Drejt fundit ilaçet në QSUT, furnizimi, pas një muaji
Ilaçet stok të mbledhura nga spitalet e rretheve në QSUT janë drejt përfundimit. Spitali universitar “Nënë Tereza” gjatë këtyre ditëve ka filluar ta ndiejë sërish krizën e medikamenteve. Një pjesë e shërbimeve janë pothuajse të ngrira si shkak i mungesave të materialeve të domosdoshme, ndërkohë që të tjera janë duke punuar me ato pak që kanë mbetur në farmaci. Më problematike paraqitet situata në pavijonet, ku medikamentet prokurohen vetëm përmes tenderëve.
Drejtoria
Burime zyrtare pranë drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konfirmojnë për “standard” se procedurat tenderiale kanë përfunduar dhe se po pritet që medikamentet të prokurohen në bazë të ligjit të prokurimeve pas 30 ditëve.
”Procedurat tenderiale kanë përfunduar tashmë të gjitha dhe pritet thjesht që të prokurohen. Duhet theksuar se çdo gjë po bëhet në bazë të procedurave ligjore, të cilat duhen respektuar, edhe afatet kohore që ato vendosin, limiti i të cilëve është 30 ditë”, - pohuan burime pranë drejtorisë së QSUT-së.
Kriza
Po bëhet gjithnjë e më e pranishme kriza e medikamenteve në të vetmen qendër terciare të vendit. Nëpër pavijonet e QSUT-së vërehen pacientë që nga jashtë spitalit vijnë me qeset plot me ilaçe. “Mjekët na thonë nuk ka ilaçe, atëherë detyrohemi t’i blejmë nëpër farmaci”, - pohojnë pacientët. Mungesën e ilaçeve e konfirmojnë edhe mjekët. Sipas tyre, edhe në ditët e para të vitit është bërë evidente mungesa e një sërë medikamenteve tejet të domosdoshme. Mjekët thonë se kanë raportuar në drejtori mungesat e medikamenteve dhe se nga kjo e fundit kanë marrë përgjigjen se furnizimi do të bëhet sapo të përfundojnë procedurat tenderiale, por në fakt nuk është dhënë një datë e caktuar.
Farmacitë
Depot e farmacive kryesore të spitalit janë drejt boshatisjes. Burime pranë këtyre depove pohojnë se momentalisht kanë rezerva të pakta të medikamenteve dhe se ato janë drejt përfundimit. Kërkesave të pavijoneve u japin zgjidhje vetëm përmes medikamenteve të pakta që kanë. “Rezervat janë të pakta. Nga drejtoria na është thënë që së shpejti do të furnizohemi me medikamentet e reja. Deri atëherë duhet të rregullohemi me këto që kemi”, - pohojnë burimet.
Laboratori
E njëjta situatë paraqitet edhe në laboratorin e analizave. Pacientët e spitalit konfirmojnë se në laborator kryhet vetëm analiza e plotë e urinës dhe gjakut, ndërsa pjesën tjetër detyrohen të shkojnë në privat. Mungesa e reagentëve dhe elementëve të domosdoshëm për kryerjen e analizave ka bllokuar kryerjen e analizave. Për këtë janë pezulluar kryerja e analizave në laboratorët e QSUT-së për ambulatorët si dhe po kryhen në sasi tejet të pakta për pacientët e shtruar në spital. Burime pranë drejtorisë pohojnë se kanë përfunduar gjithashtu edhe procedurat e prokurimit për reagentët e laboratorëve dhe se shumë shpejt do të ofrohet e gjithë gama e analizave
Tenderat
Procedurat tenderiale vazhdojnë të mbajnë pezull furnizimin me ilaçe të spitaleve. Kriza e mungesës së ilaçeve rrezikon të përhapet edhe përgjatë këtij viti. Procedurat e tenderave janë tejet të gjata, duke lënë të pafurnizuara me medikamente për muaj të tërë. Ndërkohë që nëse nuk realizohet pajisja me medikamente e spitaleve deri në përfundim të afateve të caktuara, atëherë kriza e ilaçeve do të jetë e pranishme edhe gjatë këtij viti.
“Mbretëresha Geraldinë”
5762 fëmijë janë lindur në vitin 2008
“Gjatë vitit 2008 (1janar-30 dhjetor), në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë", kanë ardhur në jetë 5672 fëmijë”, - bënë të ditur dje burime nga ky spital. Sipas të njëjtave burime, në spitalin "Mbretëresha Geraldinë" kanë ardhur në jetë më shumë foshnja meshkuj sesa femra. Kështu, të dhënat tregojnë se gjatë vitit të kaluar janë lindur në këtë spital 3005 meshkuj dhe 2667 femra. Bazuar në statistika, rezulton se në vitin 2007, numri i foshnjave të lindura ishte 5600, në vitin 2006 u lindën 5800 fëmijë dhe po kaq në vitin 2005. Spitali Obstetrik Gjinekologjik "Mbretëresha Geraldinë" në Tiranë, i krijuar që në vitin 1936 dhe i njohur në atë kohë me emrin "Nëna dhe fëmija", përballon çdo vit një volum të madh pune. Në të ofrohen shërbimet gjinekologji, obstetrikë, patologji, neonatologji (pediatri), si dhe laboratorë dhe kryhen me mijëra analiza të ndryshme, të hospitalizuara dhe ambulatore, nga më të thjeshtat deri tek ato hormonale. Numri i shtretërve në këtë qendër arrin në 150 për të rriturit, ndërsa i fëmijëve në 62, 12 prej të cilëve inkubatorë dhe 40 të zakonshëm. Në fillim të qershorit të vitit të kaluar, "Mbretëresha Geraldinë" është pajisur me Qendrën e Pranimit të Urgjencave, e cila konsiderohet nga drejtuesit e këtij materniteti si pika më e rëndësishme e takimit të pacientëve me stafin mjekësor për përcaktimin e diagnozës dhe dhënien e ndihmës së parë.
Studimi
Kush ha shpejt, ka më shumë mundësi të bëhet obez
Studimet tregojnë se ata persona që hanë ushqimin shpejt, rrezikojnë të shëndoshen tri herë më shumë se ata që ushqehen ngadalë. Studimi është bërë nga studiues japonezë të cilët flasin për risqet e të ushqyerit në mënyrë të shpejtë. Sipas tyre, njerëzit e moshës nga 30 deri në 69, rrezikojnë tri herë më shumë të shtojnë në peshë kundrejt atyre që ushqehen më ngadalë. Studimi i publikuar në Revistën Mjekësore angleze, thekson se obeziteti shkaktohet më shumë tek ata që hanë shpejt se tek ata që hanë shumë. Grupi i studiuesve në Universitetin Osaka, nën drejtimin e profesor Hiroyasu, gjatë hulumtimit tek më se 3 mijë persona, ka arritur në përfundimin se në mbi 50 të tyre, shkak i obezitetit ka qenë të ushqyerit në mënyrë të shpejtë. E ndërsa tek burrat ky problem rastiset në 84 për qind të tyre, tek gratë kjo shifër tejkalohet. Studiuesit thonë se “kur njeriu ha shpejt, derisa sinjalet e të ngopurit të shkojnë në sistemin qendror, stomaku është mbushur plot”. Ata rikujtojnë edhe fjalën e vjetër: “Çdo kafshatë duhet të përtypet 40 herë”.