E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët shqiptarë nuk do ta mësojnë maqedonishten në klasën e parë

Maqedoni

Fëmijët shqiptarë, në radhë të parë, si edhe fëmijët e pjesëtarëve të bashkësive etnike të tjera në Maqedoni nuk do ta mësojnë gjuhën maqedonase që në klasën e parë të shkollave fillore të këtij vendi, sikurse parashikonte një vendim mjaft i diskutuar dhe i polemizuari që qeveria maqedonase mori vitin e kaluar, duke shkaktuar protesta dhe kundërshtime shumë të mëdha, sidomos midis popullsisë dhe opinionit publik shqiptar. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, në mbledhjen e saj të djeshme (14 korrik), hodhi poshtë vendimin e ministrit të Arsimit, Nikolla Todorov, sipas të cilit fëmijët e pjesëtarëve të bashkësive etnike në komunat ku ata nuk përbëjnë shumicën, duhet ta fillonin mësimin e maqedonishtes që në klasën e parë. Anulimi i vendimit të lartpërmendur nga ana e gjykatës së mësipërme do të thotë se në fuqi mbetet ligji i deritanishëm për arsimin fillor, i cili parashikon që gjuhën maqedonase fëmijët e pjesëtarëve të bashkësive etnike në vend të fillojnë ta mësojnë në klasën e katërt fillore. Duke argumentuar hedhjen poshtë të vendimit të lartpërmendur, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, të cilëve u referohet sot media maqedonase, midis të tjerave vunë në dukje se ministri i Arsimit, Todorov, me këtë vendim u përpoq të vendoste veten mbi ligjin, duke i tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke ndërhyrë kështu në pushtetin ligjvënës.

Megjithatë, ministri maqedonas i Arsimit, Todorov, vazhdon të ngulë këmbë te vendimi i marrë nga ministria e tij, duke theksuar sot në një konferencë shtypi me gazetarët se mësimi i gjuhës maqedonase që në klasën e parë të fillores do të ishte në funksion të karakterit multietnik të shtetit. “Nuk do të heq dorë nga vendimi dhe kam në plan që të vazhdoj përpjekjet për të bindur ata që e kanë për detyrë ta zbatojnë këtë vendim. Ky vendim është në favor të të gjithë neve që jetojmë në Republikën e Maqedonisë”, theksoi ai, i cituar nga media maqedonase. Por, sidoqoftë, pavarësisht se vendimi i ministrisë së lartpërmendur maqedonase kishte hyrë në fuqi vitin e kaluar mësimor, në klasat shqiptare gjuha maqedonase nuk u mësua në asnjë shkollë të vendit.

Kundër vendimit të lartpërmendur të qeverisë maqedonase është shprehur edhe OSBE-ja, e cila i ka bërë thirrje disa herë asaj që të tregohet mjaft e kujdesshme, duke vënë në dukje se vendime të kësaj natyre duhet të merren vetëm me konsensusin e të gjitha palëve të interesuara në Maqedoni.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›