E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kameleonët e skenave shqiptare!

Kush janë këngëtaret që kanë ndryshuar më shpesh frizurën e tyre?! Bionde, brune, platin apo të kuqe?! Flokë të drejtë, kaçurrelë, me balluke apo një model alla-Rihana, që i bën të duken femrat më moderne të skenave tona. Nga Jonida Maliqi tek Çiljeta Xhilaga, femrat VIP zbulojnë pa drojë sekretet e ndryshimeve të tyre

Thonë se flokët është gjysma e bukurisë, e kjo shprehje nuk do të vinte kaq shumë e përligjur, sidomos nëse bëhet fjalë për këngëtaret shqiptare. Një pjesë prej tyre e kanë përqafuar prej kohësh këtë formulë, që i bën të duken sa të veçanta, aq edhe elegante. E para që kryeson në listën e ndryshimeve më të shpeshta të lukut është pa më të voglën mëdyshje e mirënjohura Jonida Maliqi. Shumë kolege të sajat janë munduar që ta kopjojë, por pa sukses, pasi nuhatja e pagabueshme e bën Jonidën të duket në çdo kohë unike në llojin e saj. Këngëtarja profesioniste është shndërruar në një “kameleon” të vërtetë, që të habit në çdo performancë publike. Nëse gjatë ceremonisë së martesës ajo u shfaq me flokë në ngjyrë të kuqe, prej disa muajsh ajo ka zgjedhur një tjetër model elegant: flokë të prera shkurt dhe në ngjyrë bionde. “Pikësynimi im nuk është kurrsesi që të bie në sy tek të tjerët. Që e vogël më ka tërhequr e bukura dhe padyshim që për ndryshimet e mia të shpeshta ka ndikuar edhe skena. Kam eksploruar me shumë ngjyra, pasi më ka ndodhur që një model i caktuar më është mërzitur dhe menjëherë i jam drejtuar parukieres sime prej pesë vitesh, Ema Matias. Falë Zotit unë kam një lëkurë ngjyrë gruri, që lejon kombinime nga më të hatashmet. Maksimumi im i të mbajturit një ngjyrë flokësh ka qenë vetëm tetë muaj dhe për këtë ndryshimet e shpeshta flasin vetë…”, pohon Jonida për gazetën “Korrieri”. Me modelin e fundit ndihet vërtet mirë dhe ndoshta këtë radhë duhet të presim më gjatë për të parë frizurën e re që këngëtarja do të përqafojë. Po kaq e dhënë pas flokëve është edhe këngëtarja e njohur, Rezarta Shkurta. Ndonëse ka luajtur më tepër me gjatësinë e flokëve sesa me ngjyrat, ajo është e bindur që gjithnjë ka bërë zgjedhjen e duhur. Pasi ka hequr dorë nga modeli me balluke, ai i në ngjyrë gri apo nga flokët e prerë shkurt, këngëtarja anon më tepër nga frizura me onde dhe në ngjyrë gruri. “Modelin e flokëve e zgjedh shpeshherë sipas veshjes, sipas situatës ku ndodhem, që në këtë rast mund të jetë një festival ose një set fotografish që duhet të realizoj. Për këto motive unë shpesh prezantohem me një paraqitje të re, që më bën të dukem edhe më e veçantë”, shprehet Shkurta. Nuk mbetet pas në ndryshimet e saj as këngëtarja Çiljeta Xhilaga. Hera e parë kur ajo është shfaqur në publik, duket se i përngjan një “epoke” tjetër, në të cilën ka jetuar vajza seksi, pasi ndryshimet e lukut në këto kohë e bëjnë të duket gjithnjë e më e veçantë. Të zeza, të kuqe, në ngjyrë kafe dhe bionde, janë këto katër llojet e bojërave që ajo ka provuar tek flokët e saj. Ndërsa sa i përket gjatësisë, ajo ka luajtur shpesh edhe me të, teksa së fundmi ka preferuar flokët e gjatë kaçurrela, me të cilët u shfaq edhe në klipin “Puçi- puçi”. “Nuk e mohoj që shpesh kam provuar edhe “extension”-in, pasi kjo është një nga preferencat e mia që nuk vdes kurrë. Me siguri që do e provoj së shpejti”, shpjegon ajo. Por në dallim nga Elsa Lila, kjo e fundit luan gjithmonë me gjatësinë e flokut dhe kurrë me ngjyrën. Flokë me onde apo të prera shkurt, kjo pak rëndësi ka për këngëtaren e suksesshme shqiptare në Itali. Për të kryesor është fakti që të vijë gjithnjë me një luk të ri, që e bën të ndjehet mirë me veten dhe, pse jo, të dallueshme nga koleget e saj. Të njëjtën gjë synojnë edhe Jonida, Rezarta e Çiljeta dhe duket se këtë sfidë ato e kanë fituar që prej fillimit!            

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›