Rritja ekonomike
Banka e Shqipërisë e parashikon 5.5 përqind. Ministria e Financave e nxjerr shtatë përqind. Instituti Kombëtar i Statistikave 9.9 përqind. Sa është kjo e shkretë rritje ekonomike? Për ta kuptuar qytetari i thjeshtë, rritje ekonomike e një vendi quhet atëhere kur vëllimi i përgjithshëm i prodhimeve dhe shërbimeve(sikurse është turizmi, etj.) të tij në një vit është më i madh se sa një vit më parë. Kështu, nëse ky vëllim në vitin 2007 ka qenë dhjetë miliardë euro, ndërsa disa matje tregojnë se për vitin 2008 duhet të jetë 10 miliardë e 550 milionë euro, atëhere rritja parashikohet 5.5 përqind. Le t’i shikojmë me rradhë elementët e këtij prodhimi të përgjithshëm bruto të vendit(i quajtur në anglisht GDP). Bujqësia jep rreth 23 përqind dhe ajo gjatë vitit të kaluar u rrit mirë. Ndërtimi jep 13 përqind dhe edhe ai pësoi rritje, ndonëse më pak se rritja e viteve të kaluara. Transporti po ashtu u shtua. Të ardhurat e emigrantëve, që përbëjnë afro 10 përqind (rreth 1 miliardë euro) pësuan rënie në tremujorin e katërt të vitit 2008, por në tërësi në këtë vit dalin me një rritje të lehtë. Eksportet patën rritje të fortë (rreth 36 përqind) si tetëmujor, por mund të ketë rënë pak rritja e tyre në katër muajt e fundit. Ato përbëjnë 15 përqind të prodhimit të përgjithshëm. Rritjen gati të pabesueshme e pësuan investimet e huaja(gati dy herë më tepër). Duke i marrë të gjithë këta elementë të prodhimit shqiptar dhe duke i krahasuar me peshën specifike të tyre, del përllogaritja e rritjes ekonomike. Ajo luhatet diku mes shifrës së ministrisë së Financave dhe asaj të INSTAT. Për hir të së vërtetës, duke patur parasysh dhe prodhimin e energjisë elektrike(i cili ka qenë i pandërprerë për shkak të motit plot rreshje), shifra anon nga ajo e INSTAT. Si të thuash, na ka ndihmuar edhe vetë Zoti. Prandaj ia vlen t’i futemi këtij viti 2009 me një besim plot baza se vendi do të vijojë rritjen. Edhe nëse të ardhurat nga emigrantët do të vazhdojnë të bien(sikurse është e natyrshme, për shkak të krizës dhe pasigurisë në vendet ku punojnë), vendi ynë ka mundësi të rekuperojë 300-350 milionë eurot më pak që do të sjellin emigrantët. Investimet e huaja dhe rritja më e fortë e prodhimit bujqësor janë mëse të mjaftueshme për të kompensuar humbjen nga remitancat(të ardhurat nga emigrantët). Prandaj shqetësimet për lekun dhe shëndetin e tij mund të mos qëndrojnë shumë. Nga ana tjetër, përfundimi i rrugës Durrës-Morinë në gjysmën e dytë të këtij viti do të sjellë një shtim të ndjeshëm të eksporteve tona me Kosovën. Kosova, edhe pse kriza do të prekë vendet e Ballkanit, është një ekonomi në rritje. Si e tillë, ajo ka uri për importe. Eksportet tona drejt saj do të jenë të parat, me rrugën e re, që do të përfitojnë. Dhe nuk ka pengesa standartesh për tregtinë me Kosovën. Një tjetër garanci e përbëjnë investimet në energjitikë. Sikur ato tre miliardë e gjysëm euro të kontraktuara të fillojnë ndërtimet vetëm me dhjetë përqind të tyre gjatë këtij viti, i thonë një kapital shtesë prej 350 milionë euro. Do të përfitojnë firmat e ndërtimit shqiptare nga frontet e punës që do të hapen dhe ky sektor do të marrë një shtysë të re, duke kompensuar ndoshta rënien në shitjen e apartamenteve të reja të banimit. Në tërësi, sikurse e thekson edhe përfaqësuesja e Bankës Botërore këtu tek ne, Shqipëria do të jetë vendi më pak i prekur nga kriza në Ballkanin Perëndimor. Prandaj edhe duhet të besojmë shifrat e INSTAT. Ndërsa parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë vit sfidues është 3.5-4.5 përqind. Duke u bazuar në “magjen” e vitit që sapo lamë, ndoshta pa frikë mund të themi se Shqipëria, sikur të gjitha gjërat të shkojnë keq(moti, punësimi i emigrantëve, rënia e eksporteve, etj) do të rritet me të paktën pesë përqind. Që është një tregues mëse i mjaftueshëm e pozitiv. Kurse në rastet e mira që shpresojmë t’i kemi, rritja për këtë vit mund të kapë edhe shifrat 6-7 përqind. Prandaj dhe ia vlen ta shohim gotën gjysëm plot për xhepin tonë dhe atë kombëtar.
Fatos Çoçoli