me Maqedoninë, në lehtësimin e shkëmbimit të njerëzve dhe mallrave në pikat doganore etj. 

 Zoti Veljanovski dhe Kryeministri Berisha theksuan rëndësinë e iniciativave rajonale për të nxitur një vëmendje më të madhe të BE-së për projektet e mëdha në Ballkan.

Kryeministri Berisha theksoi se vendet e Ballkanit, me progresin e tyre, kanë mundësinë të dëshmojnë për një Ballkan krejt ndryshe dhe se e ardhmja e Ballkanit është optimiste sepse vendet e tij kanë vullnet të hekurt në rrugën e zhvillimit, bazuar mbi iniciativën e lirë të njerëzve.


12/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›