E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si PlayStation

Gjeniu i vogël, Lionel Messi, e ka çmendur të gjithë botën e sportit të martën mbrëma, pas katër golave që shënoi për Barcelonën në ndeshjen e kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Arsenalit.

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e konsideron yllin argjentinas si futbollistin më të mirë në planet. Mbi të gjitha, trajneri francez ka mbetur i befasuar me golin e katërt të 22 vjeçarit, i cili kaloi gjysmën e mbrojtjes së ekipit kundërshtar dhe në tentimin e dytë nuk dështoi.

“Goli i katërt që ai e shënoi, atë nuk do të mund ta bënin shumë futbollistë. Ai bëri gjëra të pabesueshme. Ai ka vite të tjera përpara tij. Ai mund të arrijë një nivel të pabesueshëm”, tha Wenger.

“Ai është PlayStation. Ai mund ta shfrytëzojë çdo gabim që e bëni ju. Megjithatë, unë mendoj që edhe ne luajtëm mirë”, tha francezi i cili në këtë ndeshje ishte i hendikepuar pa disa lojtarë të rëndësishëm, të cilët ishin lënduar në ndeshjen e parë që kishte përfunduar baras, 2:2.

Messi realizoi het-trick për vetëm 21 minuta. Mediet botërore ia kanë kushtuar tërësisht titujt gjeniut argjentinas: “Mbreti i futbollit”, “Mos thoni futboll, por Messi”, “MegaMessi”, “Messi shkakton frikë”, “Messi gjenial”, “Messi magjik”, “Perfect 10: së pari ishte Pelé më pas kishte arritur Maradona... Tash e përshëndesim mbretin e ri”, ishin vetëm disa nga titujt e gazetave nëpër botë.

Ndërsa trajneri i Barçës, Pep Guardiola, ndihet me fat që ka në skuadër njërin prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit.

“Ai meriton gjithçka ka arritur, sepse ai e dashuron këtë lojë. Ai nuk dëshiron të shfaqet nëpër media, është djalosh modest dhe një shembull i mirë për futbollistët e rinj. Është e pamundur ta imitosh, natyrisht. Por është një model i mirë. Ta quash atë PlayStation, siç ka bërë zotëri Wenger, është një definicion shumë i mirë. Por, unë nuk e di se në cilin nivel do të ishte, PlayStation 3 apo ndoshta 4? Pa dyshim, ai është njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të Barçës. Këtë e patë sonte”, tha trajneri spanjoll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›