Drama e gruas vjen tek Jerma në Akademinë e Arteve
Pas katër muajsh që u shpall fituese e festivalit të regjisoreve të rinj me shfaqjen Shtëpia e Bernarda Albës, regjisorja Alma Hoti vjen serish në skenë këtë radhë në Akademinë e Arteve me shfaqjen "Jerma" nga po i njëjti autor Federico Garsia Lorca sërish në një tjetër bashkëpunim me Ambasadën Spanjolle në kuadrin e javës së letërsisë spanjolle. Jerma vihet për
herë të parë në skenë dhe është një tjetër kryevepër e Lorcës, që bën pjesë në trilogjinë e dramës së gruas. Pas Shtëpisë së Bernarda Albës Lorca shkroi "Jermën" dhe më pas Dasëm Gjaku. Në të tria këto vepra prioritet kryesor Lorca i ka dhënë femrës, ndjesive të saj, dëshirave të saj në të gjithë kuptimin e fjalës. Jerma është emri i personazhit kryesor, që vuan në mënyrë torturuese martesën me një burrë, të cilin ia kanë dhënë për hir të pasurisë. Ajo përjeton mungesën e tmerrshme të një fëmije, i cili nuk vjen kurrë pasi burri i saj nuk bënte fëmijë. Që është e persekutuar nga mentaliteti meskin nga morali i shtirur nga ligje dhe rregulla absurde të një shoqërie patriarkale. Jerma është një femër shumë e bukur e re dhe ka ëndrra dhe dëshira për të bërë një jetë të gjallë të mbushur me dashuri, pasion. Në mënyrën më të drejtpërdrejtë ajo lufton për të marrë çdo gjë që ka nevojë një grua nga burri i saj dhe në momentin që ai nuk reagon dhe është indiferent ajo gjen përkrahje dhe mbështetje në krahët e një burri tjetër, duke jetuar një dashuri magjike, shumë pasionante, dashuri e cila i jep dhe mundësinë për të pasur një fëmijë, por fati tragjik bën që burri i saj ta keqtrajtojë dhe ta çojë në humbjen e shansit për të pasur një fëmijë. Largimi i detyruar i Viktorit, lufta me Huanin dhe humbja e mundësisë për të pasur një fëmijë e çojnë Jermën në humbjen e llogjikës, duke e bërë vrasëse të burrit të saj. Vepra ka sa momente dramatike aq dhe komike dhe kjo e bën të rrallë në llojin e saj. Për veprën regjisorja tregon se: Pas Shtëpia e Bernarda Albës në skenë do të sjell një tjetër kryevepër të këtij autori të madh botëror, i cili tashmë është i njohur me dramaturgjinë e tij. Një nga frazat kryesore të veprës është: Femra është si lulja që po nuk ujite ajo thahet. Në vepër do të interpretojnë aktorë të rinj që janë të talentuar dhe shpresojmë se do të sjellim një vepër të bukur tek publiku. Kasti i aktorëve përbëhet nga Ermela Ruri, që luan Jermën, Arbër Islami që luan burrin Huanin, Ledio Janushi që luan të dashurin Viktorin, Arejta Dhima që luan Marinë shoqen e Jermës, Elona Hyseni që luan gruan e vjetër si dhe disa aktore të tjera të reja. Skenografia dhe kostumografia është realizuar nga Beqir Nanai, që është dhe fituesi si skenografi më i mirë në festivalin e regjisorëve të rinj. Shfaqja Jermado të jetë premierë në skenën për publikun të shtunën dhe të diel në orën 19.00 në sallën e madhe të Akademisë së Arteve.
Lorca, përfaqësuesi më i mirë i letrave spanjolle
Është e vështirë që të imagjinohet një përfaqësues më i mirë i letrave spanjolle në skenat shqiptare sesa Federico Garcia Lorca nga viktimat e Luftës Civile Spanjolle, teksa vdiste i pushkatuar në Granada me 1936. Ai është pa dyshim, poeti dhe dramaturgu spanjoll më i njohur botërisht i shekullit XX. Ndërgjegjja e tij shoqërore dhe pozicionet e tij antifashiste e bënë viktimë fatale të Luftës Civile Spanjolle, pasi vdiq i pushkatuar në Granada me 1936. Teatri i tij, së bashku me atë të Valle-Inclan, është më personali, brilanti dhe popullori i shkruar në gjuhën spanjolle gjatë shekullit të kaluar; një teatër i mbushur me simbole dhe personazhe lirikë, por plot sens të thellë të forcës së natyrës dhe jetës. Karakteristika që mund të vlerësohen në Shtëpia e Bernarda Albës, e shkruar në 1936, pak ditë para se autori të arrestohej, dhe që është maja e veprës së vërtetë të Garsia Lorcës me të cilën teatri i tij arrin kulmin. Pasi ka mbetur e ve për herë të dytë Bernarda Alba vendos të mbajë një zi të rreptë, ajo dhe vajzat e saj. Do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Por gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romani, i cili mbjell në shtëpi xhelozi e pasione. Vetë Garsia Lorca e kualifikoi veprën si "drama e grave të fshatrave të Spanjës", tragjedi që shfaqet me një forcë të pakalueshme: një ambient i mbyllur, mbytës, zija e detyruar nga zonja dhe ndalimi për të dalë nga shtëpia përfundojnë në një fatalitet.
Nga Julia Vrapi