E Diel, 1 Nëntor 2026

Lesi: Të hiqen vizat për turistët shqiptarë e rusë

Takimi Zëvendësministri i Turizmit, Lesi, vizitë në Moskë për shtimin e numrit të vizitorëve rusë

Prej dy ditësh, Nikollë Lesi, zëvendësministri i Turizmit, po zhvillon një vizitë zyrtare në Moskë me ftesë të homologut të tij rus Oleg Rrozhnov. Nikollë Lesi, në bisedimet me palën ruse, kërkoi që në fillim që turistët rusë t’i drejtohen bregdetit të mrekullueshëm shqiptar, pasi është një bregdet i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm në Mesdhe. Nga ana e tij, Rrozhnov theksoi se numri i turistëve rusë që dalin jashtë shtetit për turizëm në një vit është 34 milionë. Pala ruse kërkoi nga ana e qeverisë shqiptare që t’i lejohet korridori ajror Moskë-Tiranë e kthim, pasi duan të sjellin me avionë çarter qindra e mijëra turistë rusë për të vizituar Shqipërinë. Nga ana e tij, Lesi shprehu gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët me palën ruse për këtë kërkesë. Gjithashtu ai kërkoi nga pala ruse, që siç veproi qeveria shqiptare, e cila ka vendosur heqjen e vizave për rusët për sezonin veror, të veprojë edhe qeveria ruse për shqiptarët. Z. Rrozhnov premtoi se do të gjendet një zgjidhje e mirë për këtë kërkesë, e cila pritet të jetë e shpejtë, ndonëse shtoi se do të ishte mirë që qeveria shqiptare, e cila ka shprehur dëshira pozitive për rritjen në nivele më të larta të miqësisë, të mundohet që vizat për rusët të hiqen për krejt vitin për turistët rusë, duke nënkuptuar se edhe pala ruse do ta bëjë një gjë të tillë. Mes dy zëvendësministrave u bisedua edhe interesi dypalësh për të bërë investime të mëdha në fushën e turizmit, por dhe më tej, nga investitorë të mëdhenj rusë në Shqipëri. Lesi theksoi se Shqipëria ofron turizëm 12 muajt e vitit, pasi ka turizëm të fortë kulturor. Rrozhnov u shpreh se në Shqipëri ka dëshira e kërkesa nga rinia ruse për të vizituar bregdetin shqiptar për sezonin e verës. Më tej ai mori një ftesë nga homologu shqiptar Lesi për të vizituar Shqipërinë gjatë këtij viti, gjë e cila u pranua nga pala ruse. Takimi dha shpresa për një rritje të madhe të turistëve rusë në bregdetin shqiptar. Më pas Lesi u prit nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Rusisë, Anatoly Yarochkin, dhe nga investitorë rusë, të cilët u interesuan për Shqipërinë. Interesi rus për të vizituar dhe investuar në Shqipëri ishte i lartë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›