E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dramë frutash në Nju Jork

Quhet Behar... e ndoshta nuk është rastësi që preferon të përcjellë për publikun të gjitha frutat dhe emocionet e stinës. Behar Bali Ferati është një artist shqiptar nga Maqedonia. Tetova është qyteti i tij, të cilën e identifikon me "mollët e gjelbra". Janë një gosti frutash e ngjyrash punët e artistit nga Tetova, të cilat i ekspozoi për thuajse një javë në galerinë "MC" në Nju Jork. Në prezantimin që i bën galeria në faqen zyrtare në internet, në tekstin e shkruar prej Nora Halimit, thuhet se

imazhi i frutave që qëndrojnë një hapësirën joreale, abstrakte, të shkëputura nga natyra dhe jeta shfaqet e rishfaqet në grafikët e Feratit. Këto janë krijime shoqëruese me elemente që i referohen një realiteti të caktuar, të afërt dhe të njohur për autorin, teksa mbajnë një mesazh të papërcaktuar. Grafikët e tij janë meditime që të çojnë pranë natyrës, duke transmetuar tek audienca tingullin e heshtur të dramës që flet me formën, ngjyrat, konturën dhe tekstin. Kjo dramë e krijuar e frutave merr rëndësi dhe peshë nisur nga konteksti aktual. Bjerrja e mendimeve dhe ndjenjave, shqetësimet e artistit krijojnë një atmosferë morale dhe emocionale të vendit e kohës. Por ajo që e përshkon këtë krijimtari, më shumë se sa koha reale, janë sjelljet emotive që artisti i ka përfituar gjatë jetës së tij, duke përçuar një shije dëshpërimi, nostalgjie të përzier me pak ironi që rrjedh vazhdimisht nga një këndvështrim njerëzor bashkëkohor. Behar Ferati ka studiuar në shkollën e grafikës dhe në Akademinë e Arteve Pamore në Tetovë. Ai ka çelur një sërë ekspozitash në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e Itali. Ekspozita në galerinë "MC" u çel më 28 maj. Dje ishte përballja e saj e fundit me publikun. Pas kësaj, Ferati pritet të çelë një ekspozitë në Berat.

Mbrëmë ishte takimi i fundit me publikun me rastin e ekspozitës që keni çelur në galerinë "MC" në Nju Jork. Si lindi bashkëpunimi?

Është kënaqësi e veçantë kur autori futet në lojën e një forme të re menaxhuese në kulturën figurative, ku vijnë shprehje të cilat ne përtej Atlantikut nuk i praktikojmë dhe jemi sentimentalisht të lidhur me një organizim që nuk korrespondon drejtpërsëdrejti me tregun e lirë. Derisa konteksti të cilin e përmenda në shoqërinë ku jetoj ka të bëjë me rivalitetin, këtu imponohet një komunikim, i cili kërkon vlerën reale dhe i nënshtrohet shpatës se mprehtë të tregut e vlerave të suksesit në një vend ku askush nuk mbahet me hatër. Pikërisht këtu është dhe kënaqësia ime në këtë ekspozitë jashtë vendit.

Me sa punime u paraqitët në këtë ekspozitë?

Autori vetë përherë është subjektiv ndaj vetvetes dhe ka nevojë konkrete të korrigjimit apo ndërtimit të konceptit nga ana e tjetërkujt, sepse futet në lojë edhe sentimentaliteti ndaj veprës. Gjithsesi, unë, duke u konsultuar me të tjerë, kam zgjedhur të prezantoj për ekspozitën time një tezë me njëzet e pesë fleta grafika. Ato janë frutat e vendlindjes. Cilat fruta janë? Po qe se nisemi duke sqaruar poetiken dhe simboliken e secilit frut më vete, atëherë do të nevojitet një këndvështrim më i gjerë, ku kjo bisedë nuk e ka hapësirën e nevojshme. Megjithatë do të përmend vetëm një frut: mollën. Kush nuk e do atë? E dashura, nëna, motra, e kush tjetër. Por dalim edhe një herë tek ajo që thashë më sipër, se autori është subjektiv ndaj veprës së tij, ndaj edhe unë jam subjektiv, sepse jam tepër i lidhur me mollën e gjelbër tetovare, vendit nga ku vij.

Në cilën periudhë janë krijuar veprat tuaja dhe çfarë prezantojnë ato?

Periudha e krijimit të këtyre veprave zgjat diku për dhjetë vjet. Ndërkaq, duke qenë se unë jam edhe portretist për këtë ekspozitë, kam zgjedhur të paraqes edhe tri portrete, të cilat gjithashtu lidhen me vendlindjen, jo si ndjenjë, por si konstatim. Në këtë lojë, po e quaj kështu, u bëra pjesë për shkak të faktorit "ftohet - ngrohet" në ngjarjet shoqërore, si edhe gërshetimi ballkanik i poetikes momentale, të paktën në këto 15 vitet e fundit, gjithnjë duke pasur parasysh këto raporte. Frymëzimi i kësaj qasjeje vjen nga disa drejtime, qoftë në kulturën figurative, qoftë në poetiken politike. Këndvështrimi im ndoshta ka të bëjë më tepër me poetiken shpirtërore, të cilën e kam përcjellë edhe në këtë poezi figurative, pra në grafikët e mi. Gërshetimi ballkanik, të cilin unë e trajtoj si një mjet social me karakterin e vlerës së përbashkët poetike, më bën të analizoj më tepër dhe të frymëzohem që nëpërmjet veprave të mia të nxjerr sa më shumë variacione, në mënyrë që e ardhmja e kërkimit tim në kulturën figurative të jetë më e gjerë. E sigurisht që do të ketë vepra të reja, por unë do të vazhdoj të jem i lidhur me frutat dhe me portretet. Në këtë drejtim do të kem nevojë të bëj sqarimin e reales dhe ireales në kontekst të asaj që është e qartë dhe asaj që në vete ngërthen misticizëm. Veprat që kam përzgjedhur për këtë ekspozitë janë pjesë e një cikli.

Si u vlerësuan punimet tuaja, por edhe ju si artist në galerinë njujorkeze?

Përpos interesimit të madh të publikut të artit figurativ pata nder që në këtë ekspozitë të shoh edhe emra të shquar të kulturës shqiptare dhe konsumues të kësaj kulture të vendit në të cilin ndodhi aktiviteti. Përpos artdashësve të Nju Jorkut, pati edhe dashamirës të tjerë, të cilët më kërkuan që e njëjta ekspozitë të çelet edhe në Florida.

Ju punoni në gjininë e grafikës. A mund të më thoni diçka më shumë në lidhje me të?

Fletëgrafikat e mia janë të punuara në teknikën e aquatintes dhe asaj të kombinuar, edhe pse është e vështirë për t‘u realizuar, pasi përdor acide të ndryshme për të gdhendur pllakën. Megjithatë, kjo është një teknikë që fle tek unë, pasi ajo më jep mundësi më të mëdha shprehëse.

Çfarë ju tërheq më shumë nga kjo gjini? Sipas jush, çfarë e bën atë më interesante në krahasim me gjinitë e tjera të artit pamor?

Vetë dëshira e artistit është të vendosë se ku e gjen veten dhe lirinë shprehëse. Krahasimi nga artet e tjera pamore është këndi teknologjik specifik, si dhe këndi vizual në perceptim.

Nga lind frymëzimi juaj?

Ku jam? Çfarë bëj? Me kë komunikoj? Kafja e mëngjesit, çastet e mbrëmjes! Çfarë më shqetëson... Gërshetimi i sendeve ditore, javore, vazhdueshmëria në komunikimin vizual figurativ, në drejtim ireal dhe real, ndeshja me vetveten, e cila ka të bëjë edhe me kundërshtitë shoqërore. Krejt këto segmente janë pjesë e të menduarit tim në këtë drejtim.

Ju jetoni e punoni në Maqedoni. Si ndihet një artist në vendin tuaj? A vlerësohet ai?

Po. Faleminderit për këtë pyetje. Jam optimist dhe kam zgjedhur rrugën e rëndë, e cila është e vështirë për t‘u përballuar vetëm, por që mendoj se është e vetmja qasje që sjell suksesin, e në këtë pikë nuk ndihem vetëm artist i Maqedonisë. E them këtë, sepse konkurrencën time nuk e shikoj vetëm në Maqedoni, por me artistë nga e gjithë bota. Për mendimin tim, një artist e ka të nevojshëm komunikimin e ndërsjellë me të gjitha hapësirat e mundshme. Në shekullin që jetojmë, që një artist ta meritojë këtë emër duhet të ndajë eksperienca, të mos mbyllet brenda kufijve, por të komunikojë, sepse është ai që i jep jetë artit. Në fakt, jam i vetëdijshëm që vepra ime nuk është e pranueshme gjithkund, por si artist ndiej detyrimin t‘i gjej vendin asaj. Publiku im është kudo që grafika ime kërkohet, kështu funksionon në vende të botës. Në fakt, mua më pëlqen të jem pjesë e menaxhimit perëndimor në kontekst të vlerës që do të thotë: ju vleni sa ju kërkojnë. Sa i përket Maqedonisë, ajo ka ruajtur me xhelozi sistemin e komunikimit dhe formën tipike socializuese, e cila sipas meje, më shumë shkakton xhelozi ndërmjet artistëve në llogari të prezantimit cilësor, duke bërë që rrota të lëvizë në vend.

Cilat janë vështirësitë dhe lehtësirat me të cilat përballeni?

Në Maqedoni funksionojnë shumë pak agjentët apo menaxhuesit ekonomikë të kulturës figurative dhe kjo sjell dëm material për artistin. Në Maqedoni ndodh që artisti vetëmenaxhohet, ndërsa sa u përket anëve të tjera, sa i përket materialeve dhe segmenteve të tjera për krijimin e veprës, ato shkojnë më mirë.

Ekspozimet përtej kufijve janë të vështira për t‘u arritur, flas për kushtet në të cilat krijoni ju në Maqedoni, por edhe duke u bazuar te çfarë ndodh në Shqipëri. Ju si ia keni dalë mbanë?

Unë them se nuk është e vështirë nëse artisti ka vepra të arrira, por edhe nga kontakti i vazhdueshëm që mund të ketë me galeri të ndryshme.

Ju jeni shqiptar i Maqedonisë. A e keni vizituar Shqipërinë në kuadër ekspozues?

Kam ardhur disa herë në Shqipëri, por kam ekspozuar vetëm një herë në një ekspozitë kolektive, e cila u zhvillua në Korçë.

Cilat janë projektet e ardhshme?

Kam shumë projekte që shpresoj të më realizohen. Këtë vit, pas kësaj ekspozite në Nju Jork, pres të çel një ekspozitë në Shqipëri, e cila do të mbahet në qytetin e Beratit. Pas kësaj do të ekspozoj në Tetovë, e në muajin dhjetor do të jem në Qendrën për Kulturë dhe Informim në Shkup. Ndërkaq kam projekte që vitin e ardhshëm të ekspozoj në Paris, Helsink dhe Kanada.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›