E Diel, 1 Nëntor 2026

Dramë me bollëk

Tri fitore të ngushta dhe një barazim ndërmjet rivalëve spanjollë i kanë lënë të hapura të gjitha mundësitë për ndeshjet e kthimit çerekfinale të UEFA Europa League, që do ta zhvillohen të enjten mbrëma.

Fulham, Hamburg dhe Benfica kanë një përparësi karshi kundërshtarëve nga ndeshjet e para, derisa Wolfsburg, Standard Liege dhe Liverpool do të jenë në kërkim të golit sa më herët që të jetë e mundur, për ta shkrirë avantazhin e kundërshtarit.

Derisa rivalët e La Liga, Valencia e Atletico Madrid, pas katër golave të realizuara në ndeshjen e parë, do t’i masin forcat sërish me ekipin bardh e zi, që konsiderohet se ka një përparësi të lehtë, pasi luan përpara tifozëve të vet.

Liverpool do të ballafaqohet me Benfican pa dyshen e suspenduar Emiliano Insua e Ryan Babel. Pesë herë kampionët e Evropës treguan lojë të mirë në ndeshjen e parë, edhe pse humbën, ndërsa dyshja Gerrard-Torres, bashkë me shokët e tyre, janë optimistë se mund ta kalojnë edhe këtë pengesë.

Fituesi i këtij dueli do të takohet në gjysmëfinale me Atleticon ose Valencian. Kjo e fundit ka pësuar vetëm një humbje në 11 ndeshjet e fundit si mysafire në garat e UEFA-s, ndërsa David Villa e Juan Mata së bashku kanë realizuar 11 gola këtë sezon në Evropë.

Hmaburg mbetet gjithashtu në hap për ta siguruar një vend ndër katër skuadrat më të mira të këtij kompeticioni, për të dytën herë rresht. Gjermanët e fituan ndeshjen e parë 2:1 në Arena Hamburg, edhe pse ishin duke humbur nga Standard.

Ekipi i Bruno Labbadias megjithatë e ka gjetur rrugën e duhur në Evropë dhe udhëton në Belgjikë me besim të plotë për ta ndërprerë serinë prej tri humbjesh rresht si mysafir, të fundit pikërisht nga rivali i Standardit në kampionatin belg, Anderlecht.

Fulham po udhëhiqte 2:0 deri në fund të ndeshjes së parë ndaj Wolfsburg dhe e shihte veten afër gjysmëfinales, por goli i qendërmbrojtësit Alexander Madlung ia shtoi gjasat klubit gjerman, një minutë pa përfundimit të ndeshjes.

Pasi e eliminuan Juventusin, anglezët planifikojnë ta rrëzojnë edhe Wolfsburgun, për ta përmirësuar historinë e vogël që kanë, por kampionët e Gjermanisë vështirë se mund ta lëshojnë këtë rast që kanë në shtëpi të tyre.

UEFA Europa League
E enjte Ora
Atletico M – Valencia 21:05
Liverpool – Benfica 21:05
Standard L. – Hamburg 21:05
Wolfsburg – Fulham 21:05

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›