E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirlo dëshiron trofe

Andrea Pirlo i ka ngritur në këmbë tifozët e Juventusit në një intervistë dhënë ueb faqes zyrtare të FIFA-s. Mesfushori i Bianconerëve, regjisor i lojës së ekipit të Antonio Contes deri tash, ka thënë se dëshiron të fitojë diçka në Torino, pas shumë sukseseve që arriti me Milanin gjatë dhjetë vjetëve.

“Dëshiroj të fitoj me këtë skuadër, por është shumë herët të thuhet kjo. Madje nuk mendoj se ka ardhur momenti për të menduar për një gjë të tillë. Juventusi i mbylli dy edicionet e fundit në pozitën e shtatë, kështu që duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë, të vazhdojmë të punojmë e mbi të gjitha të vazhdojmë të luajmë siç kemi bërë deri tash”, deklaroi përfaqësuesi italian.

Ish futbollisti i Interit dhe i Brescias e ndien rëndësinë e fanellës bardh e zi. “Juventusi përfaqëson vite të lavdishme dhe të historisë. Ndihem i nderuar që e vesh këtë fanellë, pasi luajta shumë vite në Milan, një skuadër tjetër me histori dhe traditë. Sot jam i kënaqur, ose më mirë të them, i lumtur”, vazhdoi ai.

Pirlo e ka krahasuar trajnerin Conte me ish trajnerin e tij, Carlo Ancelotti, por edhe me ish selektorin e Italisë, Marcello Lippi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›