E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli bën gati dërgatën drejt Tiranës

Vendtakimi i dytë Rama-Berisha mund të jetë Brukseli, ose Strasburgu

Zbulohet formati dhe mandati i ekspertëve europianë, që do të vijnë në Shqipëri për të ndihmuar në arritjen e një kompromisi mes dy forcave kryesore politike në vend. Siç u tregua, me të mbaruar darka e Strasburgut, dy grupimet kryesore politike europiane i kërkuan Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule, të ofronte ekspertë ligjorë për këtë ekip ndërmjetësues. Burime nga Parlamenti Europian, të pranishëm në darkën e 20 majit, rikujtuan për “Top Channel” se bisedimet te “Crocodile” mbi planin 5-pikësh u “mbytën” nga shpjegime tejet tekniko-ligjore, të bazuara në interpretime të legjislacionit shqiptar. “Për këtë arsye u vendos një afat kohor shtesë nga 2 deri në 3 javë dhe komisionit i kërkuam të ofrojë ekspertë të cilët do të jenë në gjendje të njohin, kuptojnë dhe interpretojnë siç duhet ligjet shqiptare”, shpjegoi një zyrtar i PE-së. Ndërkohë, mësohet se KE nuk po humbet kohë dhe se ditët e pushimit janë shfrytëzuar për ndërtimin e ekipit ndërmjetësues. “Ne po planifikojmë që një grup prej rreth 4 ekspertësh (maksimumi 5), të udhëtojë drejt Tiranës që në gjysmën e dytë të kësaj jave. Përveç një anëtari të kabinetit Fule, një përfaqësuesi të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerimin, si dhe një përfaqësuesi të Këshillit Europian, ne po përpiqemi që këtij ekipi t’i shtohet edhe një ekspert nga Komisioni i Venecias”, konfirmuan burime zyrtare të KE. Të njëjtat burime sqaruan se ndërsa pjesëtarët e tjerë të ekipit nuk pritet të jenë detyrimisht “ekspertë ligjorë”, ai i Komisionit të Venecias po përzgjidhet enkas për ndihmën e vyer që mund të japë për pjesën e komplikuar tekniko-ligjore të bisedimeve mes palëve.

Burimet e mësipërme insistuan në faktin se ekspertët europianë nuk do të udhëtojnë për në Tiranë me mandatin për të imponuar zgjidhje apo kompromis, por thjesht për të lexuar e për të kuptuar më mirë qëndrimet e palëve, e më pas, në bazë të ekspertizës së tyre, për të ofruar vetëm këshilla. “U takon dy forcave politike në Shqipëri për të arritur një kompromis. Ndërsa për ne më i rëndësishëm do të jetë zbatimi i marrëveshjes”, u shprehen këto burime, duke sqaruar se dy grupimet kryesore politike në PE, së bashku me KE, janë angazhuar në darkën e Strasburgut për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, në rast se ajo do të arrihet. Shqetësimi i BE-së nuk lidhet me mosmarrëveshjet politike, se sa me funksionimin “gjysmak” të institucioneve në vend. “Gjatë kësaj periudhe janë miratuar shumë ligje, akte apo strategji në Parlament. E për ne duket sikur mazhoranca po kalon me shpejtësi çfarë kërkon Brukseli, por pa debat mbi përmbajtjen e tyre. Ndaj është e rëndësishme prania e opozitës aty, për të parë se çfarë ndodh me zbatimin e MSA-së, me gjyqësorin, me ekonominë, e çështje të tjera. Kjo është më shumë e rëndësishme se sa arritja e këtij kompromisi, i cili tek e fundit, pas disa kohësh, do të harrohet”, shprehen këto burime.
Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm rreth bisedimeve që do të mbahen në Tiranë pritet të jetë ruajtja e sekretit. Duke e cilësuar në përgjithësi median në vend “të politizuar, agresive dhe sipërfaqësore”, europianët i tremben rrjedhjes së ndonjë informacioni të mundshëm nga përfaqësuesit partiakë, e më shumë se kaq, keqpërdorimit të medias apo keqinterpretimit prej saj, gjë që sipas tyre do të rrezikonte klimën e bisedimeve, si dhe arritjen e një kompromisi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›