Drafti i arsimit të lartë, anonim komisioni
Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë ka pasur debate e diskutime, por një pikë ku kanë “ngecur” të gjithë është lidhur me vulën dhe firmën që mban ky draft.
Specialistë të arsimit, ekspertë, profesorë të sistemit privat e atij publik, kanë kërkuar të lidhen me specialistë e me grupin e punës që ka hartuar këtë draft, por në fakt nuk e kanë gjetur. Si në projektin fillestar, ashtu edhe në draftin përfundimtar që ka miratuar qeveria, në kapakun e projektligjit nuk ka të dhëna, as emra se kush e ka kryer hartimin, nuk përmban ndonjë firmë të ekspertëve që u kujdesën për ndryshimet e neneve dhe as emra konkretë të grupit të punës që kishte në kujdestari çështjen e amendimeve në ligjin e arsimit të lartë. Sakaq, një pjesë e universiteteve private janë shprehur se nuk mund të prononcohen lidhur me ndryshimet, për shkak se një projektvendim i tillë nuk u ka rënë në dorë, si dhe nuk kanë informacionin e bollshëm për atë që shkruhet e zezë mbi të bardhë, duke qenë se kopja e draftit nuk është bërë publike në sajtet përkatëse, si dhe nuk është shpërndarë në strukturat e arsimit të lartë.
Deri tani universitetet publike, përfaqësuesit e Institucioneve të Arsimit të Lartë, kanë reaguar duke deklaruar të gjitha rezervat e tyre për sa u takon disa neneve që paraqesin rrezik për cenimin e autonomisë dhe janë antikushtetuese. Por përfaqësuesit e universitete private nuk janë shprehur lidhur me opinionet, oponencat apo mbështetjen që i bëjnë draftit. Për më tepër, ashtu siç kanë sqaruar edhe profesorët e publikut, ky projektvendim prek universitetet publike. Të shqetësuar për problemet që ka sjellë mostransparenca e këtyre ndryshimeve, mospërfshirjen e universiteteve gjatë kohës së hartimit të draftit, si dhe për problematikën që do të sjellë ky projekt për autonominë, amullinë në ciklet e studimit, sipas universiteteve ajo që mbetet është lobimi dhe bashkimi i fuqive për mosmiratimin e këtij projektligji.
Mbledhja e konferencës së rektorëveSot do të mblidhet konferenca e rektorëve. Në këtë takim do të diskutohen të gjitha problematikat, masat që do të merren dhe qëndrimi që do të mbahet nga dekanate, profesorë që punojnë aktualisht, si dhe organizimi i fushatës së informimit të detajuar për studentët dhe problemet që sipas tyre paraqiten në ciklet e studimit. Tashmë janë njoftuar të gjithë rektorët e universiteteve të vendit dhe pritet që sot të dilet në përfundime dhe në diskutime konkrete për rrjedhën e ngjarjeve dhe pikat ku do të mbështetet argumentimi i profesorëve për politikat arsimore. Sot pritet që çdo universitet të japë pikat kryesore për sa i takon opinionit të profesorëve të universiteteve në vend si dhe kuadrin e masave që duhet të merren sipas tyre.
Sakaq, muaji gusht pritet të jetë sezon pushimesh për universitetet dhe një pjesë të mirë të administratës. Prandaj sot konferenca e rektorëve pritet të japë zgjidhjet e saj për çështjen e ndryshimeve në ligjin e arsimit të lartë dhe propozimet për strukturat shtetërore lidhur me përmirësimin e situatës së krijuar për më shumë se dy muaj.
#