E Diel, 1 Nëntor 2026

Draskoviç: Serbia në qorrsokakun “as BE, as Kosovë”

Aktualisht nuk ka shansa që Boris Tadiç të tërhiqet nga politika "edhe BE  edhe Kosovë". Megjithatë, nëse Lëvizja "Preokret” (Ndryshimi) futet në qeverinë e ardhshme, do të ndryshojë politika e tashme shtetërore serbe, ka thënë kryetari i Partisë së Përtëritjes Serbe (SPO), Vuk Draskovic.

Sipas tij, politika “edhe BE edhe Kosovë” po e fut Serbinë në qorrsokakun “as Be e as Kosovë”. Kjo, thotë ai, është politikë humbëse për tërë shtetin dhe popullin e tij.

Në pyetjen se si do t`i bindte serbët për ta pranuar pushtetin e Hashim Thaçit, Draskoviç thotë: “Nuk ua kam borxh atyre këtë e as shpjegimet e ngjashme. Nuk e kam futur unë Serbinë nën bombat e NATO-s, nuk e kam humbur Kosovën e as nuk kam përhapur gënjeshtra se edhe sot është krahinë në përbërjen dhe pushtetin e Serbisë’”.

Nëse Serbia nuk e fiton në mars statusin e kandidatit për BE, Draskoviç thotë se kjo do të frikësonte njerëzit që nuk e duan vetizolimin, konfliktin me fqinjët dhe botën demokratike.

“Në të njëjtën kohë, shumë do të kremtojnë humbjet tragjike të viteve 90 dhe shndërrimin e Serbisë në oborrin e mallkuar të kriminalitetit, mjerimit, urrejtjes ndaj "Perëndimit antiserb" dhe shfrenimit patriotik të dashurisë ndaj "nënës Rusi", si në kohën e Miloseviçit”.

Draskoviç thotë se Serbia ka gjasa të mos anëtarësohet në BE, sepse propaganda për barrikada në rrugën drejtë Evropës është më e madhja në dy dekadat e fundit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›