E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku është Milevski?

Trajneri i Trepçës, Pance Milevski, është ‘zhdukur’ nga Mitrovica, pas përleshjes mes ‘xehetarëve’ dhe skuadrës së Bambit. Thuhet se maqedonasi e ka braktisur ekipin pasi ka marrë kërcënime nga tifozët mitrovicas për shkak se nuk ka pranuar ta denoncojë një lojtar serb për sulmin fizik ndaj tij. Drejtuesit e klubit gjelbër e zi e mohojnë këtë, derisa thonë se Milevski së shpejti do të rikthehet në Mitrovicë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 28 prill 2011 në ora 12:02

Që nga përleshja e 10 prillit mes basketbollistëve të Bambit dhe atyre të Trepçës, skuadra gjelbër e zi ka mbetur pa shef të shtabit teknik. Në fakt, trajneri i ‘xehetarëve’, Pance Milevski nuk është parë më në qytetin e Mitrovicës pas këtij incidenti ku kishte pësuar edhe vetë.

Trajneri maqedonas ishe goditur nga një basketbollist i Bambit gjatë përleshjes, por që nuk kishte pranuar ta denoncojë në Policinë e Kosovës. Burime të gazetës Express, brenda klubit mitrovicas, kanë bërë të ditur se vendim i Milevskit nuk u kishte pëlqyer disa tifozëve të Trepçës, të cilët e kanë kërcënuar atë.

Gjithnjë sipas këtij burimi, duket se shkaku i kërcënimeve që kishte marrë nga tifozët, Milevski e ka braktisur ekipin.

“Nuk e di ku është dhe nuk e kemi asnjë informatë zyrtare. Tash e më shumë se dhjetë ditë ai nuk është paraqitur në asnjë stërvitje të ekipit. Por, po flitet se disa tifozë e kanë kërcënuar, pasi ai ka hezituar të jep deklaratë që është sulmuar nga një lojtar i Bambit”, ka thënë ky burim.

Por, një version tjetër e jep drejtori i Trepçës, Besim Braha. Sipas tij, Milevski me leje të bordit të klubit ka shkuar përkohësisht në Maqedoni. Madje, Braha thotë se Milevski shumë shpejt do t’i kthehet ekipit mitrovicas.

“Sinqerisht nuk është ashtu, kinse ai u largu shkaku i kërcënimeve. Milevski i ka pasur disa punë private për t’i kryer. Ka marrë leje nga klubi dhe ne e kemi liruar përkohësisht. Ai shumë shpejt do të kthehet. Në javën e ardhshme besoj që do të kthehet”, ka deklaruar Braha për Express.

Që prej largimit të Pance Milevskit, ekipin nga Mitrovica është duke e drejtuar Bujar Begu.

Trepça deri më tani i ka të tubuara 38 pikë dhe gjendet në vendin e katërt të tabelës së klasifikimit, pozitë kjo që ekipin mitrovicas e dërgon në garat e play-off-it për të luftuar për titullin e kampionit.

Prej njëzetepesë ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, ‘xehetarët’ i kanë fituar trembëdhjetë duele, ndërsa në dymbëdhjetë të tjera kanë pësuar humbje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›