E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt fundit misioni i UNMIK në Kosovë, përfundon pavarësia e kushtëzuar për Kosovën

12-06-2012 / Gazeta 55

Qeveria e Kosovës, IKO dhe UNMIK-u janë duke punuar në kuadër të komisioneve të përbashkëta që dosjet me të cilat ka punuar UNMIK-u në veri të kalojnë në Zyrën e re Administrative të Kosovës. Kjo e fundit ende nuk është tërësisht funksionale pasi është në pritje të emërimit të stafit. Sidoqoftë, vendimi i qeverisë kosovare ka nxitur negociata që prania ekzekutive e UNMIK-ut në veri të marrë fund përfundimisht. Ministrja në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se tashmë po diskutohet marrja e dokumentacionit me të cilin ka punuar UNMIK-u prej kohës kur këtë zyrë e hapi kryeadministratori Majkëll Stajner. “Normalisht kjo zyrë kur është hapur në kohën e shefit të UNMIK-ut, , është parashikuar si zyrë e përkohshme, deri në momentin kur institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të krijojnë mekanizmat e saj atje. Ky ka qenë një vendim i pritshëm edhe nga ana e UNMIK-ut, normalisht ajo zyrë atje me funksionalizimin e zyrës tonë nuk ka nevojë që të vazhdojë punën”, ka thënë ministrja Çitaku.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjithë ministrat për të punuar që të plotësojnë çdo punë të mbetur vetëm e vetëm që procesi i mbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të kryhet sipas kohës së parapare më 2 korrik. Thaçi gjithashtu ka kërkuar që të punohet shumë për të plotësuar çdo kusht në mënyrë që Kosova te marrë liberalizimin e vizave. Shefi i qeverisë ka kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të ekzekutivit të bihet dokumenti për nivelizimin e pagave që financohen nga buxheti i vendit duke përfshire edhe ato të agjencive. Në mbledhjen e qeverisë është miratuar procesi i privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit, po ashtu është votuar edhe rishikimi i buxhetit në këtë vit në të cilin është përfshirë edhe financimi i zyrës administrative që do ta hap qeveria në veri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›