Meta: Bujar Nishani, figurë konstruktive dhe bashkëpunuese

Kreu i LSI-së apelon për reformat: Konfliktet e kaluara pengesë për statusin, të mos humbet kohë
Gjatë një deklarate për shtyp, kreu i LSI-së, Ilir Meta apeloi për forcimin e mëtejshëm të dialogut politik në vend, kjo me qëllim ecjen me shpejtësi drejt përfundimit të reformave kyçe për vendin. Kreu i LSI-së kërkoi nga klasa politike që të avancojë punën për realizimin e reformës zgjedhore, asaj parlamentare, heqjen e imunitetit dhe të gjitha reformat e tjera që janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. “Tani kur procesi i zgjedhjes së presidentit të ri ka përfunduar do të dëshiroja të bëja apel për të ecur më shpejtidrjet përmbylljes të refomës zgjedhore, reformës parlamentare dhe zgjidhjes së çështjes së imunitetit si dhe në fushën e drejtësisë dhe në të gjitha drejtimet e kërkuara nga Bashkimi Europian. Është koha për të forcuar dialogun politik, për të çuar përpara reformat dhe për të parë drejt një të ardhme të përbashkët”- u shpreh Meta. I pyetur në lidhje me daklaratën e kryesocialistit Rama se pas zgjedhjes së presidentit shqipëria ndodhet më larg Europës, Meta u përgjigj se, “të gjithë jemi dëshmitarë që zgjedhja e presidentit nuk ka qënë një moment, por një produkt i një procesi të gjatë, i një dialogu të vazhdueshëm, i tryezave të vazhdueshme”. “Një proces ku janë përfshirë të gjitha forcat parlamentare, janë përfshirë shumë kandidatë, ka pasur disa mundësi për konsensus dhe në fund kemi parë rolin e parlamentit që ka qënë sovran dhe ka vendosur”- tha ai.
Nga ana tjetër, Ilir Meta vlerësoi maksimalisht figurën e presidentit të sapozgjedhur, Bujar Nishani.
“Zgjedhja e Presidentit nuk ka qenë një moment, por produkt i një procesi të gjatë në kohë, i një dialogu të vazhdueshëm, ku janë përfshirë të gjitha forcat parlamentare dhe jo parlamentare dhe ku në fund kemi patur rolin e parlamentit që ka qenë plotësisht sovran, me zgjidhje konkrete, për të evituar dhe zgjedhjet e parakohshme. Presidenti Nishani është një figurë bashkëpunuese, institucionale, që sjell qetësi. Duhet të kemi parasysh se konfliktet e kaluara janë pengesë për statusin”, vuri në dukje Meta, gjatë fjalës së tij.