Burnette përforcon Prishtinën

Kampioni aktual i Kosovës në basketboll, Sigal Prishtina është skuadra e parë që e ka shfrytëzuar afatin kalimtar për t’u përforcuar me basketbollistë para se të nisin garat e play-off-it dhe ato të fazës finale të Kupës së Kosovës.
Bardhekaltrit të mërkurën kanë bërë kërkesë në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) për ta regjistruar përforcimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Timothy Burnette.
Fundori së fundmi ka luajtur në Gjermani për skuadrën Wurzburg, derisa kampionit të Kosovës pritet t’i bashkohet në fund të kësaj jave, para ndeshjes që Sigal Prishtina e zhvillon në Prizren ndaj Bashkimit.
“Jemi përforcuar me këtë lojtarë me kërkesë të kryetrajnerit Arben Krasniqi. Ai ka konsideruar se vetëm ky lojtar i duhet në ekip dhe ia kemi plotësuar kërkesën si bord. Krasniqi thotë se ekipi i tij nuk ka nevojë për përforcime tjera, andaj nuk do të përforcohemi më”, ka thënë drejtori i Sigal Prishtinës, Artan Rugova.
Ai beson se me Burnetten Sigal Prishtina do t’ia del ta fitojë edhe sivjet titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, pavarësisht se sa do të përforcohen konkurrentët tjerë të saj.
“Ne nuk frikësohemi prej skuadrave tjera se me çfarë lojtarë do të përforcohen, sepse kemi ekip mjaft cilësor me lojtarë kualitativë për çdo pozitë dhe kemi kapacitet për të luftuar për të dy trofetë. Besojmë se edhe sivjet të dy trofetë do t’i fitojë skuadra jonë”, përfundoi Rugova.
Afati kalimtar përfundon më 2 maj, derisa këto ditë pritet të përforcohen edhe Peja, Bambi e Trepça.