Drama e grave të dhunuara inskenohet

Elizabeth Hess, dramaturge, aktore e producente amerikane, rrëfimin e një gruaje boshnjake të dhunuar gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë e kishte shndërruar në shfaqje teatri. “Dust to Dust” e kishte titulluar monodramën, në të cilën luan vetë Hess.
Pa e ditur se në mars të vitit 2013 do të shpërthente debati për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, organizata joqeveritare gjermane në Kosovë, “forumZFD” e kishte zgjedhur që ta trajtonte këtë temë, në mesin e katër atelieve të punës. Kjo është atelieja e tretë në kuadër të projektit “Duke kujtuar të kaluarën në Kosovë: Kujtesa kulturore mes fakteve dhe fiksionit”. E për këtë atelie është ftuar Elizabeth Hess, që të sjellë përvojën e saj të shkrimit dhe të krijimit të monodramës. Ajo do të udhëheqë atelienë pesëditore, që do të mbahet mes datave 23 dhe 27 prill. Atelia do të mbahet në teatrin “Dodona”. Konkursi për dhjetë artistë të rinj, që dëshirojnë të jenë pjesë e eksplorimit të temave nga e kaluara përmes formave artistike, tashmë është hapur.
“Do të eksplorohet tema e dhunimeve gjatë luftës, si dhe përfaqësimi i tyre në diskursin publik, përmes teatrit dokumentar”, ka treguar Doruntina Basha, menaxhere e projektit.
Ajo thotë se gjatë pesë ditëve të ateliesë, pjesëmarrësit - të cilët do të jenë dramaturgë, aktorë e regjisorë të rinj - nën udhëheqjen e Hess do të eksplorojnë tabutë dhe konceptet e “turpit”, të cilat e formësojnë diskursin publik të dhunimeve të luftës në Kosovë, përmes trupit, zërit, e imazheve. Dramaturgia Basha ka bindjen se teatri dokumentar ka fuqi të sjellë rrëfime që mund të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në debatet që shtjellohen në një shoqëri.
“Sepse ka mundësi të sjell rrëfime të vërteta - të pafiksionalizuara - dhe t’i ndajë ato, pa ndërmjetësim, me publikun, në momente kur ato debate përpiqen të shtypen nga diskursi publik për shkak se konsiderohen ‘tabu’ ose të ‘vështira’”, ka thënë Basha, shkruan Koha Ditore.
Ajo që e bën më të rëndësishme këtë lloj teatri, sipas Bashës, është kur trajtohen tema nga e kaluara, të cilat janë të vështira për t’u diskutuar haptas në një shoqëri, por që është e domosdoshme që kjo të ndodhë.
“Sikur diskutimi për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke e pasur parasysh gjithnjë që ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për një shoqëri e cila ka përjetuar luftë”, ka thënë Basha.
Menaxherja e projektit thotë se temat e atelieve janë planifikuar shumë më herët, teksa është koincidencë me debatin për të dhunuarat gjatë luftës. Me kërkesë të lëvizjes “Vetëvendosje”, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim amendamentin i cili njeh statusin e viktimave të dhunës seksuale të dhunuarve gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky amendament është bërë pjesë e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Kjo ka ngjallur debat të ashpër mes atyre që mbështetin dhe kundërshtojnë që të njihet edhe statusi i grave të dhunuara si viktima të luftës. Ani pse rastësisht, Basha ka bindjen se kjo atelie do t’i kontribuojë debatit, meqë, siç thotë ajo, debati aktualisht është i përqendruar vetëm në nivel politik dhe atë të shoqërisë civile në vend.
“Konsideroj se kemi bërë shumë mirë që e kemi përzgjedhur këtë temë për atelienë tonë të tretë, pikërisht në këtë kohë, me shpresë që do të krijojë mundësi që edhe artistët e rinj të bëhen pjesëmarrës në këtë debat”, ka thënë Basha. “Do të ofrohet një perspektiv e re”.
Për dallim prej dy atelieve të para kur prezantimi i punës është bërë në ditën e fundit të punës kërkimore, gjetjet e këtij eksplorimi - meqenëse për një krijim të tillë do të nevojitet më shumë kohë - do të prezantohen para publikut në maj, gjatë festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, në qendrën “Multimedia” në Prishtinë. Kjo atelie realizohet në bashkëpunim me “Kvinna till Kvinna”.
Ndryshe, Elizabeth Hess gjatë qëndrimit në Kosovë do të shfaqë monodramën e saj “Dust to Dust” në festivalin e monodrames “MonoAkt”./Indeksonline/