Kryeministri Berisha: Vendimi për legalizimin e punëtorëve të familjes legjitimon përfitimin e pensionit prej tyre
- Kryeministri theksoi vendimi për legalizimin e punëtorëve të familjes, nuk ka si qëllim të përfitojë arka e shtetit, por të vendoset dinjiteti i duhur në trajtimin e kësaj kategorie punonjësish.
Kryeministri Berisha ngriti sërish, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, çështjen e legalizimit të punëtorëve të familjes. Kryeministri ritheksoi se në mënyrë kategorike, ky vendim nuk ka për qëllim të përfitojë arka e shtetit, por të vendosë dinjitetin e duhur në trajtimin e kësaj kategorie punonjësish.
Duke kërkuar nga kryefamiljaret regjistrimin e këtyre punonjësve, Kryeministri shpjegoi se pagesa vjetore që do të bëhet nga punëdhënësit është simbolike dhe nuk do të rëndojë buxhetin e familjeve, por do tu krijojë mundësi të punësuarve të përfitojnë pension.
“Vendimi për sigurimet shoqërore të punëtorëve në familje u diskutua përsëri dhe u vendos që kjo kategori do të trajtohet si punëtorë me kohë të pjesshme. Kërkoj për këtë një mirëkuptim të plotë dhe total. Ky vendim, nuk ka në mënyrë kategorike qëllimin e përfitimit të arkës së këtij shteti, por ka si qëllim vendosjen e dinjitetit njerëzor, të trajtimit human që meritojnë këta njerëz. Punëdhënësi do të paguajë gjithsej rreth 80 dollarë në vit, gjë e cila nuk rëndon buxhetin e tij, por legjitimon dhe krijon një mundësi pensioni për këtë kategori punonjësish. Në tërësi këto janë gra dhe vajza, të cilat e bëjnë këtë punë për të përballuar jetën e tyre të përditshme.
Unë shpresoj që të gjithë kryefamiljarët, të cilët asistohen nga këta punëtorë, ti regjistrojnë ata sepse është një çështje prestigji, dinjiteti dhe raporti njerëzor. Kemi zgjedhur formën më minimale të detyrimit. I kemi konsideruar ata punonjës me kohë të pjesshme. Kemi vendosur vetëm sigurimin shoqëror dhe asgjë tjetër ndaj tyre dhe unë shpresoj që të ketë një mirëkuptim, në mënyrë që borgjezia e re të mos harrojë se karakteri social dhe fryma sociale duhet të jetë një nga tiparet më të rëndësishme të moralit të saj.”
12/11/2008