Falje e çalë

Një projektligj për faljen e detyrimeve të prapambetura nga privatët dhe shtetërorët, nxiti debate në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit dje. Komisionerë të opozitës dhe të pozitës si dhe përfaqësues të qeverisë shprehën pikëpamje të ndryshme mbi rregullat ligjore të parashikuara në projekt. Projektligji përfshin falje kamatëvonesash, borxhesh dhe gjobash për doganat, tatimet, sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe automjetet e transportit rrugor. Për tatimet dhe doganat falja parashihet në masën 100 për qind, ndërsa për kamatvonesat me 50 për qind, me kusht pagesën brenda këtij viti.
Fillimisht, në emër të qeverisë, Ariana Dyrmishi nga Ministria e Financave, tha se projektligji parashihte tri kategori që do të përjashtoheshin nga rikthimi i vlerave të marra monetare. Sipas qeverisë, projektligji do të mundësojë pastrimin e llogarive, që në shumë raste shtrihen në kohë që nga fillimi i viteve '90-të. Doganat dhe tatimet kanë një shumë të përafërt të pashlyer rreth 8,5 milionë lekë. Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithëshme të Tatimeve, biznesi ka 37,2 miliardë lekë borxh. Nga kjo shumë, 26,9 miliardë lekë janë detyrim pagese, 7,8 miliardë gjoba me kamatvonesa rreth 2,4 miliardë. Projektligji për kategorinë e automjeteve, saktëson se nga falja përfitojnë rreth 160 mijë përdorues ose me shifër automjetesh, rreth 45 për qind e numrit të përgjithshëm që qarkullon në Shqipëri.
Sipas Ariana Dyrmishit, përcaktimi i të tria kategorive ka këtë qëllim, por me theks të rëndësishëm detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Dyrmishi saktësoi se projektligji është organizuar në tre sesione sipas llojeve të detyrimeve të papaguara, të cilët propozohen që të falen. Projektligji në ndarjen e parë, të cilësuar me termin “sesion” nga Dyrmishi, “ka të bëjë me faljen e detyrimeve të papaguara tatimore dhe detyrimeve të papaguara doganore”. Po sipas përfaqësueses së Ministrisë së Financave, Dyrmishit, në projektligj është përfshirë si kategori edhe ajo që lidhet “me faljen e detyrimeve të papaguara për taksën vjetore të qarkullimit rrugor të mjeteve, si dhe taksën e regjistrimit të përvitshëm”. Sakaq, Dyrmishi veçoi se “komponenti i tretë dhe i rëndësishëm i këtij projektligji ka të bëjë me faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për pjesën e detyrimeve të papaguara të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimeve shëndetësore, që është një masë që propozohet pothuajse çdo vit, ku edhe këto raste janë përfshirë në projektligj. Aleksandër Biberaj, deputet i Partisë Demokratike i tha “Korrierit”, se bëhet fjalë për të falur kamatën dhe gjobat, por jo principalin. Sakaq, nuk ka ndonjë informacion se sa mund të shkojë humbja në vlera monetare për periudhat e ndryshme kohore sipas subjekteve veçmas, për kreditë e marra dhe që nuk janë shlyer. Projektligji “vulos” ato shuma për të cilat fare qartë mund të thuhet se nuk mund të mblidheshin kurrë, sikurse është vërtetuar deri tani. Një pjesë jo e vogël i përket fillimit të viteve 90-të dhe janë kredi që u morën ose për fillim veprimtarie biznesi, ose për blerje shtëpish, imobiliare, automjete apo për nevoja të tjera. Madje, një pjesë e personave të cilët kanë marrë paratë nuk ndodhen në Shqipëri, mund të jetojnë jashtë ose ta kenë tërhequr atë (kredinë) me dokumentacion të mangët në adresa që gjithashtu janë të rrëmujshme, për shkak të ndryshimeve apo dhe të identitetit të vetë personit. Nëse u referohesh llogarive të përafërta të të gjithë vlerës së pashlyer prej shumë vjetësh, mund të jetë një shifër monetare apo siç quhet “borxhe të vjetra” të subjekteve shtetërorë apo privatë në më shumë se 45 miliardë lekë. Sipas projektligjit, mund të jetë 25 miliardë lekë shuma që do të falet me miratimin e projektligjit nga Kuvendi, duke kushtëzuar arkëtimin në shtet; më saktë përfitimin nga buxheti të një vlere të mbetur nga borxhi i përgjithshëm (25 miliardë lekë).
Opozita ofron përmirësimin konceptual të projektligjit
Deputetë të opozitës në komision thanë se projektligji është i mangët në konceptim. Ata po ashtu vërejtën një lloj standardi të dyfishtë, referuar kategorive që përfitojnë. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deputet i Partisë Socialiste i tha “Korrierit”, se faljet për kompanitë publike nuk ndiqnin të njëjtën logjikë për subjektet private në atë projektligj. Sipas Malajt, “për subjektet publike rruga më e mirë është disiplina buxhetore nëpërmjet skemës së detyrimeve të prapambetura, sesa falja e detyrimeve. Koha që përfshihej në falje ishte e ndryshme dhe pa argumente logjike brenda të njëjtit grup ose midis grupeve. Koha për pagimin e detyrimeve ishte shumë e shkurtër, vetëm 3 muaj deri në 31. 12. 2008. Shuma që shpresohej të arkëtohej ishte shumë e madhe, rreth 24 miliardë lekë vetëm nga tatim-doganat dhe në një situatë kur biznesi dhe ekonomia janë në një cikël jo të mirë të biznesit”, - tha Malaj. Po ashtu, ai saktësoi se diku falej edhe detyrimi bazë, diku faleshin 100 për qind gjobat dhe kamatëvonesat. Malaj mendon gjithashtu, se faljet bëhen të nevojshme, por në qoftë se nuk shoqërohen me elemente të forcimit të funksionimit të shtetit, ato krijojnë një bazë të keqe në mentalitetin e faljeve të përsëritura. “Në ligj, - iu drejtua Malaj përfaqësuesve të qeverisë, - ju mbani qëndrim të ndryshëm ndaj subjekteve që konsideroni shtetërore dhe subjekteve që i konsideroni private”. Sipas ish-ministrit të Financave, që prej vitit 1997 në një pjesë të faljeve për subjektet shtetërorë “falni gjithçka: me principal, me gjoba, me kamatëvonesa etj.”, ndërsa më pas, sikurse u shpreh ai, “kur vjen puna tek subjekte të tjera që janë të rëndësishme në ekonominë shqiptare, bëni një trajtim të diferencuar, që nuk është një mentalitet i saktë ekonomik”.