E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për SHISH, Kuvendi e shtyn sërish

Mazhoranca ka shtyrë sërish miratimin në komisione të draftit ligjor për Shërbimin Informativ Shtetëror


TIRANË - Mazhoranca ka shtyrë sërish miratimin në komisione të draftit ligjor për Shërbimin Informativ Shtetëror. Këtë herë pretekst është gjetur mosprania në Shqipëri e drejtorit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, i cili ishte thirrur në një seancë dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, ku ishte parashikuar dje shqyrtimi i propozimeve të qeverisë për të bërë disa ndryshime në ligjin mbi të cilin organizohet dhe funksionon shërbimi shqiptar inteligjent.


Por, duket se mungesa e Shaqirit ka qenë një arsye dytësore, pasi siç mësohet nga burime pranë Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë ende shumica nuk ka marrë një vendim për këtë çështje.


Të njëjtat burime bëjnë të ditur se si pasojë e reagimit të opozitës, por edhe të disa përfaqësive diplomatike në vendin tonë, qeveria ka risjellë në Kuvend disa propozime të tjera, të cilat ende nuk dihet se çfarë përmbajnë në thelb.


Pak kohë më parë, Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskutoi ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror, (por pa marrë vendim) përmes një mbledhje sekrete të mbajtur në fillim të muajit Shkurt. Prej kohësh, opozita ka kontestuar me forcë përmbajtjen e këtij drafti.


Pak ditë më parë, deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, deklaroi se projekt ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, është një përpjekje e radhës e Kryeministrit Berisha, për të uzurpuar për interesa politike dhe personale këtë shërbim. Sipas PS-së, amendamenti i nenit tre, ku SHISH, ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurisë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore, për një funksion të tillë.


Ndryshimi tjetër i këtij neni, ku SHISH mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, sipas PS-së, pasi ligji ekzistues, nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale.


Propozimi tjetër, sipas opozitës, për të shtuar një paragraf ku SHISH ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative.


PS-ja ka kundërshtuar gjithashtu edhe kufizimin e mandatit të kryetarit të SHISH-it. Sipas draftit të sjellë nga qeveria, mandati i Drejtorit të SHISH-it është pesëvjeçar. I dyshimtë shihet edhe raportimi i Drejtorit të SHISH-it para kryeministrit, sa herë që ky i fundit do ta kërkojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›