Shkrimtari në realitetin e rremë
Ku jam unë, kur s’jam unë? Jo unë: fizikja, e prekshmja, me metabolizëm e gjallim të rëndomtë, si të gjitha qeniet; jo unë e jetës së përditshme, e monotonisë dhe e shqetësimit njerëzor. Por unë: qenia në trans, e paprekshmja, ajrorja, e pushtuar nga nervozizmi krijues, me “mallkimin” e bukur të një sëre me përgjegjësi specifike: atë të të shkruarit. Të gjithë krijuesit, poetë e shkrimtarë, duhet ta dinë këtë... E vetmja që mund ta mbushë këtë kohë dhe hapësirë, që nis me shkëputjen nga realiteti, deri te rikthimi në realitet, është vetmia e shkrimtarit. Kjo shpesh përkufizohet si një “lajthitje” artistike dhe hapësira, që po mëton të kapë ai, si një largesë kozmike. Por jo, t’i mbyllim për një çast sytë dhe një numeracion i njohur duket sikur i vendos gjërat me këmbë në tokë. Ti zgjohesh me një shqetësim, ti mund edhe të mos kesh fjetur nga ky shqetësim; shqetësimi yt nuk është ndonjë dhimbje fizike që t’i duhet të ankohesh, të cilën e mbyt me një medikament të shpejtë, sapo kujtohesh ta marrësh; ti je i mbarsur, ti je i dehur nga i shtuquajturi “alkoolizëm letrar”, ti ke nevojë të flasësh, të komunikosh me diçka përtej teje, pa zë; ndryshe nga të gjitha bisedat e tua, tani ti je në pasqyrë me veten; ulesh dhe përpiqesh t’u bësh rend mendimeve të tua; i hedh në letër, në kopjuter, kjo s’ka fare rëndësi; rrëmujë figurash, vargjesh, personazhesh të shkëpusin nga zërat e jetës; lëvizjet e tua janë fantazmagorike; ti nuk e përcakton dot nëse është ditë apo natë, ti madje as nuk e përcakton dot se ku je, se ti as që do t’ia dish për këtë; të thërrasin se është shtruar tryeza, t’u bësh njerëzve shoqëri, ç’është ky zë, pyet ti veten; sigurisht, ti s’kupton asgjë, ti je diku në rrëmujën tënde të mendimeve, të fletëve, të tastave, zhurma e të cilave është gati e njëjtë me tik-takun e rrahjeve të pulsit tënd, a të fluksit të mendimeve që të shtyjnë të mos e kuptosh se ku je. Ti nuk po përjeton asgjë nga ç’po u ndodh personazheve të tu, aspak, ti vetëm u jep jetë. Duket sikur ti krijon antifrymë, por është po aq frymë. Kur ti mbaron, ngrihesh, zërat e jetës janë të dëgjueshëm tani, fjalët e thirrjet janë të perceptueshme. Ai, njeriu i parë që nuk e tundoi asgjë reale, u shpërbë. Tani njeriu i dytë po e jeton realen.
Flutura AÇKA
Kjo përsiatje nis nga një histori personale, fare e thjeshtë. Tim biri, iu dha një ditë të vizatonte bri njëra-tjetrës dy figura të ndryshme: njëra fiction dhe tjetra non fiction. Ai vizatoi vetveten dy herë: në njërën anë, duke ngarë një Ferrari, fiction, dhe në tjetrën, duke ngarë një biçikletë, non fiction. Detyra e tij mbaroi aty. Këtu mbaron edhe ana personale e argumentit, që duket edhe preteksi i këtyre radhëve.
Por aty ku mbaroi ky shembull i thjeshtë, që dukej se e ndante ëndrrën nga zgjëndrra, trillimin nga realiteti, fantazinë nga e vërteta, filloi “tortura” ime. Si të kisha zbuluar një shqisë të re te vetja, u tremba duke e këqyrë për t’i bërë një shpjegim të përtejmë figurës së ngjyrosur. Realiteti non fiction para syve të mi atë çast ishte po aq fiction, sa fiksioni që njoh unë si të tillë. Në trafikun vrasës të Tiranës, im bir dhe çdo fëmijë që do të guxonte të ngiste biçikletë, më dukej i kërcënuar. Një realitet i pamundur, dëshirë në kufijtë e fantazisë. Non fiction s’ishte atë çast veçse fiction. Realja ishte fantazi, por jo e anasjellta.
Si nga një shkrepje rrufeje, kësisoj zbulova një realitet të ri, të pamenduar më parë prej meje, në trajtë miksture: Fiction reality. Realiteti i rremë. Në krye të këtij interpretimi, u keqkuptova ca me fantazinë, që po kërkonte të stërhollonte gjëra që dukeshin pa lidhje mes tyre, por kohë më vonë e gjitha m’u bë më e pranueshme dhe u përpoqa gjatë të bashkoj gjëra, të cilat përjashtohen mes vedi dhe të shpjegoj më pas me të thelbin e shkrimërisë, të asaj së cilës i isha dhënë e tëra, për vite e vite, pa kushte.
Po. Atë çast “zbulimi”, unë njoha një realitet tjetër, të cilin e kisha shpërfillur për një arsye fare të thjeshtë: Jo se nuk e njihja, jo se nuk e dija se ekzistonte, por nuk isha ende e ndërgjegjshme në isha pjesë e tij. ǒishte ky realitet në trill? E kam të vështirë të jap një definicion filozofik për të, kështu që kuturis në një shpjegim gati-gati poetik. Një ndërmjetudhë, një magjistrale përmesëse, një vend e kohë vetmëvetëse, pa paragonatë reale apo fantastike, një vend ku je edhe s’je, njëkohësisht. Një portë ku hyhet dhe ecet VETËM. Si te vdekja.
Zbulimi i kësaj të vërtete intime, që nxitova t’ia përngjaja gjendjeve të ndërmjetme që shpesh kam patur gjatë të shkruarit, e që guxoj ta përkufizoj si jerm i shkrimtarit, më vuri para një pyetjeje, të cilën vazhdoj ta pëshpëris shpesh me vete: Ku jam unë, kur s’jam unë? Atë çast, atë kohë kur më braktis vetvetja, kjo realja. Këtë pyetje që herët e pata marrë në një varg timin: Unë jam askund/ Po ç’bëj këtu?
Ku jam unë, kur s’jam unë? Jo unë: fizikja, e prekshmja, me metabolizëm e gjallim të rëndomtë, si të gjitha qeniet; jo unë e jetës së përditshme, e monotonisë dhe e shqetësimit njerëzor. Por unë: qenia në trans, e paprekshmja, ajrorja, e pushtuar nga nervozizmi krijues, me “mallkimin” e bukur të një sëre me përgjegjësi specifike: atë të të shkruarit. Të gjithë krijuesit, poetë e shkrimtarë, duhet ta dinë këtë. Përpjekje ime për ta shpjeguar në formën time, është modeste dhe shpjegimi, për shkak të çalesave mes mendimit e gjuhës, duket se mbetet gjithnjë i mangët dhe realitetet imagjinare gati-gati si pjesë të së paqenësishmes.
* * *
Ky, besoj, është raporti në të cilin padyshim vendoset çdo shkrimtar dhe, madje, ka të ngjarë të jetë raporti më i vështirë në jetën e tij krijuese, pasi është pragu i vetmisë. Dhe vetmi do të thotë liri. Dhe ky nuk është një raport i thjeshtë me letrën, me fabulën, me karakteret, me idetë, me filozofinë e tij, por raporti me kohën, madje me kohën e kohës, me atë ndërmjet-kohë kur pushojnë të gjitha detyrat e tjera të tij, veç asaj i të qenit shkrimtar. Një kohë e paplanifikuar. Duke e parë kështu, rezulton të jetë raporti më i brishtë, por edhe më i frikshmi në thelbin e artistit. Kufijtë e kësaj kohe, që është njëherësh edhe hapësirë, me lëvizje amebiane në të, janë të padukshëm, janë larg nga realiteti, por po aq larg edhe nga fantazia. E vetmja që mund ta mbushë këtë kohë dhe hapësirë, që nis me shkëputjen nga realiteti, deri te rikthimi në realitet, është vetmia e shkrimtarit. Kjo shpesh përkufizohet si një “lajthitje” artistike dhe hapësira, që po mëton të kapë ai, si një largesë kozmike. Por jo, t’i mbyllim për një çast sytë dhe një numeracion i njohur duket sikur i vendos gjërat me këmbë në tokë. Ti zgjohesh me një shqetësim, ti mund edhe të mos kesh fjetur nga ky shqetësim; shqetësimi yt nuk është ndonjë dhimbje fizike që t’i duhet të ankohesh, të cilën e mbyt me një medikament të shpejtë, sapo kujtohesh ta marrësh; ti je i mbarsur, ti je i dehur nga i shtuquajturi “alkoolizëm letrar”, ti ke nevojë të flasësh, të komunikosh me diçka përtej teje, pa zë; ndryshe nga të gjitha bisedat e tua, tani ti je në pasqyrë me veten; ulesh dhe përpiqesh t’u bësh rend mendimeve të tua; i hedh në letër, në kopjuter, kjo s’ka fare rëndësi; rrëmujë figurash, vargjesh, personazhesh të shkëpusin nga zërat e jetës; lëvizjet e tua janë fantazmagorike; ti nuk e përcakton dot nëse është ditë apo natë, ti madje as nuk e përcakton dot se ku je, se ti as që do t’ia dish për këtë; të thërrasin se është shtruar tryeza, t’u bësh njerëzve shoqëri, ç’është ky zë, pyet ti veten; sigurisht, ti s’kupton asgjë, ti je diku në rrëmujën tënde të mendimeve, të fletëve, të tastave, zhurma e të cilave është gati e njëjtë me tik-takun e rrahjeve të pulsit tënd, a të fluksit të mendimeve që të shtyjnë të mos e kuptosh se ku je. Ti nuk po përjeton asgjë nga ç’po u ndodh personazheve të tu, aspak, ti vetëm u jep jetë. Duket sikur ti krijon antifrymë, por është po aq frymë. Kur ti mbaron, ngrihesh, zërat e jetës janë të dëgjueshëm tani, fjalët e thirrjet janë të perceptueshme. Ai, njeriu i parë që nuk e tundoi asgjë reale, u shpërbë. Tani njeriu i dytë po e jeton realen.
* * *
A nuk duket sikur, brenda nesh, jetojnë dy njerëz? A nuk duket se diçka e padukshme lëviz valvulat e ngarkesave e shkarkesave tona emocionale? Duken si dy pjesë që komunikojnë me njëra-tjetrën dhe jetojnë përjashtimisht nga njëra-tjetra, flenë e gjakojnë me ne, që krijojnë të shtuquajturin “identitet të dyfishtë” të krijuesit. Sikurse dy Fridat e pikturës së njohur të Frida Kahlos, Unë dhe Unë, Ti dhe Ti, jemi në një bashkëjetësë fatale. Shpesh, siç mbase shumë të tjerë që merren me shkrimin, e kam pyetur veten: Përse tek unë jeton edhe një njeri i dytë? Përse unë jam një pikturë virtuale me diçiturën “Dy Fluturat”?
Sepse unë kam nevojë të plotësohem, sepse ndjehem pak me gjërat e së përditshmes, sepse ndjehem vetëm. Unë jam një qenie tmerrësisht e vetmuar. Jo nga ajo lloj vetmie që njeh përditëshmëria njerëzore. Gjendja jerm, ku më çon shpesh ky njeriu i dytë, në atë hapësirë opake të Fiction reality, është kuvlia ku mbrohem nga mërzia e botës. Sikur të mos ishte kjo, vetmia do ta kishte sunduar kryefund jetën time. Sa herë ajo troket, ky njeriu i dytë më çon në një botë të dytë, ku vetmia është thelbi i shpjegimit të gjithçkaje dhe merr trajtë tjetër. Si nga një ëndërr që nuk të ikën nga kujtesë në mëngjesin e herët, edhe unë nuk di kurrë si ta përshkruaj atë botë. Ajo magjistrale është rrugëtimi nga vetmia fizike te vetmia e shkrimtarit. Dhe duket si një parajsë e kodifikuar.
Përse shkruajmë, atëherë, kur jemi të “kërcënuar” nga kaq vetmi? Pjesa më e madhe e shkrimtarëve i kanë dhënë një përgjigje të veten kësaj pyetje. Orhan Pamuk thotë diku se shkruan se beson te pavdekësia e bibliotekave, shkruan se nuk është i lumtur. Margaret Atwood thotë se shkruan e joshur nga mortaliteti dhe nga dëshira që të bëjë një udhë të rrezikshme nëntokë me shtysën të sjellë diçka a dikë sërisht në jetë. Të tjerë, në mënyrat e tyre, i kanë dhënë përgjigje tri pyetjeve themelore që lidhen me artin e fjalës: Përse shkruan? Për kë shkruan? Nga të buron kjo grishje? Esencialisht pothuajse të gjithë kanë arritur në shpjegimin e përafërt: Unë shkruaj se nuk mund të rri pa shkruar, shkruaj për lexuesin, shkruaj se e di se libri mbetet. E gjitha kjo ka lacifikuar trekëndëshin e famshëm të thelbit të artit të të shkruarit: Shkrimtar-libër-lexues.
Po unë përse shkruaj? Shkruaj sepse i trembem vetmisë sime, që është më e fuqishme se unë. Shkruaj për t’iu larguar dhe fshehur asaj, së vetmes gjë që e adhurova dhe e urreva njëherësh. Shkruaj për të krijuar një “botë” tjetër të mbushur me njerëz më të gëzuar, më të trishtë. Të ndryshëm nga unë. Shkruaj, sepse besoj se të shkruarit është transparenca unikale, është liria e pafund, e dëshiruar. Asnjë qenie në botë, sado liberale dhe e çliruar të jetë, nuk mund t’ia arrijë zhveshjes së shkrimtarit, se zhveshja e shkrimtarit është çlirimi dhe dritësimi i skutave më të fshehta të shpirtit, të mendjes, të arsyes, të ndjeshmërisë, të dhimbjeve e dëshirave, të dashurive dhe terrinave. Unë shkruaj se dua të jem si uji, si ajri. Dhe sikurse ata besimtarët e betuar që pohojnë se, kur falen, e shohin dhe e takojnë Zotin, edhe unë them se kur hyj në Fiction reality, takoj lirinë time të papërlyer, sublime, unë shoh një pikturë të çuditshme: përballjen e vetmisë sime me pasqyrimin e saj. Unë shoh dy Fridat e mia, që i japin jetë njëra-tjetrës. Dhe paqtohem… dhe s’kam pengje… as pendim.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e shkrimtarëve shqiptarë, fati e dha të jetoja mes dy botëve, dy realiteteve, dy kulturave, në lëvizje të paprerë, pa qenë shumë e sigurt nëse të jetuarit mes të dyjave i dha apo i mori jetës sime letrare. A priori, pa hyrë në analizë të gjatë, mendoj se kjo mënyrë të jetuari më shumë i ka dhënë punëve të mia. Ajo çfarë ka ndodhur në subkoshiencë, e ndikuar mbase nga kjo mënyrë e jetës, është ndërtimi i një realiteti largësie. Ka një spikamë të dukshme të lëvizjes, të distancës, të nostalgjive të largëta, njerëz që vendi i tyre u rri si një xhaketë e ngushtë. Personazhet e mi duket sikur jetojnë mes dy botëve, por në fakt ata janë pjesë e një bote më të madhe se ajo lokale, se ajo ballkanike, a më tutje. Ata thjesht lëvizin dhe jeta e tyre është bashkim i copëzave të jetës. Sikurse personazhet e mi, edhe unë jam në një dualitet të çuditshëm, jam njeri i paqetë, e luhatur keq mes “arrogancës” sime tipike shqiptare dhe modesties, që ma imponon muri i ftohtë letrar e cilësor i botës. Në varësi të rrethanës, ndryshon edhe ky barometër letrar. Unë jam rrethana ime, jo si një autobiografiste, por si shqyrtuese e saj, pa qenë kurrë robinë e rrethanës, por në simbiozë me të. Dhe në këtë shqyrtim kam “egon” e çdo krijuesi që, si një shënjestër lëvizëse, emërtim i përdorur shpesh për shkrimtarët, të arrijë vërtet të shënoj saktë.
5 Tetor 2008