E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dua ti sfidoj mitet për verbërinë

Nga Carrie Hooper

-Carrie_Hooper_Photo_631304857Disa njerëz që shohin mendojnë se ne që jemi të verbër jemi më trima dhe më guximtarë sepse arrijmë qëllimet tona, dhe na trajtojnë si heronj. Shpesh dëgjoj njerëz që thonë, “Më frymëzon. Sa më mahnit!” Në të kaluarën nuk mendoja shumë për këtë dukuri por që nga koha që e kam njohur shokun tim, Tim Hendel, edhe ai i verbër, kam reflektuar më shumë për këtë temë. Duke e vizituar, kam kuptuar një pjesë të njëmendësisë së verbërisë që unë, edhe pse jam vetë e verbër, nuk kuptoja më parë. Qëllimi i këtij shkrimi është t’u pikturoj lexuesve realitetin të plotë të jetës së të verbërve. Mendimi im as nuk është të ankohem as të luaj rolin e viktimës por thjesht t’i arsimoj njerëzit dhe t’i korrigjoj keqkuptimet që shkaktohen nga moskuptimi i gjendjes së vërtetë të të verbërve.

Nuk sfidoj ose kapërcej verbërinë, jetoj me të. Verbëria nuk më bën më trime ose më guximtare. Guximi i vërtetë tregohet kur njeriu ka një zgjedhje dhe bën atë që është e drejtë. Shqiptarët tregonin guxim duke i shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke qenë i verbër, nuk ke zgjedhur kushtet e tua. Duhet t’i përshtatesh situatës sate dhe të bësh gjithçka sa mundesh për të mbijetuar.

Disa njerëz thonë se unë shikoj botën më mirë se njerëz që shohin dhe se kompensoj për mungesën e shikimit me shqisat e tjera. Prapë, s’ka zgjedhje tjetër. Duhet t’i përdor shqisat e tjera (dëgjimi, prekje, etj. për t’u orientuar dhe për ta perceptuar botën. Më tej kur nuk shoh dhe një nga shqisat e tjera nuk funksionon siç duhet, mund të shkaktojë probleme. Në rastin e shokut tim, Timit, ai ka humbur shumë nga dëgjimi dhe kjo i vështirëson orientimin dhe bisedat me njerëz të tjerë dhe nuk mund të kënaqet me aktivitetet që e gëzonin më parë, për shembull dëgjimin e radios ose mësimin e gjuhëve të huaja. Nuk do të thoja se shikoj botën më mirë se ata që shohin, por e përjetoj në mënyrën time. Ata të shohin do të mund të përjetonin botën me shqisat e tjera por varen shumë nga sytë kështu se nuk zhvillojnë shqisat e tjera siç do të mundnin.
Kur je i verbër, nuk do të thotë se dhuntitë që i ke janë më të spikatura. Verbëria nuk ka ndikuar në aftësinë time si muzikante ose në prirjen për t’i mësuar gjuhë të huaja. Jam e sigurt se do të kisha pasur këto dhunti po të shikoja. Për t’i zhvilluar dhuntitë e mia kërkohej shumë punë dhe Mund. Meqë ra fjala, jo të gjithë të verbërit kanë vesh për muzikën siç mendojnë disa.
Shpesh mahniten njerëzit se si mbaj mend gjithëçka, veçanërisht kur më shohin duke kënduar në kor ose solo. Duhet t’i mbaj mend këngët sepse s’ka rrugë tjetër dhe prapë më duhet shumë punë për t’i mësuar. Nganjëherë harroj tekstet dhe harroj gjëra të tjera, si, për shembull, numra telefonike që i shkruaj.
Dua të sharoj disa gjëra të tjera. Nuk numëroj hapat kur eci më këmbë. Përdor bastunin e bardhë kurse njerëz të tjerë përdorin qentë që i udhëzojnë. Vendimi të shkosh me bastun ose me qen është një zgjedhje vetjake dhe unë vetë preferoj të shkoj me bastun.

Braili nuk është një gjuhë por është si një font. Braili mund të prodhojë gjithçka që mund të përfaqësohet në shkrim që nga gjuhët deri te notat për muzikë. Mësimi i brailit është i domosdoshëm për të verbrit dhe nuk është më e vështirë për fëmijët ta mësojnë se sa për fëmijët që shikojnë të mësojnë shkrimin dhe leximin me shkronjat normale. Edhe të rriturit që kanë humbur shikimin mund ta mësojnë brail. Pranoj se fëmijë të verbër me aftësi të tjera të kufizuara ose të rriturit me diabet që kanë humbur ndjeshmërinë në gishtërinjtë mund të kenë më shumë vështirësi duke mësuar brail, dhe të rriturve mund t’u ecë më ngadalë procesi i të mësuarit të brailit, por përndryshe nuk është e pamundur ta mësosh.
Disa mund të thonë se braili nuk është i nevojshëm në kohën e sotme meqenëse ka kompjuter me zë të sintetizuar dhe libra në audio por braili pa dyshim nevojitet sepse vetëm duke e ditur brail një i verbër mund të shikojë se si shkruhen fjalët dhe vetëm kur e di brail mund të thotë me sinqeritet se di të lexojë.
Ka edhe harta në brail dhe relief dhe të verbrit mund t’i kuptojnë me udhëzimin e duhur të mësuesit. Një i verbër mund të mësojë drejtimet veri, jug, lindje, perëndim pa asnjë problem. Shoku im Timi ka një pasion të madh për gjeografinë dhe për harta dhe më ka ndihmuar mua t’i çmoj më shumë. Kam, ndër të tjera, një hartë për Shqipërinë në brail!
Halli më i madh për ne të verbër është transporti. Kam fat sepse jetoj me prindërit e mi që më çojnë në punë ose në vende të tjera ku duhet të shkoj. Njerëz të tjerë, si shoku im Timi, nuk kanë këtë privilegj dhe luftojnë të gjejnë njerëz që i marrin diku. Të bësh pazar mund të jetë arritja më e madhe gjatë ditës për shumë njerëz. Je i varur nga të tjerët dhe koha nuk është e jotja dhe kjo bën se nuk mund të dalësh kur të duash, për shembull, nuk shkon lehtë në një koncert ose diku tjetër. Timi më tha se pasi është dashur të kërkojë njerëz që e marrin diku që nga kaq shumë vite, ndihet emocionalisht i lodhur, dhe jo vetëm ai por shumë të verbër të tjerë ndihen kështu. Gjithashtu Timi më tha se shumë të verbër në moshën pedhjetë ose gjashtëdhjetë vjeçare vuajnë nga depresioni dhe janë të izoluar.
Jam shumë mirënjohëse se kam një punë dhe se jam e zënë me aktivitete të tjera por ka shumë të verbër të papunë dhe të varfër. Sipas revistave të ndryshme që i kam lexuar, 70 përqind të të verbërve janë të papunë.

Të jesh i verbër dhe të jetosh vetëm mund të shkaktojë vështirësi. Nëqoftëse diçka rrëzohet nga tavolina ose ke humbur diçka, nuk ke gjithmonë ndihmën e njërit që shikon dhe duke vizituar Timin dhe duke parë raste të tilla, mund ta vërtetoj se në një çast të tillë, kur kërkon diçka në dysheme ose diku tjetër, nuk ndihesh si një hero dhe nuk ndihesh trim. Timi ka të drejtë kur thotë për situata të tilla, “Ndihem nënnjerëzor dhe të paaftë.”
Shpresoj se tani kuptoni më mirë realitetin e verbërisë. Jemi njerëz si gjithë të tjerë me dhunti dhe të meta. Arritjet tona në jetë nuk janë më të jashtëzakonshme se arritjet e të tjerëve që shikojnë. Faktikisht jeta në vetvete është një dhuratë e jashtëzakonshme për të gjithë dhe ne duhet ta jetojmë duke zhvilluar aftësitë tona sa më mirë. Të dashur lexues, ju lutem të mos na mbani ne të verbër për fenomene, heronj ose kurajoz por të na trajtoni si njerëzit që jemi.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›