E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama shqipe në Paris

Vepra të tre dramaturgëve shqiptarë Jeton Neziraj, Teki Dervishi dhe Kasëm Trebeshina do të prezantohen në Paris, në një organizim të “Maison d'Europe et d'Orient” nga Parisi.

Nga data 6 deri më 9 dhjetor të këtij viti, në Paris, në “Shtëpinë e Evropës dhe Orientit” do të bëhet një prezantim dinjitoz i dramaturgjisë shqipe. Teki Dervishi, Kasëm Trebeshina dhe Jeton Neziraj janë tre dramaturgë shqiptarë, dramat e të cilëve do t’i prezantohen shikuesit francez, në një organizim të “Maison d'Europe et d'Orient” nga Parisi.

Ky lloj minifestivali i dramaturgjisë shqipe në Paris hapet me datë 6 dhjetor në MEO (Shtëpia e Evropës dhe Orientit) me prezantimin e dy dramave të Jeton Nezirajt të përkthyera në frëngjisht. Drama e parë “La Guerre au temps de l'amour” , përkthyer nga Anne-Marie Bucquet, do të prezantohet nga regjisori francez Philippe Lanton dhe teatri i tij “Compagnie LE CARTEL”. Drama e dytë “L’Effondrement de la Tour Eiffel”, e përkthyer nga Arben Bajraktaraj, do të prezantohet nga regjisorja franceze Florence Bermond dhe teatri “Compagnie La Louve Aimantée”, me aktorët: Marie-France Alvarez, Christophe Chene, Simon Pitaqaj, Jutta Wernicke-Sazunkiewizc e Arben Bajraktaraj. Mbas këtyre dy prezantimeve, do të ketë edhe një debat në të cilin, veç ekipës, do të jetë i pranishëm edhe dramaturgu Jeton Neziraj. Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që Neziraj i prezantohet publikut francez. Ai aktualisht është duke qëndruar në Paris në një bursë për shkrimtarë të ndarë nga “Region Ile-de-France”.

“Natyrisht, është prezantim i rëndësishëm. Jam i lumtur që dramat e mia kanë filluar t`i prezantohen edhe publikut francez. MEO është institut francez serioz dhe ky prezantim është rezultat i angazhimit të madh të tyre”, tha Neziraj.

Ndërsa, më 8 dhjetor do të prezantohet një video-projeksion i shkurtër nga Selam Hajrizi, që i kushtohet Teki Dervishit. Po këtë mbrëmje do të prezantohet edhe drama e Dervishit “Au seuil de la desolation”, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier dhe Arben Bajraktaraj, produksion i “Compagnie HELLOI” me regji të Arben Bajraktaraj, asistent regjie: Jutta Wernicke Sazunkiewisz, me aktorët: Cedric Appietto, Arben Bajraktaraj, Florence Bermond, Tomasz Bialkowski, Christophe Chene, Jean –Marie Galey, Flonja Kodheli, Natasha Mashkevitch, Jutta Wernicke-Sazunkiewisz, e me muzikë të Vlashent Sata.

Ndërsa, më datë 9 dhjetor para publikut francez do të prezantohet drama “La Forêt” e dramaturgut Kasëm Trebeshina, e përkthyer nga Anne-Marie Autissier. Regjia: Cyril Lévi-Provençal, me aktorët: Patrick Alaguératéguy, Céline Barcq, Fabrice Clément, Dominique Dolmieu, Michel Fouquet, Frank Lacroix, Nouche Jouglet-Marcus, Barnabé Perrotey, Cyril Lévi-Provençal, Christophe Sigognault dhe Federico Uguccioni.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›