E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ruzhdija", Patozi: Humbëm mandatin, por kutitë s'hapen

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, flet për zgjedhjet në komunën Ruzhdije


TIRANË - Megjithëse prokuroria e qarkut Fier ka marrë nën hetim pesë komisionerët që monitoronin procesin zgjedhor në komunën Ruzhdije të këtij qarku për shpërdorim detyre gjatë numërimit të votave, dhe ku Partia Demokratike pretendon se ka humbur një mandat në këtë komunë, mazhoranca vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim, duke mos e cilësuar këtë rast si një provë për hapjen e kutive, të kërkuar edhe nga vetë spektri opozitar.


Në një konferencë për shtyp, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi dje se ishin komisionerët socialistë ata që u larguan nga qendra e votimit duke marrë vulën me vete.


Sipas tij, Kolegji Zgjedhor nuk vendosi përsëritjen e votimit në këtë komunë, por i cilësoi të pavlefshme votat e gjetura në kutinë e votimit. "Në fshatin Ruzhdije, pasi votimi kishte nisur, tre komisionerë socialistë u larguan nga qendra e tyre, për të mos u kthyer më atje, duke marrë me vete edhe njërën nga vulat.


Gjykata e Apelit, apo Kolegji Zgjedhor, pasi mori në shqyrtim rastin, nuk vendosi përsëritjen e votimit në Ruzhdije, por i deklaroi të pavlefshme 425 votat e gjetura në kuti, që në fakt përbënin 90 për qind të numrit të atyre që kishin votuar në atë fshat. Dhe siç është bërë e njohur tashmë, ky vendim solli për pasojë humbjen e një mandati të Partisë Demokratike në Qarkun e Fierit", - tha dje Patozi.


Ai theksoi se Partia Demokratike mbështet prokurorinë për nxjerrjen e përgjegjësve që abuzuan me procesin zgjedhor në komunën e Ruzhdijes. Patozi kërkoi që edhe kreu i opozitës, Edi Rama, t'i njohë vendimet që do të japë gjykata ndaj pesë komisionerëve ashtu siç njohu edhe vendimet e Gjykatës së Apelit për zgjedhjet e 28 Qershorit, duke lënë të kuptohet se rasti si "Ruzhdijes", nuk mund të merret si precedent për hapjen e kutive të votimit.


"Partia Demokratike, duke theksuar se simetria bipartizane në komisionet zgjedhore është kushti vendimtar për integritetin e procesit, ka mbështetur dhe mbështet organet gjyqësore dhe prokurorinë në nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive për Ruzhdijen dhe për çdo rast tjetër, mbi bazën e fakteve dhe provave të paraqitura nga subjektet politike dhe administrata zgjedhore.


Dhe në këtë këndvështrim parimor, e ftojmë zotin Rama, që ashtu siç e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor për Ruzhdijen, nëpërmjet të cilit përfitoi një mandat, të pranojë dhe respektojë edhe çdo vendim tjetër të tij", - përfundoi Patozi.


Mazhoranca ka pranuar që të shqyrtojë në Kuvend kërkesat e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve përmes ngritjes së një komisioni hetimor, por ndaj hapjes së kutive, shumica mban një qëndrim refuzues, duke thënë se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatave që janë dhënë për zgjedhjet.

******************

PS: PD të hapë kutinë e "Ruzhdies" ose të largohet

TIRANË- Pas qëndrimit të mazhorancës për rastin e komunës "Ruzhdije" të qarkut Fier, reagoi edhe Partia Socialiste, e cila kërkoi që shumica të hapë kutinë e kësaj komune për të vërtetuar, sipas saj, krimin elektoral që është kryer ndaj zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Deputeti i "selisë rozë", Fatmir Toçi, theksoi se qeveria duhet t'i lërë mënjanë justifikimet dhe të hapë kutinë e votimit pikërisht në komunën, ku mazhoranca pretendon se ka humbur një mandat.


Sipas deputetit socialist, nëse nga hapja e kësaj kutie nuk vërtetohet që janë kryer parregullsi, atëherë opozita do të tërhiqet nga kërkesa për të kryer transparencë për zgjedhjet parlamentare.


Por, nëse gjatë hetimit në këtë komunë del në pah, manipulimi i procesit zgjedhor, atëherë sipas Toçit, ose do të kryhet transparenca edhe në qarqet e tjera, ose do të kërkohet largimi i qeverisë që, sipas tij, ka ardhur në pushtet me anë të vjedhjes së votave. "Qeveria e Ruzhdijes t'i lërë lojërat e fjalëve dhe të hapë para popullit kutinë e Ruzhdijes ku ankohet se ka humbur mandatin.


Nëse në atë kuti nuk del ajo që ne themi për shumë kuti të tjera atëherë ne tërhiqemi, por nëse nga Ruzhdija del dora që ka vjedhur zgjedhjet në 28 qershor atëherë ose do hapen Ruzhdijet e tjera ose apeli ynë për popullin do të jetë largimi i qeverisë së votave të vjedhura",- tha dje Toçi gjatë një konference për shtyp.


Gjatë paraqitjes së nismave të saj në Kuvend për hapjen e kutive të votimit, opozita i ka kërkuar mazhorancës që të pranojë vetëm hapjen e kutisë së komunës "Ruzhdije", për të vërtetuar parregullsitë që janë kryer nga komisionerët në procesin e numërimit, dhe për të lënë mënjanë të gjitha qarqet e tjera ku Partia Socialiste pretendon se janë kryer manipulime në procesin zgjedhor.


Megjithatë, nismat e paraqitura nga opozita janë pranuar nga mazhoranca për t'u shqyrtuar më 18 mars në Parlament, megjithëse nuk është arritur në një konsensus për thelbin e problematikës që është hapja e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›