E Diel, 1 Nëntor 2026

Vlorë, grabitet banka në mes të qytetit

Tre persona të armatosur kanë grabitur një bankë në zonën e Skelës teksa janë larguar pa u kapur


Burime nga policia bënë të ditur lidhur me ngjarjen se sistemi i sigurisë nuk ka funksionuar siç duhet


VLORË - Tre persona të maskuar dhe me një armë kallash kanë sulmuar në orët e mesditës bankën "Intesa Sanpaolo", e cila ndodhet në zonën e Skelës. Gjithçka është kryer në kohë rekord, duke i shpëtuar fare mirë forcave të sigurisë me të cilat operon banka, apo edhe atyre të policisë.


Grabitja ka qenë një bashkëpunim i katër personave, një prej të cilëve ka qëndruar në makinë. Ngjarja është përjetuar me panik brenda ambienteve të bankës, ku veç punonjësve ka pasur edhe klientë. Mësohet se shuma e grabitur është rreth 50 mijë euro.


Grabitja


Siç mësohet nga dëshmitë e mëpasme, tre personat kanë hyrë të maskuar. Njëri prej tyre ka pasur në dorë kallashin dhe duke kërcënuar me anë të armës, ka urdhëruar që askush të mos lëvizte.


Dy të tjerët kanë marrë gjithçka ka pasur në arka. Ata u kanë bërtitur punonjëseve të shpejtojnë në dhënien e parave dhe po kaq shpejt sa kanë hyrë, kanë dalë, ndërsa mbikëqyrja ka vijuar me armë deri në momentin e futjes në makinë, marka e së cilës mendohet të jetë tip "Benz". Shumë shpejt automjeti ka lënë Skelën, për t'ua lënë vendin më pas veprimeve të specialistëve të policisë.


Automjeti


Pranë bankës kanë mbërritur specialistë të policisë, ndërsa është parë në ambientet e bankës edhe kreu i drejtorisë së policisë së Vlorës, Vehbi Bushati. Vetëm disa minuta pas grabitjes, është raportuar gjetja e një mjeti të përfshirë nga flakët në një nga zonat e lagjes "10 Korriku", i cili dyshohet që të jetë mjeti që mund të jetë përdorur.


Bëhet me dije se mjeti i gjetur në flakë është një makinë "Benz" 2007 CDI me targa të Tiranës, por ende nuk ka variant të saktë për këtë. Në zonën pranë spitalit psikiatrik, ku është gjetur mjeti, kanë mbërritur forca policie, si dhe zjarrfikëse. Mjetit i është djegur pjesa e brendshme.


Hetimi


Mungesa e pronarit të automjetit ka nxitur dyshimet se ai mund të jetë përdorur në grabitje dhe pas kësaj personat e kanë braktisur dhe e kanë djegur për të fshirë gjurmët.


Ndërkohë, nuk është përjashtuar edhe varianti se personat që kanë bashkëpunuar, mund ta kënë vënë zjarrin për të tërhequr vëmendjen. Policia ka vijuar gjatë veprimet në zonën e Skelës, ku është vjedhur dhe banka.

Janë marrë gjithë gjurmët, bërë fotot përkatëse e marrë dëshmitë e punonjëseve dhe klientëve që kanë qenë prezent. Mësohet se një nga ndihmat për grabitësit ka qenë fakti që sistemi i sigurisë nuk ka funksionuar siç duhet. Ende nuk bëhet e ditur nëse për këtë ka pasur një ndërhyrje apo ka qenë thjesht një rastësi.

-------------------------------------

Dëshmitari okular: Si u vodh banka


Një nga klientët i cili ndodhej brenda bankës kur ndodhi grabitja, rrëfen për "Shekulli"-n: "Shkova në bankë si shpeshherë për të bërë disa veprime. Kisha gati 15 minuta dhe po prisja ulur te një nga karriget që janë vendosur brenda bankës, sa të lirohej i vetmi sportel që po punonte, pasi me sa kuptova, ishte pushimi i drekës.


Tek tavolina e punës në krah të majtë të hyrjes ishte një çift që po bënte disa veprime. Sapo u lirua sporteli, shkova drejt tij. Aty po kryeja veprimin, kur dëgjoj një zhurmë nga pas. Nga zhurma e dëgjuar, u kuptua se dera u hap me forcë.


Nga zhurma ktheva kokën dhe më vjen njëri prej tyre dhe më drejton armën në gjoks dhe më thonë: "Mos fol, por ulu aty" dhe më tërhoqën drejt karrigeve. Ishim katër klientë në bankë.


Dhe të katërve u rrinte një njëri që I ruante. Rojën e kishin shtrirë në shesh. Siç morëm vesh më pas, në momentin para hyrjes ata ishin parë nga roja. Kishin afruar makinën deri afër hyrjes së bankës.


Në momentin që tre vetë dolën nga makina, roja i kishte parë dhe shumë shpejt tentoi të bllokonte derën e hyrjes së bankës, por një nga të maskuarit kishte qëlluar fort me shkelm derën dhe kështu hynë, duke qëlluar më parë rojën me qytën e armës te gjoksi, duke e rrëzuar në shesh. Në momentin që njëri prej të armatosurve ruante njerëzit, tjetri hyri në ambientet e brendshme të bankës.


Në momentet që të maskuarit ishin brenda, një tjetër klient tentoi të hyjë, duke mos kuptuar ç'po ndodhte, ngaqë dera ishte hapur. Por, sapo pa të maskuarit, kur një prej tyre i tha "Hajde brenda, se ne nuk kemi punë me ty", ai i frikësuar doli me vrap jashtë.


Kjo mjaftoi për t'i bërë personat e maskuar të nxitonin dhe të dilnin menjëherë, ku u dëgjua njëri që tha shpejt se mund të njoftojë policinë. Morën lekët në çanta dhe u larguan shumë shpejt. Sa morëm veten, erdhi policia dhe ne na mbajtën për të dëshmuar ato çfarë kishim pare".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›