E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në luftë me zogjtë

Në këtë betejë duket se fituesit kanë dalë zogjtë. Automjetet duhet të lahen disa herë në ditë, për shkak të ndotjes nga glasat e banorëve të padëshiruar

DURRËS - Një lagje e tërë në qytetin e Durrësit prej mëse një muaji ka nisur një luftë të mirëfilltë për largimin e zogjve që janë bërë shumë të bezdisur. Bëhet fjalë për rrugën “Prokop Meksi”, në lagjen nr. 4 të qytetit të Durrësit, e cila është pushtuar nga një koloni shumë e madhe zogjsh. Rruga nuk është më shumë se 500 metra, por në të dyja anët e saj janë vendosur mijëra zogj të vegjël që e kanë bërë të padurueshme jetën për banorët. Zogjtë kanë pak më shumë se një muaj që kanë ardhur në këtë zonë dhe vendosen në pemët që gjenden në të dyja anët e rrugës. Ata nuk tremben as nga fishekzjarrët që banorët i hedhin pa pushim. Rrapet e kësaj rruge janë shumë të lartë dhe siç duket zogjtë kanë gjetur një strehë të sigurt në këto pemë. Problemi me banorët ka nisur për shkak të zhurmës që ata shkaktojnë çdo mbrëmje dhe gjatë natës, dhe më kryesorja është ndotja që ata shkaktojnë nga pendët e tyre dhe glasat. Banorët e zonës shprehen se zogjtë kanë pesë vite që vijnë gjithmonë në lagjen e tyre, por këtë vit ata janë disa herë më të shumtë në numër dhe ndotja është më e madhe. Zogjtë janë shtegtarë dhe vijnë pothuajse rregullisht në pesë vitet e fundit në fillimin e muajit korrik, duke u larguar sapo ftohet koha. Gjatë ditës ata largohen, por nga ora 18:00-19:00 ata kthehen tek pemët dhe zhurma është shumë e lartë dhe e padurueshme. Në këtë kohë janë të pakët edhe automjetet që parkohen në këtë rrugë, megjithëse rruga është në qendër të Durrësit dhe qarkullimi i automjeteve është shumë i lartë. Parkimi i mjeteve në këtë zonë në orët e mbrëmjes bën që brenda pak minutash të gjitha makina të mbulohet nga glasat e zogjve dhe “viktimat” e tyre duket se janë vetëm ata që nuk e dinë historinë e zogjve. Zogjtë kanë imponuar me mënyrën e tyre moshapjen e kafeneve dhe lokaleve që ofrojnë shërbime të tjera. Pronarja e një ruloti që shet produkte ushqimore dhe më së shumti funksionin si pikë ushqimore ambulante, tregon se gjendja është e padurueshme. “Nga ora 19:00, kur ata kthehen të gjithë në majë të pemëve dhe deri në orën 05:00 të mëngjesit nuk pushon zhurma. Jemi munduar që t’i trembim, kushedi se sa fishekzjarrë janë hedhur këtu, por ata nuk ikin. Zhurma i tremb, ngrihen në fluturim dhe përsëri ulen sipër pemëve. Një natë është bërë një dasmë në lokalin këtu afër dhe janë hedhur qindra fishekzjarrë, por zhurma që ata shkaktojnë ka qenë e tmerrshme. Ne nuk dimë se çfarë të bëjmë. Tani ata kanë filluar ndërrimin e pendëve dhe sipërfaqja në çati, në rrugë dhe trotuare është e tmerrshme”, thotë ajo.

Bashkia bën sehir

“Bashkia nuk ndërhyn të lagë të paktën rrugët apo t’i dezinfektojë me ndonjë ilaç. Na vjen edhe keq se ata zogj janë në fund të fundit pjesë e natyrës, por për ne që punojmë e shpenzojmë kohën këtu janë bërë shumë të bezdisur”, thonë tregtarët e rrugës. Lufta midis banorëve dhe zogjve duket se ka nxjerrë fitimtarë këta të fundit. Ata nuk dorëzohen dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në pemët e rrugës së qendrës së qytetit deri në ardhjen e temperaturave të ulëta.  Nga ana tjetër, banorëve të zonës nuk iu mbetet gjë tjetër, vetëm të durojnë dhe të presin ardhjen e të ftohtit, ose në të kundërt të kërkojnë që bashkia të presë rrapet shumëvjeçarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›