E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i plotë për makinat, ja kush përfiton

Ministria e Financave redukton në 30 numrin e makinave me shoferë vetëm për funksionarët e lartë si Presidentin, kryeministrin, ministrat etj. Kategoritë e tjera do të kompensohen financiarisht


TIRANË - Përpos shpenzimeve të mëdha gjatë fushatës elektorale, ministri i Financave, Ridvan Bode, është zënë ngushtë teksa gjatë një pasqyre të kërkuar nga institucionet qendrore dhe ministritë për numrin e automjeteve, shoferëve, dhe shpenzimeve të tjera operative, ka mësuar se vetëm për vitin 2008, këto shpenzime shkonin në 3.2 miliard lekë.


Për këtë arsye, nga kjo Ministri është hartuar edhe drafti përfundimtar, i kaluar në parim edhe në mbledhjen e qeverisë, "mbi rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët politike dhe nëpunësit civilë".


Aktualisht, numri i makinave në varësi të institucioneve rajonale, është rreth 3000, pa përfshirë këtu makinat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ndërkohë, kostoja e shpenzimeve të një makine në një muaj varjon nga 80.000 lekë/muaj deri në 150.000 lekë/muaj.


Duke qenë se shërbimi i transportit në mënyrën se si po kryhet sot është i kushtueshëm, Ministria e Financave, përmes draftit më të ri, ka marrë përsipër të reduktoje në 30 numrin e makinave me shoferë vetëm për funksionarët e lartë si Presidentin, kryeministrin, ministrat etj, që në këtë projekt klasifikohen si kategoria e parë.


Më përjashtim të Presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, asnjëri nga funksionarët e tjerë nuk ka të drejtë të përdorë automjetin për qëllime, që nuk lidhen me punën apo funksionin që ushtron.


Pikërisht, në kategorinë e parë, sipas tabelës, përfshihen të gjithë funksionarët më të lartë, të cilëve u caktohen automjet dhe shofer, shpenzimet për të cilët përballohen nga buxheti i institucionit përkatës.


Në kategorinë e dytë, përfshihen të gjithë funksionarët e niveleve të dyta, të cilëve u caktohet një përfitim mesatar mujor nga 20 mijë lekë deri në 45 mijë lekë për shërbime transporti, në përmbushje të detyrave të tyre funksionale.


Në këtë kategori përfshihen edhe deputetët, përfitimi financiar ndaj të cilëve do të përcaktohet me vendim të Kuvendit, në bazë të distancës me zonën, që ai përfaqëson. Por, në nivelin mesatar kjo masë nuk duhet të jetë më e madhe se 45 mijë lekë në muaj.


Pra për herë të parë, në këtë legjislaturë, deputetët nuk do të kenë më në dispozicion makina dhe shoferë, por vetëm një përfitim financiar mujor, që shkon deri në 45.000 lekë në muaj.


Në kategorinë e tretë përfshihen funksionarë të nivelit drejtor i përgjithshëm/titullar, institucioni/titullar i ndërmarrjeve publike, që nuk përfshihen në dy kategoritë e para, të cilët do të marrin një përfitim financiar në përputhje me veprimtarinë e tyre, por jo më shumë se 15 mijë lekë në muaj.


Ndërsa në kategorinë e katërt përfshihen të gjithë punonjësit e tjerë të ministrive, institucioneve qendrore dhe të varësisë, të cilëve shërbimi i transportit, për të përmbushur detyrat e tyre funksionale, do t'u ofrohet nga institucioni përkatës.


Ky shërbim do të kryhet me mjetet ne përdorim të institucionit, të cilat përdoren, në çdo rast, vetëm me autorizim apo urdhër të titullarit, për shërbime, sipas një programi të miratuar prej tij.


Sipas projektligjit, një funksionar nuk mund të jetë njëkohësisht përfitues i dy kategorive. Efekti financiar si rezultat i zbatimit të këtij drafti në total është parashikuar të jetë 206.400.000 lekë në vit, ku përfitojnë 450 persona.


Të dhënat


Numri i makinave në varësi të institucioneve rajonale, është rreth 3000 makina pa përfshirë këtu makinat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

Kostoja e shpenzimeve të një makine në një muaj varjon nga 80.000 lekë/muaj deri në 150.000 lekë/muaj

Ministria e Financave përmes draftit më të ri, ka marrë përsipër të reduktojë në 30 numrin e makinave me shoferë vetëm për funksionarët e lartë.

Numri i mjeteve në inventar, vetëm për administratën e ministrive dhe të institucioneve qendrore është 374, ndërsa numri i shoferëve 280. Kostoja mesatare e këtij shërbimi për vitin 2008 ishte mesatarisht 137.710 lekë në muaj

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›