Ku mbetën pagesat e kujdestarive?
Pas përfundimit të punës së një akti nënligjor që bazohet në Ligjin e punës në mes grupeve punuese për dialog social të FSSHK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me rritjen e pagës së kujdestarive, drejtues të FSSHK-së thonë se ky udhëzim nuk po implementohet.
Derisa MSH-ja paralajmëron nënshkrimin e Kontratës Kolektive në fund të kësaj jave, zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare ende nuk e kanë versionin final. Këto pakënaqësi kanë rrjedhur për shkak se punonjësit shëndetësorë nga 17 euro që u janë paguar për kujdestari, me zbritje ato i kanë marrë në 7 euro, ndërkaq stafi i mesëm siç janë infermierët, nga 11 euro sa janë paguar, u ka rënë t’i marrin vetëm nga 4 euro.
Me këtë rast, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla ka thënë të mërkurën se kujdestaritë nuk janë rritur, por përkundrazi janë zvogëluar dhe se janë prekur resorët kritikë siç janë emergjenca dhe infermieria.
Syla theksoi se ka përfunduar draft-udhëzimi në mes të grupeve punuese për dialog social të FSSHK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me rritjen e pagës së kujdestarive të punëtorëve shëndetësorë, mirëpo sipas tij, ky udhëzim nuk po implementohet.
Për më tepër, ai ka bërë të ditur se ministri Agani duhet të kthejë përgjigje para datës 30 maj, pasi që me këtë datë do të mblidhet Këshilli Drejtues i Federatës dhe do të marrë vendime që kanë të bëjnë me hapat e tjerë sindikalë.