Prishtina pret librin shqip
Një ceremoni zyrtare ka çelur mbrëmjen e së mërkurës edicionin e 11-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Mbi 100 botues nga mbarë trevat shqiptare, por edhe ata të diasporës kanë udhëtuar drejt kryeqytetit të Kosovës për të prezantuar botimet e reja. Janë të shumtë botuesit nga Tirana, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë aktivitet për të qenë me librat e tyre pranë lexuesve kosovarë. Gjatë ceremonisë së çeljes, Nazmi Rrahmani, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës ka theksuar se "Panairi është edhe një rast i mirë që libri i botuar nga të gjitha viset shqiptare të jetë më afër lexuesit". Ndërkohë, si pjesë e një diskutimi që ka qenë gjithnjë i pranishëm edhe në panairin e Tiranës, Rrahmani u shpreh se "po bëhen përpjekje që të krijohen mundësi dhe kushte që libri të depërtojë sa më lirshëm dhe me më pak pengesa, sepse ai është njëri ndër faktorët më të rëndësishëm të integrimeve shpirtërore shqiptare". Më tej ai gjithashtu përmendi faktin se institucionet e Kosovës tashmë kanë bërë propozimin për heqjen e taksave dhe pengesave të tjera të ndryshme të qarkullimit të lirë të librit. I ftuar nderi i këtij edicioni ka qenë Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili ka mbajtur një fjalim e ka shëtitur në disa tenda të shtëpive botuese. "Është thënë sa e sa herë se libri është arma më e fuqishme e një kombi, se libri është drita e jetës, se një komb që rron pa libra rron në verbëri", ka theksuar presidenti Sejdiu duke kujtuar me këtë rast se në dyert e këtij panairi kanë kaluar shumë emra të njohur të kulturës, mes të cilëve edhe ata që ai i quajti më të veçantit e botës sonë krijuese dhe intelektuale. "Ata janë Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare, të cilët kanë pasur fatin të hapin këtë panair, ndërsa ne kemi pasur fatin të jemi bashkëkombës dhe bashkëkohës të tyre", ka theksuar Sejdiu. Gjatë ditëve të panairit, i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 7 qershor, janë parashikuar disa prezantime librash. Mes tyre edhe botime që lidhen me përvjetorë të figurave të njohura të letërsisë.