E Diel, 1 Nëntor 2026

Jam Genti K., emigrant



Dorian KOÇI

Qyteti shtrihej buzë detit si një anije e ankoruar në të thatë. Njerëzit që lëviznin lart e poshtë gjithë ditën, të jepnin përshtypjen se ishte një anije në rregullim e sipër, e cila shumë shpejt do të fillonte udhëtimin. Ajo që e intrigonte Genti .K ishte se ç’udhëtim do të fillonte ai qytet i çuditshëm, ku kish rreth tre vjet që jetonte e ende nuk ishte përshtatur. Genti nuk mund ta fshihte faktin se qyteti i kish shërbyer si stacioni i fundit i një jete endacake, deri diku të pakuptimtë me ndërrimet e shpeshta të vendndodhjes, gjithnjë duke menduar se në çdo stacion të ri do të gjente vetveten, por në fakt s’kish ndodhur ashtu. Atë e kish tërhequr emri i vjetër i qytetit që tingëllonte si letër kalk dhe përnjëherësh në mendjen e tij kish vizatuar një imazh të bardhë të qytetit, pa krye, por në formën e një shpendi që kish hapur krahët në të dyja anët e horizontit.
Qe zhgënjyer kur kish parë, në vend të arkitekturës së zakonshme të qyteteve mesdhetare, një modernizëm banal, të ilustruar në hotele të shumtë shumëkatëshe buzë detit që, si të uritur, lëshonin hije përdëlluese në pritje të sezoneve turistike. Nuk ka asnjë lidhje me qytetin e lashtë që kanë krijuar kolonitë e hershme qytetëruese gjithandej nëpër Mesdhe, kish përsiatur me vete Genti K. Madje, atij i qe dukur i krahasueshëm me qytetin e vendlindjes së vet, prej ku qe “arratisur” në një ditë të nxehtë korriku, me mendimin e mbrapshtë për të mos u kthyer më. “Të gjitha qytetet janë shpella ciklopësh prej të cilave duhet të dish të arratisesh”, i pëlqente të thoshte, sa herë ndërronte vendbanim.
E para gjë që i ra në sy kur u vendos në qytetin e ri, ishin plazhet e shpërndarë gjithandej, ku mund ta harrakasje tërë ditën e mbetur pas orarit të punës, derisa syri i diellit, si një sy ciklopi, të shuhej ngadalë nën “trarin” e ndezur të muzgut, që binte gjithandej. Gentit i pëlqente ky imazh që kish gjetur për perëndimin e diellit dhe, sa herë dëshironte të përsiaste ndryshe, murmuriste një dialog, ku pyetjes së Ciklopit-diell se kush ishte, i përgjigjej “Askushi”, Askushi”. Në fakt, edhe pse i pëlqente shpesh herë të luante me fantazinë, ky imazh ishte ai që e shqetësonte më shumë. I dukej krejt e kotë gjendja e tanishme, bisedat e përditshme për ngritje rroge, ankthi i pafund i punës, ecejaket e pakuptimta rreth e rrotull. Edhe pse ndonjëherë përpiqej t’i mbushte mendjen vetes se çdo gjë ishte mirë, se tani bënte një jetë bohemi, rutina e përditshme kokëfortësish e kthente me këmbë në tokë dhe e bënte të shqiptonte me zë të lartë, jam Askushi, Askushi.
E gjithë kjo gjendje kish zgjatur tre vjet pambarimisht, si një kohë ciklike pafund, aq sa ai kish dyshuar nëse stinët ndërroheshin apo jo, derisa në një mbas dite korriku kishte parë diçka të veçantë, që e kish shkundur të tërin. Teksa rrinte shtrirë në shezlong, kishte hedhur sytë nga deti. Andej, bashkë me shkumën e bardhë ose më mirë si prej saj, ishte shfaqur një grua me flokët biondë që, me krahët lart, duke u ngritur në majë të gishtave, kish bërë një kërcim të shpejtë shumë të ngjashëm me atë që Genti K. kish parë sa e sa herë në fëmininë e tij në ekranet e lodhura të së mërkurave, kur transmetonin “Liqenin e Mjellmave”.
Genti K. qe hutuar një çast nga magjepsja, pastaj e kish kundruar sërisht duke mos dashur të humbë asnjë detaj. Gruaja rreth të tridhjetave, me trupin e drejtë të një balerine, kish rendur drejt shezlongut të saj duke shpërhapur një aurorë të tillë drite, sa Genti K. e kish ndier dhe në frymëmarrje. I ishin dukur të kota fantazirat rreth miteve të lashta dhe vetë e kish kuptuar njëqind për qind atë grekun antik që, diku në një breg të Qipros, kish parë lindjen e Afërditës.
Afërdita e tij nuk ishte e përkryer, madje s’mund të kishte asgjë të përbashkët me atë skulpturën e famshme të Milosit, që Genti K. e kish admiruar aq shumë kur e kish parë në albume, por ajo ishte e barabartë në atë ndjesi përdëllimi midis ndjenjës, admirimit e madhështisë që vetë perëndesha e dikurshme mund të ndillte.
Ai qe përhumbur në atë vizion të çuditshëm, që kish kthyer sërisht në trurin e tij atë gjendjen dyste, sureale, ku forma të ndryshme të realitetit përktheheshin në forma të tjera duke e humbur “mjellmën” nga sytë. Kish vështruar rreth e qark, por s’kish mundur ta shquante gjëkundi. Nën terrin që kish filluar të binte, ai qe kthyer në shtëpi. Nën dritën e abazhurit, me shkumën e bardhë e kërcimin e saj në kujtesë, kish hedhur në letër shumë skica të trupit aq të dëshiruar, që kish parë buzë detit. Genti K. nuk ishte shquar kurrë për piktor, madje me shumë zor mund të pikturonte një fytyrë njerëzore, por atë natë vizatoi me dhjetëra skica dhe dora i shkruante si rrallëherë vargje që shoqëronin si diçitura vizatimet. Ato ditë ndjeu një rigjallërim të të gjithë vetes. Një flakë përdëlluese pasqyrohej qartë në sytë e tij, që kishin filluar në gjendje ankthi të kërkonin mjellmën. Genti K. nuk ishte hedonist, në atë gjendje as që mund të përfytyronte qoftë dhe një bashkim ideal me të. E vetmja gjë që dëshironte ishte të shkëmbente dy fjalë, ta falënderonte për atë gjendje rregulluese në shpirt dhe atë rrokopujën e çuditshme, që i krijonte një ekstazë admiruese për të jetuar.

* * *
E gjeti fare rastësisht në një nga rrugët e ngushta të qytetit, mbushur plot me dyqane në të dyja anët. I pa përsëri flokët biondë që vezullonin nën dritën e diellit dhe kuptoi përnjëherësh se ishte ajo, thuajse nga ajri që thithi. Iu afrua përbri dhe i foli “Lebjet, Lebjet”. Kjo ishte fjala e vetme që iu kujtua nga gjuha, që Genti besonte se ajo duhej të fliste. Dëgjimi i lajmeve nuk paskësh qenë kot së koti, sepse të hynte ndonjëherë në punë. Lebjet do të thoshte mjellmë dhe Genti K. e kish dëgjuar në televizion, fill pas rrëzimit me avion të politikanit rus Aleksandër Ljebet.
Ai nuk ishte gabuar sepse ajo u kthye përnjëherësh dhe, me një fytyrë që Genti K. mund të betohej se s’kishte parë më të bukur, i foli në gjuhën e saj. Fjalët ishin rrokullisur shpejt njëra pas tjetrës dhe Genti, në atë marramendje, kish arritur të shpjegonte se nuk fliste gjuhën e saj, por se thjesht donte t’i thoshte se ajo ishte një mjellmë e mrekullueshme dhe si, për t’i vërtetuar fjalët e tij, kish nxjerrë fletoren me dhjetëra skica e vargje që mbante me vete. Ajo qe hutuar një çast, pastaj kish buzëqeshur kur kish parë përbri vizatimeve fjalën “Ljebet”.
Kaq kish mjaftuar të thyhej akulli i njohjes së parë dhe shumë shpejt e kishin parë veten të ulur në një kafene buzë detit. Lebjeta (emrin e vërtetë edhe pse Genti e dëgjoi kurrë nuk e mbajti mend) kish qenë balerinë në një teatër provincial të distriktit të Moskës. Historia e saj ishte e njëjtë si e gjithë vendeve të Lindjes, në periudhën e re askush nuk sponsorizonte për kulturën dhe shpejt e kish parë veten pa punë. Një mundësi emigrimi i ishte shfaqur në horizont dhe Lebjeta, e zhdërvjellët siç ishte, nuk kish mënuar ta rrokte dhe të fillonte jetën në të njëjtin vend, ku edhe Genti K. kish rendur si i marrë për të filluar një jetë të re. Vendi im është i ftohtë, i mbushur gjithë borë e akull, kish thënë Lebjeta, dhe tërë jetën time kam admiruar Mesdheun; me diellin e përjetshëm e blunë fantastike të detit, Mesdheu duket sikur të çliron energji të fjetura në trup. Jo më kot, kish vazhduar ajo, mitologjia më e bukur në botë ka nisur në këto brigje. Të tillë e ndjeva veten kur improvizova Mjellmën e Çajakovskit, si një figurë mitologjike e dalë nga deti i harresës së ish-artit tim. Dhe ia dole mbarë për bukuri, i kish thënë Genti, duke e puthur në flokët e adhurueshëm. Ai kish pritur një reagim kundërshtimi, ndoshta ndonjë ngritje të beftë që do i jepte fund çasteve magjike, siç i kish quajtur më vonë, por Lebjeta i ishte ngjeshur pranë dhe atëherë kishin filluar të putheshin lirisht. Ishte e pamundur të rezistoja, i kish rrëfyer më vonë Lebjeta, më dukej sikur kisha gjetur shpirtin tim binjak dhe s’doja të të humbja me asgjë në botë.
Kishin qenë të pandarë për gjashtë muaj. Shpesh, në shtëpinë e Gentit, ku kalonin pjesën më të madhe të kohës, pas çasteve të këndshme të dashurisë, ai i tregonte sinopse të ëndrrave - tregime, të cilat ajo, e ngazëllyer, i kthente në pantomima kuptimplote. Genti K. qe ndier i lumtur dhe nuk mund të gjente fjalë që të përkufizonin gjendjen e tij. Ishte i mbushur gjithë entuziazëm për jetën e dëshirë për të krijuar. Të njëjtën gjë ndjente dhe Lebjeta, e cila dukej sikur nuk ecte më në rrugë por fluturonte. Gjithsesi, lumturia e tyre nuk ishte e thënë të vazhdonte gjatë. Me sa duket, ajo teoria e lashtë lindore për luftën midis së mirës dhe së keqes që qeveriste botën dhe që Genti nuk e kish besuar, kish qenë e vërtetë, ekzistonte dhe jepte rrufeshëm ndikimet e saj aty, ku nuk e prisje. Kësaj radhe e keqja kish trokitur në portën e lumturisë së tyre në formën juridike, i quajtur ligj anti-emigracion.
Një ditë të zakonshme “fshese” (kështu i thërrisnin operacionet policore për emigrantët pa dokumente të rregullta), Lebjetën e kishin arrestuar për ta kthyer në vendin e saj. Genti qe tronditur dhe kish rendur në stacionin e policisë, ku i mbanin njerëzit tumbllazi. U këshillua shpejt me një avokat dhe e vetmja zgjidhje ishte martesa, të cilën Genti K. e afroi përnjëherësh vetëm e vetëm që ta kish Lebjetën sërish në krahët e tij. Çuditërisht, ajo s’kish pranuar dhe, pas një bisede me avokatin, me sytë e mbushur me lot i kish kërkuar të mos e pyeste për asgjë dhe t’i premtonte se ai do të vazhdonte të fluturonte, sigurisht, me fantazinë e vet. Genti K. qe nervozuar, kish folur gjithë ato fjalë pakuptim, për të cilat më vonë i kishte ardhur aq rëndë, por ajo s’qe thyer. Ndërsa hipte në autobusin që e çonte në aeroport, së bashku me patriotët e vet, i kish pëshpëritur “Fluturo, fluturo”, fjalën që i thoshin njëri-tjetrit, sa herë që dëshpërimi i mbyste dhe pastaj i jepeshin flakës së krijimit, ai me tregimet, ajo me lëvizjet gjithë delikatesë që i shndërronin ato në pantomima të adhurueshme baleti. I dëshpëruar, Genti kish parë autobusin që zhdukej e kish mbetur i nemitur, derisa zëri i avokatit e kish shkundur: “Ajo ishte e martuar dhe kish një fëmijë në vendin e saj, kështu që nuk mund të martohej sërisht pa u divorcuar.”

* * *
Genti K. qe trishtuar pa masë , jo pse Lebjeta s’i kish treguar të vërtetën, por ngaqë kuptoi se e kish humbur përgjithnjë.
“Lumturia nuk zgjat kurrë një shekull”, i qe kujtuar një shprehje që dikur e mbante për idiote, por tani i dukej më se e vërtetë. Iu duk sikur së bashku me Lebjetën po i ikte edhe jeta gjithë hare, ajo ajo që kish jetuar në këto gjashtë muaj të paharrueshëm. Solli ndërmend çastet e fundit të ndarjes me Lebjetën dhe, si në një retrospektivë, iu faneps sërisht pantomima më e dashur që ajo improvizonte, ajo e yllit të këputur nga qielli. Genti K. nuk ishte i sigurt nëse ajo e kish improvizuar apo jo kur ishin ndarë tek autobusi, por i erdhi mirë që ta mbante si kujtim, si një rubin të çmuar atë imazh të shndritshëm arti.
Në netët e gjata të dimrit, kur errësira pllakoste gjithandej si një ujkonjë e verbër dhe kur ai ndihej më tepër se kurrë vetëm, anonim, rrekej ta thithte të tërin, kujtonte një krah pulëbardhe, një mjellmë, shaminë e bardhë të Lebjetës të harruar në dhomë dhe, sërisht, u jepte krah atyre ëndrrave të bukura të tij.
Gjatë verës që pasoi, pas orareve të zgjatura të punës, nxitonte në breg të detit. Ndërsa rrinte si zakonisht shtrirë në shezlong dhe priste të lozte atë lojën kukafshehtazi me Diellin-Ciklop, pyetjes se kush ishte, nuk i përgjigj më me atë fjalën ndrydhëse “Askushi”, siç i përgjigjej më parë, por shqiptonte me vete: “Jam Genti K., emigrant shqiptar i mbushur gjithë ëndrra ngazëllyese.”

5 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›