E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infektimi i “trangullit”, asnjë rast i evidentuar në Shqipëri

SHKRUAN: Jonida Tashi 31-05-2011 11:34

Shqipëria deri tani nuk ka asnjë pacient të prekur nga bakteri Esherika Koli, që vetëm pak muaj pasi bota ra në qetësi nga virusi A/H1N1, ka rivënë në alarm shëndetësinë dhe popullsinë në mbarë globin. Duke marrë shkas nga kjo situatë, që tashmë ka “pushtuar” Europën, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka sqaruar dje opinion publik për gjendjen në vendin tonë, duke bërë të ditura edhe masat që janë marrë për t’u mbrojtur nga infektimi me bakterin Esherika Koli. Sipas kreut të Shëndetësisë, Petrit Vasili, rreziku i infektimit nga ky bakter është i ulët, pasi Shqipëria nuk importon perime nga vendet ku numri i pacientëve të infektuar i ka kaluar 1000. Sipas të dhënave nga OBSH, numri i të prekurve nga Esherika Koli (Escherichia Coli) në Gjermani ka shkuar në 1200, ndërsa 10 persona kanë humbur jetën. “Shqipëria është vendi më pak i rrezikuar, por nuk kemi asnjë të drejtë që në një moment emergjence të shëndetit publik paneuropian, e lokalizuar e tëra në Europë, të mos tregojmë vëmendje maksimale, sepse logjika e vendeve të tilla është se atje ku bie vigjilenca, atje ndodhin ngjarje. Kështu që, ne do sillemi me atë sistem maksimal vigjilence si më parë, siç kemi përballuar edhe pandemi të tjera”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë. Në kuadër të parandalimit, ministri Vasili u bën apel të gjithë qytetarëve të mos neglizhojnë asnjë nga këshillat, të cilat janë masat më të mira parandaluese. “Masa të forta higjieno-sanitare, që fillojnë nga përpunimi shumë i kujdesshëm, larje të kujdesshme dhe të thellë të perimeve dhe mjeteve që operojmë me perimet, thikat apo instrumente të tjera kulinare. Mbajtje të higjienës vetjake, larja me ujë të bollshëm, me sapunë dhe detersivë që përdoren rëndomë për të gjithë ata që operojnë me perime”, - këshilloi ministri Vasili. Më tej, ministri tha se më shumë kujdes duhet të kenë qytetarët të cilët udhëtojnë në vendet e prekura tashmë, por megjithatë, bakteri i cili mendohet se është përhapur nga zarzavatet, kryesisht trangulli i importuar nga Spanja drejt disa vendeve të BE-së, nuk përhapet nga njeriu te njeriu. Ky bakter që është shfaqur te perimet e në veçanti te trangulli, sipas mjekëve, sulmon veshkat dhe sistemin nervor qendror. Simptomat janë diarreja, të vjellat si dhe infektimi i zorrëve. Deri tani nuk është vërtetuar që ai mund të transmetohet nga njeriu te njeriu. Megjithëse në vendin tonë fatmirësisht nuk ka asnjë rast të infektuar nga Esherika Koli, i gjithë sistemi shëndetësor shqiptar është në gatishmëri maksimale, pas alarmit për shpërthim të Sindromit Uremik Hemolitik (SUH) në Gjermaninë Veriore dhe disa vende të tjera të Europës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, thekson se të gjitha institucionet shëndetësore janë porositur që të operojnë si në një gjendje emergjence. Ai ka bërë të ditur se porosi e veçantë e gjithë sistemit është evidentimi dhe mos neglizhimi i çdo shenje që ka lidhje me këtë sindromë. Në të njëjtën kohë, ministri Vasili, u ka bërë thirrje qytetarëve (pjesës së biznesit dhe turistëve në veçanti që operojnë në këto vende) për një vëmendje të shtuar dhe respektim rigoroz të masave higjieno-sanitare. Ndërkohë në Europë po shtohet paniku nga bakteri Esherika Koli. Pas Gjermanisë, ku numri i viktimave shkoi në dhjetë, ai rezulton të jetë përhapur edhe në Suedi, Danimarkë, Britani, Holandë e Austri. Për këtë arsye në vendin tonë është ndaluar importimi i trangullit. Ndonëse ne nuk importojmë perime nga Spanja, madje për shkak të sezonit as nga vendet fqinje, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tashmë ka një urdhër për të mos importuar nga asnjë vend i BE-së.

Nga ana tjetër, AKU ka njoftuar pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin për mos lejimin e importit të produkteve që dyshohet se janë të ndotura me këtë bakter në territorin e Republikës së Shqipërisë. Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka në funksionim sitemin e njoftimit 48 orë përpara mbërritjes për çdo produkt ushqimor, që parashikohet të importohet. Përveç kësaj, në pikat e kalimit kufitar stafi i inspektorëvë është i trajnuar dhe kryen të gjithë veprimet për kontrollin e produkteve konform rregullave që kanë dhe vendet e BE. Kjo do të thotë se është shumë e vështirë, për mos të thënë e pamundur që produkte me probleme për sigurinë e konsumatorit të importohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›