E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i pistoletave, dy të arrestuar

Policia e kryeqytetit arrestoi në Qerret të Kavajës dy persona me armë që kishin ardhur nga Mali i Zi


TIRANË- Trafiku i pistoletave nga Mali i Zi, arrestohen dy persona në Kavajë, në afërsi të fshatit Qerret, ndërsa iu bllokohen 4 pistoleta, një automatik "Kallashnikov" dhe një silenciator për pistoleta.


Arif Zelo, 52 vjeç, dhe Ermir Dalipaj, 32 vjeç, të dy banorë të fshatit Dushk të Lushnjes, u kapën në flagrancë nga shërbimet e hetimit të Komisariatit të Kavajës, ndërsa mbaheshin në vëzhgim nga efektivët e zyrës së Hetimit kundër Trafikut në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Këta të fundit dyshoheshin nga hetuesit dhe ishin nën hetim prej disa muajsh, pas një procedimi penal të nisur për këtë çështje.


Nga burimet zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se dy të arrestuarit, Zelo dhe Dalipaj, u kapën në afërsi të fshatit Qerret në Kavajë, pasi në makinë me të cilën udhëtonin një veturë e markës "Benz" me targa LU 0692 C, ndodheshin dy armë zjarri pistoletë tip "Zaztava", një silenciator dhe rreth 50 fishekë, të cilat u bllokuan si provë materiale.


Sipas burimeve të policisë, mësohet se uniformat blu kanë gjetur dhe tri armë të tjera në banesat e të arrestuarve, ku bëhet fjalë për dy pistoleta tip "Zastava", njëra model nr. 27 dhe tjetër model 70. Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpitë e dy të arrestuarve efektivat e policisë kanë gjetur dhe një armë automatike tip "Kallashnikov" dhe 50 fishekë pistolete.


Nga hetimet e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, dyshohet se Arif Zelo dhe Ermir Dalipaj, armët i blinin në Mal të Zi dhe i kalonin ilegalisht në pikën e kalimit Kufitar të Muriqanit, për t'i tregtuar më pas në Shqipëri.


52- vjeçari Arif Zelo është person me precedentë penale për veprën penale të vjedhjes dhe trafikut të lëndëve narkotike. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur nëse ka pasur raste të tjera të trafikut të armëve nga Mali i Zi apo ndonjë shtet tjetër, ndërkohë që po hetohet nëse ka persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me dy të arrestuarit.


Dy të arrestuarit janë marrë në pyetje nga strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Tiranës dhe janë pyetur për mënyrën se si e kryenin aktivitetin e paligjshëm. Kapja e Arif Zelos dhe Ermir Dalipajt, u krye gjatë operacionit të koduar "Qerreti 2", ndërkohë që hetimet do të vazhdojnë edhe nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të trafikut të armëve dhe municioneve.

4 pistoleta të markës "Zastava" u bllokuan dy netë më parë nga Policia e kryeqyetit, në një operacion në Kavajë, ndërsa dyshohet se armët se vinin nga Mali i Zi

1 automatik Kallashnikov, u bllokua nga zyra e Antitrafikut, gjatë operacionit në fjalë, ndërsa bashkë me armët policia bllokoi edhe një silenciator

2 persona u arrestuan nga efektivët blu, gjatë kësaj ndërhyrjeje ndërsa ata akuzohen për trafik ndërkombëtar armësh. Pritet që dosja të mbërrijë tek Krimet e Rënda

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›