E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e Francës dhe Italisë në Tiranë, urojnë Bujar Nishanin për zgjedhjen President të Shqipërisë

12-06-2012 / Gazeta 55

Presidentit të zgjedhur të Republikës Z. Bujar Nishani vijojnë t’i mbërrijnë mesazhe urimi me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë.
Pas mesazheve të urimit nga Ambasadori i BE, Z. Ettore Sequi, Ambasadori i SHBA, Z. Alexander Arvizu dhe Ambasadori i OSBE, Z. Eugen Ëolfarth, i përcollën mesazhe urimi edhe Ambasadori i Italisë Z. Massimo Gaiani dhe Ambasadorja e Francës Znj. Christine Moro.
Ambasadori i Italisë në Tiranë Z. Massimo Gaiani nëpërmjet një bisede telefonike i përcolli Z. Nishani urimin me rastin e zgjedhjes në detyrën e Presidentit të Republikës. Z. Gaiani vlerësoi rolin e deritanishëm të Z. Nishani në cilësinë e Ministrit të Brendshëm dhe të Ministrit të Drejtësisë për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin e frytshëm me ambasadën dhe qeverinë italiane, e ndërkohë shprehu dëshirën që ky nivel bashkëpunimi të vijojë edhe me institucionin e Presidentit të Republikës.
-Ju përcjell përgëzimet e mia më të ngrohta me rastin e përzgjedhjes suaj si President i Republikës, zgjedhje ku unë pata kënaqësinë të isha e pranishme në Parlament, si dhe urimet e mia për ushtrimin e funksionit të lartë që ju do të merrni pas disa javësh,-shprehet në letrën e saj të urimit për Z. Nishani, Ambasadorja e Francës në vendin tonë Znj. Christine Moro.
-Jam e bindur se përvoja juaj, cilësitë tuaja personale dhe vendosmëria juaj janë tipare shumë të rëndësishme, të cilat tashmë do të jenë në shërbim të të gjithë vendit,-thekson në letrën e saj ambasadorja Moro.
Më tej në letër ambasadorja Moro vlerëson marrëdhënien e besimit që Z. Nishani ka ditur të ndërtojë me Të ashtu si edhe me ambasadoren e mëparshme, e po kështu për bashkëpunimin e cilësisë së lartë me Ambasadën e Francës.
“Të gjitha shërbimet e policisë që varen nga autoriteti juaj, si dhe DAP-i, nën drejtimin dhe nxitjen tuaj kanë pasur një bashkëpunim të cilësisë së lartë me Ambasadën e Francës duke synuar të realizohen objektivat që ndjek Shqipëria me mbështetjen e Francës: afrimin me BE dhe thellimin e marrëdhënieve institucionale dhe të bashkëpunimit operacional, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimin rajonal në këtë drejtim, krijimin e një administrate profesionale dhe të formuar mirë”- përfundon Ambasadorja e Francës Znj. Christine Moro letrën e saj për Presidentin e zgjedhur të Republikës Z. Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›