E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dragusha duhet të operohet

Alban Dragusha duhet të presë edhe disa javë për të debutuar me Kalmarin në kampionatin suedez, pasi do të operohet në hernia. Mbrojtësi kosovar shpreson ta kalojë sa më shpejt këtë dhe t’i rikthehet fushës së gjelbër. Nga Moral Pozhegu më 28 prill 2011 në ora 12:00

Përvoja e Alban Dragushës në Kalmar nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Mbrojtësi kosovar ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje këtë sezon në kampionatin suedez (Allsvenskan).

Por, 29 vjeçarit do t’i shtyhet debutimi edhe për disa javë pasi pritet t’i nënshtrohet një operacioni në hernia, pasi që nuk po mundet ta ndihmojë skuadrën e tij të re për shkak të dhimbjeve që ndien.

“Shpresoj ta kryej sa më shpejt operimin në hernia. Jam mërzitur duke qëndruar pa luajtur, dëshiroj të kthehem sa më shpejt dhe ta ndihmoj skuadrën në fushë”, ka thënë Dragusha për Express.

Për operimin e futbollistit prishtinas janë përgatitur edhe zyrtarët e klubit suedez. Fizioterapeuti i Kalmarit, Kjell Svensson, pret që Dragusha të operohet në një të ardhme të afërt.

Svensson beson se ish futbollisti i KEK-ut, i Kosovës së Prishtinës e i Trepçës do t’i kthehet fushës së blertë brenda një kohe të shkurtër.

“Albani po e praktikonte mjaft mirë atë që mundet ta bëjë në fushë, por ne jemi të gatshëm që ta operojmë në Kopenhagë. Presim që në një të ardhme të afërt ai t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik”, theksoi Svensson.

Kur operimi të përfundojë, sipas tij, Dragushës do t’i nevojiten tri javë rehabilitim, para se ai t’i kthehet stërvitjeve të plota. “Nëse operimi kryhet shpejt dhe nëse rehabilitimi shkon sipas planit, mendoj se ai do të ishte gati kah mesi i verës”, përfundoi Svensson.

Dragusha ishte transferuar në Kalmar gjatë janarit nga Skënderbeu i Korçës së bashku me Liridon Lecin. Edhe ky i fundit ende nuk ka debutuar me Kalmarin në kampionatin suedez pasi ka pasur disa probleme me lëndimet.

Por, ish futbollisti i disa skuadrave nga Kosova dhe Shqipëria ka kaluar lëndimin, derisa pritet që shumë shpejt të zhvillojë edhe ndeshjen e parë zyrtare me Kalmarin, pjesë e së cilës janë edhe dy kosovar tjerë; portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Besnik Rrustemaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›