E Diel, 1 Nëntor 2026

FMN: Rritja ekonomike 10% si 3-mujor, vjetore 6%



Rritja ekonomike në vlerën 9.9 % e deklaruar prej Kryeministrit Berisha është pranuar edhe nga ana e përfaqësues së Misionit të FMN-së, Ann Margaret Westin, në prag të largimit nga Shqipëria. Westin ka pranuar dje për median se ka një rritje ekonomike prej 10 për qind, por kjo është matje e bërë për një periudhë 3-mujore dhe nuk mund të pranohet si shifër vjetore. Në përfundim të ceremonisë së nënshkrimit të Letrës së Mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6-të dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN-në, Kryeministri Berisha dhe Përfaqësuesja e FMN-së në Shqipëri, znj. Ann Margaret Westin, iu përgjigjën interesimit të mediave për rritjen ekonomike në Shqipëri.

Dokumenti u firmos në Kryeministri, nga Kryeministri Sali Berisha, ministri i Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN-së në Shqipëri, Ann Margaret Westin. Ky dokument do të miratohet nga bordi i FMN-së në Uashington në fund të janarit, kur përmbyllet programi 3-vjeçar i Shqipërisë me FMN-në. Përfaqësuesja e FMN-së ka sqaruar se indikatorët e matjes së rritjes ekonomike si tremujor janë të ndryshëm nga ato vjetore, çka do të thotë se treguesit e tremujoreve mund të jenë të luhatshëm. “Nisur nga botimi së fundi i parashikimeve tremujore të GDP-së për vitin 2008, për Shqipërinë, ne jemi të gëzuar për nxjerrjen e këtyre treguesve dhe jemi të lumtur që kemi ndihmuar me një ekspert në këtë fushë. Është e qartë se këta tregues tregojnë një rritje ekonomike, deri në fund të tremujorit të tretë, prej rreth 10 për qind. Ka diçka, Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit, pra treguesit tremujor të PBB-së, mbështeten në disa indikatorë dhe këta indikatorë janë më të ngushtë sesa ata me të cilët matet rritja vjetore e PBB-së. Ka një tendencë që treguesit tremujor të jenë më të luhatshëm”, - ka thënë dje Westin. Nga ana tjetër, ai deklaroi se duke qenë se është hera e parë që ato publikohen, këto rezultate do të jenë subjekt i rishikimeve. Ajo sqaroi më tej se mënyra se si është matur PBB-ja tremujore, reflekton edhe formalizimin e ekonomisë, pra, kalimin e bizneseve nga sektori informal në atë formal. Sipas Westin, nëse formalizimi i ekonomisë është një fenomen shumë i mirëpritur, kjo nuk do të thotë domosdoshmërish rritje ekonomike në vetvete.

Ndërsa ka pranuar shifrën e INSTAT-it për rritje ekonomike si tremujor në vlerën 10 për qind, ajo ka këmbëngulur në parashikimet e misionit për rritjen vjetore të PBB-së.

“Për rritjen vjetore të PBB-së për vitin 2008 mbajmë parashikimin tonë për 6 për qind. Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse, që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008”, - tha përfaqësuesja e FMN-së, Westin. Ajo theksoi se kjo duhet të merret parasysh. Nga ana tjetër, ajo shtoi se në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë viti dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës. Kryeministri Berisha nga ana tij tha dje se rritja ekonomike ka qenë një diskutim i vazhdueshëm midis Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe qeverisë shqiptare. Ai pranoi se “rritja ekonomike 6 për qind është një rritje e shkëlqyer, por shifra e vërtetë e rritjes ekonomike është shumë e rëndësishme për një qeveri, sepse mbi bazën e saj qeveria nxjerr disa tregues, mbi performancën e saj, në të cilën rritja është e rëndësishme për zgjedhjen e treguesve, por, se çfarë shifre shkon mbi 6 për qind, unë ju garantoj se për qeverinë, si program, nuk është parësore”. Në këtë kontekst, praktikë universale botërore është përcaktimi i rritjes ekonomike në 3 muaj dhe më pas, rritja vjetore. Kreu i qeverisë theksoi se ka pasur një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. “Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi. Ndaj, duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t’ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave”, - vuri theksin Kryeministri Berisha. Ai solli në vëmendje se ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008 dhe se ka rritje të ndjeshme të eksporteve. “Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera: e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe e dyta, viti 2008 ka qenë viti në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Por nga ana tjetër, ai u shpreh se është në pritje që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike.

Kryeministri: Dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare

Pas nënshkrimit të dokumentit, Kryeministri Berisha u shpreh se dita e sotme shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare. “Dita e sotme, – tha Kryeministri, - shënon fundin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare. Sot u firmos fundi i tranzicionit të një prej ekonomive më të centralizuara në Evropë dhe në botë dhe tani ajo ecën me institucionet e maturuara të saj. Për një vend demokratik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa një ekonomi solide tregu, pa të cilën ajo nuk mund të ekzistojë”. Me këtë rast, Kryeministri Berisha shprehu falënderimet për ndihmën shumë të çmuar të FMN-së në konsolidimin e praktikave më të mira në institucionet, duke qenë dhe një promotor në inkurajimin e qeverisë shqiptare drejt privatizimeve të mëdha. “Dua të falënderoj zonjën Ann Margaret Westin për përfundimin e shkëlqyer të programit, falënderoj me shumë mirënjohje të gjithë ekipin. Kanë qenë tre vite realisht të suksesshëm, tre vite debati intensiv, por edhe mirëkuptimi të madh”. Ministri i Financave vlerësoi përkrahjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së, pasi, sipas tij, "kjo nuk do të ishte bërë e mundur pa angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset që kanë ndjekur zhvillimet e financave publike dhe sektorit monetar në Shqipëri". Nga ana e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode, lidhur me përfundimin me sukses të marrëveshjes së fundit 3-vjeçare me FMN-në, vuri në dukje se gjatë kësaj marrëveshjeje u mundësua reforma më e thellë fiskale që ka njohur jo vetëm Shqipëria, por gjithë rajoni në vitet e tranzicionit. "Në tre vitet e kësaj marrëveshjeje, ne përgjysmuam nivelin e taksave në tërësinë e tyre. Përgjysmimi i nivelit të taksave u bë me mirëkuptim dhe me mbështetje nga FMN–ja, bazuar në performancën e vazhdueshme të administratës fiskale dhe rezultatet konkrete të arritura nga qeveria në realizimin e kësaj reforme kaq të thellë", - tha ministri Bode.

Westin: Shqipëria iu është bashkuar vendeve në zhvillim

"Tashmë Shqipëria iu është bashkuar vendeve në zhvillim". Kështu e ka vlerësuar zhvillimin ekonomik në vend Përfaqësuesja e Misionit të FMN-së në Tiranë, Ann Margaret Westin, gjatë nënshkrimit të Letrës së Mirëkuptimit për rishikimin e 6-të dhe të fundit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe FMN-së. Westin vlerësoi se gjatë këtij programi, Shqipëria, e nisur nga vendet me zhvillimin më të ulët ekonomik, është bashkuar me vendet që janë në zhvillim. "Shqipëria që në fillim i është bashkuar programit të FMN-së dhe programi i fundit ishte i 6-i. Gjatë këtyre programeve, ne jemi fokusuar në çështje themelore që kanë të bëjnë me stabilitetin makroekonomik, si dhe në reforma kyçe që kanë të bëjnë me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik", - vuri në dukje znj. Westin. Sipas saj, "këto programe kanë të bëjnë me administratën e taksave, menaxhimin, mbikëqyrjen e bankave, statistikat dhe privatizimin e sektorëve".

Legjislacioni tatimor, Dhoma Amerikane njihet me aplikimet e reja

Administrata tatimore ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin ndaj biznesit, duke krijuar praktika moderne dhe ka zvogëluar numrin e kontakteve me inspektorët tatimorë, si dhe hapësirat për subjektivizëm dhe praktika korruptive. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, theksoi të enjten gjatë një takimi të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, lidhur me "Aplikimet dhe të rejat e legjislacionit tatimor në fuqi", se janë bërë një sërë përmirësimesh ligjore, të cilat kanë bërë të mundur minimizimin e kontakteve mes tatimpaguesve dhe administratës, të cilat mund të ishin shkak për abuzime. Sefgjini ka shpjeguar se ky ligj ka sjellë ndryshime konceptuale në punën e administratës tatimore. Sipas tij, ligji bën realitet për tatimpaguesit moton "Paguaj shumën e duhur në kohën duhur!". Në këtë mënyrë, ligji siguron trajtimin e njëjtë për të gjithë tatimpaguesit. Ky është përfitimi i madh për tatimpaguesit, sepse mundëson konkurrencë të ndershme në treg. Ai sqaroi më tej se në frymën e reformimit dhe modernizimit të mëtejshëm të sistemit tatimor në Shqipëri, të mbështetur dhe nga projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë, i administruar nga USAID, vendimi i ri i Ministrisë së Financave "Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar" heq procedurën e dorëzimit mujor të librave të shitjeve dhe blerjeve, duke rikonfirmuar si detyrimin ligjor për mbajtjen e saktë dhe të rregullt të tyre nga biznesi, ashtu dhe parimin e vetëdeklarimit dhe kontrollit të strukturuar tatimor.

Dhjetori 2008, çmimet më të ulëta se një vit më parë

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin dhjetor 2008, arriti 102.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor ‘07=100), duke shënuar një rritje prej 0.9 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor në muajin dhjetor është 2.2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.1 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 2.4 për qind, me një ndikim prej 0.9 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 14.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim rritjen e çmimit të kastravecëve, specave dhe patëllxhanëve me mbi 50 për qind, lulelakrës me 22.0 për qind, domateve me 20.6 për qind etj. Indeksi në nëngrupin “fruta” shënoi një rritje prej 7.5 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të bananeve me 5.7 për qind, dardhave me 4.9 për qind, mollëve me 4.9 për qind, kivit me 3.6 për qind. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera pësuan ulje gjatë muajit dhjetor, ku mund të përmendim uljet e çmimit të portokallieve me 2.8 për qind, limonëve me 1.6 për qind, mandarinave me 0.5 për qind etj. Gjatë muajit dhjetor, çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, “peshk” 0.5 për qind, “mish” 1.4 për qind, “qumësht djathë e vezë” 0.4 për qind, “pije joalkoolike” 0.1 për qind etj. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.8 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike u rritën me 1.6 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›